LAJMI I FUNDIT:

BE: Jemi duke verifikuar ngjarjet në vijën kufitare Kosovë-Serbi

BE: Jemi duke verifikuar ngjarjet në vijën kufitare Kosovë-Serbi

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka konfirmuar se zyrtarët e Brukselit janë në kërkim të vërtetimit të fakteve në lidhje me verifikimin e ngjarjeve në veri të vendit kur erdhi deri te kidnapimi i tre zyrtarëve policer të Kosovës nga ana e forcave serbe.

“Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht”, ka deklaruar Stano në një përgjigje me shkrim dërguar medieve.


Zëdhënësi i BE-së ka përsëritur thirrjen për “de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe vendimtar”. Nga Kosova e Serbia ai kërkoi që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve.

Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar më 14 qershor nga forcat serbe në afërsi të vijës kufitare.

Policia e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

Sveçla: Akti i kidnapimit të policëve, incident i rëndë për ne dhe botën demokratike
Lexo po ashtu Sveçla: Akti i kidnapimit të policëve, incident i rëndë për ne dhe botën demokratike

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Ndërkaq, Serbia tha se arrestimi u bë në një fshat të komunës së Rashkës.

Zyrtarët shtetërorë në Kosovë e kanë dënuar këtë veprim dhe kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë.