LAJMI I FUNDIT:

“Mashtrues e abuzues i buxhetit”, Hoti përplaset me Muratin

“Mashtrues e abuzues i buxhetit”, Hoti përplaset me Muratin

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar raportin vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Në këtë Komision pati përplasje ndërmjet deputeti të LDK, Avdullah Hoti dhe ministrit të Financave Hekuran Murati.

Hoti, tha se ky raport e paraqet një menaxhim katastrofal dhe abuzim të buxhetit. Ai e përshkroi menaxhimin e buxhetit me fjalët, “Qeveria gjatë kohës së komunizmit ta thyente këmbën dhe ta jepte një shkop për t’u mbajtur”.


“Është mirë që po diskutohet ky raport sot, është raporti ku më së miri shihet kredibiliteti i politikave të Qeverisë. Jam i bindur se raporti i buxhetit e tregon një menaxhim katastrofal, në tri argumente e them këtë, e para nëse e krahasojmë më qeveritë paraprake. 41% e buxhetit shkon në subvencione, 16 % në investime kapitale. Nuk shihte në bazë të progresit realizimi i projekteve kapitale. 41% e buxhetit shkon në subvencione, një ekonomist i thjeshtë e di që me këtë nuk ka zhvillim këtu, ka mbijetesë, kjo nuk ka të ardhëm”.

“Tek investimet kapitale asgjë nuk keni bërë, rreth 500 milionë euro i mungojnë ekonomisë si shkak i mos punës së Qeverisë. Mëditje për udhëtim jashtë vendit janë rritur. Qindra miliona euro nuk i keni vendos në raport. KOSTI-it i keni dhënë hua, kur kthen këto. Të hyrat vetanake të komunave kaos i ke bërë krejt. Ky është menaxhimi katastrofal i financave publike që unë po i përmendi. A di si e përshkruaj menaxhimin e buxhetit sikur  ajo shprehja gjatë komunizmit, ‘Qeveria gjatë kohës së komunizmit ta thyente këmben dhe ta jepte një shkop për t’u mbajtur’ kështu i ke menaxhuar financat publike”, tha ai.

Murati tha se nuk janë stopuar investimet kapitale. Ai akuzoi komunën e Prishtinës dhe atë të Fushë-Kosovës që sipas tij, udhëheqin nga LDK-ja që janë më të dobët në realizimin e projekteve kapitale.

“Kur thuhet se janë stopuar investimet kapitale, nuk është e vërtetë sepse si ministri u kemi bërë thirrje që punimet të përshpejtohen. Nëse e shohim në nivelin lokal e kemi komunën e Prishtine dhe Fushë Kosovës që udhëhiqen nga ju, që janë më të dobëtit në realizimin e projekteve”.

“Është për herë të parë që ndërmarrjet publike kanë më pak punëtore, në këtë rast Telekomin, ku çdo vit keni shtuar punëtor, për herë të parë kjo është ndryshuar. I përmende shpenzimet për udhëtime jashtë vendit, shihini vitet e kaluar dhe patjetër që kur i krahasoni me vitin kur ka qenë pandemia, prej mbi  11 milionë euro kjo ka rënë në 5.2 milionë euro, ju lutemi mos bënë propaganda të tilla. Ju nuk keni ble armatim”, tha ai, raporton EO.

Hoti tha se Ministria e Financave nuk i ka lënë shenjë ekonomisë, ai e ka quajtur Muratin mashtrues.

“Kush nuk ka investuar në ushtri, nuk mundesh të flasësh kështu o djalë. Lej more mashtrues komunat, jemi duke diskutuar për juve jo për komunat. Shihet se çka flet ky mashtrues kur flasim për investime në ushtri. Ky mashtruesi tash e arsyeton vendimi për subvencionim për energji, këtë nuk e ki paraqit në raport. Qysh mu arsyetuar ku 41% të buxheti e keni dërguar në subvencione, kur doni me ba Zvicër ose Kroaci qe keni premtuar. Shenjë si ke lënë në ekonomi, i ke blloku të hyrat vetanake të komunave. Pse nuk po i qoni në bilanc bankar. Qysh me të kuptuar kur krizën më të madhe nuk i rrit pagrate. 80 mijë punëtorëve u janë zvogëluar pagat”, tha ai.

Murati, fillimisht ka prezantuar raporti ku sipas tij, si Qeveri kanë arritur progres. Ai ka bërë të ditur se për vitin 2022 ka pasur buxhet 2 miliardë euro, kurse shpenzimet kanë qenë mbi 2 miliardë e 625 milionë euro.

Sipas tij, shqetësuese mbetet rritja e detyrimeve kontingjente ku Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka arritur në 77 milionë euro nga 17 sa ishte vite më parë.

“Gjithsej pranimet për vitin e kaluar fiskal për vitin 2022 kanë qenë 2 miliardë kurse shpenzimet kanë qenë mbi 2 miliardë e 625 milionë euro, kjo nënkupton se ka pas rreth 3 milionë euro më tepër në bilancin bankar më tepër se që kishte filluar viti. Pra, viti kishte filluar me 442 milionë euro në bilanc bankar, kurse ka përfunduar me 445 milionë euro. Këtu një kontribut të madh në rritjen e bilancit bankar kanë të hyrat vetanake të nivelit komunal të cilat janë grumbulluar nëpër vite”.

“Sa i përket deficitit, viti është përmbyllur me një deficit rreth 46 milionë euro deficit. Kemi edhe zvogëlim të faturave të faturave të papaguara. Shqetësuese mbetet rritja e detyrimeve kontingjente tek niveli qendror, pra kemi rritje enorme, që ka të bëjë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës i cili ka arritur në 77 milionë euro nga 17 sa ishte vite më parë. Shqetësuese poashtu ka qenë edhe Fondi për sigurime shëndetësore ku për shkak të faturave, një auditim që është bërë dhe një verifikim që po bëhet tani ka dalë që ka pas shumë zotime pa mbulesë nga ana e fondit nëpër vite dhe që rezultojnë në obligime më të larta”.

“Në nivelin lokal vërehet Komuna e Prishtinës e cila poashtu nga 9 milionë euro në vitin paraprak, aktualisht në fund vitit 2022 ka detyrime kontingjente në vlerë prej 79 milionë euro, edhe këtu ka rritje enorme. Sa i përket punësimit në nivelin qendror dhe lokal, kemi reduktim të numrit të stafit, nga mbi 81 mijë, në fund të 2022 ky numër është 80 mijë e 86, kemi reduktim prej 1604 persona. Shqetësuese është kontrata për shërbime të veçanta. Sa i përket raportit që përfundimisht ka pas një epilog rasti gjyqësor sa i përket vjedhjes së shumë për 2 milionë euro”.