“Askush nuk po i sulmon serbët në veri të Kosovës” – kështu ka reaguar Qeveria e Kosovës ndaj kërkesës së Listës Serbe që kryeministri Albin Kurti ta ndalë “represionin”.
Edhe pse kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë – nuk ka ofruar ndonjë provë për represionin e përmendur, ajo ka paralajmëruar se nëse ai nuk ndalet, serbët, nisur nga 1 qershori, “do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”.
Këto paralajmërime janë bërë më 19 maj, në ditën kur Erden Atiq, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka marrë mandatin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe.
Lista Serbe nuk ka saktësuar se çfarë do të thotë “mbrojtje me të gjitha mjetet”, por Verolub Petroniq, nga Qendra Humane në Mitrovicë, beson se ka shumë gjasa që të bëhet fjalë për protesta qytetare.
Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, thotë se autoritetet e Kosovës duhet të jenë të kujdesshme dhe “të mos krijojnë shkak” për trazira në veri të Kosovës.
Disa ligjvënës kosovarë, në anën tjetër, e cilësojnë paralajmërimin e Listës Serbe si kërcënim në adresë të autoriteteve të Kosovës.
Çfarë ka paralajmëruar saktësisht Lista Serbe?
Kryesia e Listës Serbe ka njoftuar se nga 1 qershori pjesëtarët e komunitetit serb do të mbrohen “me të gjitha mjetet kundër represionit të Qeverisë së Kosovës”, duke thënë se “pushtimi i veriut” ka filluar me marrjen e postit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut.
Si “represion”, Lista Serbe e sheh procesin e “shpronësimit në veri nga Qeveria e Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve lokale në atë rajon dhe ndjekjen penale apo arrestimin e serbëve nga autoritetet kosovare”.
Atiq është një nga katër kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Ata i kanë fituar zgjedhjet e jashtëzakonshme muajin e kaluar, pasi komuniteti serb i ka bojkotuar ato.
“Edhe ky pushtim, si çdo tjetër, ka fillimin dhe fundin e tij. Do të përfundojë kur ta duan serbët”, ka thënë nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, në një konferencë për gazetarë më 19 maj.
Ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se me çfarë mjetesh planifikojnë të mbrohen, por ka thënë se serbët kanë kohë që po përballen me “dhunë institucionale”.
Përgjigjja e Qeverisë së Kosovës
Qeveria e Kosovës thotë se “serbët e Kosovës, në veçanti ata në veri të vendit, janë më së shumti të rrezikuar nga vetë Lista Serbe dhe grupet kriminale që veprojnë nën diktatin e Beogradit zyrtar”.
“Respektimi i ligjit dhe kushtetutshmëria nuk paraqesin rrezik për qytetarin tonë që është i interesuar për rend dhe shërbime komunale. Të dyja këto i kanë munguar, për shkak të veprimeve dhe interesave të Listës Serbe… Ne duam sundim të ligjit dhe respektim të demokracisë që garanton paqe dhe siguri”, thuhet në një deklaratë dërguar REL-it nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Kërcënim apo kurth?
Disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët janë pjesë e Komisionit parlamentar për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, thonë se ultimatumi i Listës Serbe është kërcënim ndaj institucioneve të Kosovës. Megjithatë, ata thonë se lidhur me këtë çështje, deri më tash, nuk kanë ftuar asnjë nga drejtuesit e dikastereve dhe institucioneve të sigurisë, për t’i informuar më hollësisht.
Kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha, i cili vjen nga radhët e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e sheh ultimatumin e Listës Serbe si tentim për t’i futur në grackë institucionet e vendit.
“Po si nuk është kërcënim? Të reagosh pastaj ndaj kërcënimit dhe të përshkallëzohet situata? Këtë duhet ta menaxhojnë këta që janë në pushtet”, thotë Berisha.
Nënkryetari i Komisionit parlamentar për siguri dhe mbrojtje, Enver Dugolli, nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, thotë se ky komision do të ftojë drejtues dikasteresh përgjegjëse, në rast se konsideron se nevojitet raportim.
“Tani për tani nuk shohim arsye, për shkak se Qeveria dhe institucionet dhe ministritë e linjave po i kryejnë punët duke u bazuar në ligj”, thotë Dugolli.
Megjithatë, Rashit Qalaj, anëtar i Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se ultimatumi i Listës Serbe duhet trajtuar me seriozitet nga Qeveria.
“Unë mendoj që ky kërcënim i Listës Serbe nuk është sa ‘për sy e faqe’. Unë mendoj që ajo është duke planifikuar diçka. Mirëpo, situata do të varet nga bisedimet në Bruksel [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi] dhe nga qëndrimi i Beogradit në raport me serbët lokalë [në veri të Kosovës”, thotë Qalaj.
Popov: Kosova të mos i japë alibi Vuçiqit
Aleksandar Popov, drejtues i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, vlerëson se autoritetet e Kosovës duhet të jenë të vëmendshme ndaj mesazheve që ka dërguar Lista Serbe, e cila gëzon mbështetje nga autoritetet në Beograd.
“Mendoj se Prishtina duhet të kujdeset për sundimin e ligjit, por ajo të mos nxisë ose të mos japë alibi për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës – qoftë me shpronësimin që ka nxitur revoltën e serbëve të atjeshëm dhe as me ndonjë veprim tjetër. Palët duhet të përmbahen dhe të mos bëjnë veprime të njëanshme, sidomos të tilla që mund ta radikalizojnë situatën edhe më tej, sepse gjërat pastaj mund të shkojnë tepër larg”, thotë Popov.
Sipas tij, ekziston përshtypja se Kosova dhe Serbia duan t’i shmangen zbatimit të një marrëveshjeje të re për normalizimin e marrëdhënieve, e cila është arritur në muajin mars në Ohër, duke krijuar pretekste të ndryshme.
Në këtë kontekst, një tensionim i situatës në veri të Kosovës, thotë Popov, i konvenon presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pushteti i të cilit, javëve të fundit, po përballet me protesta, për shkak të dy vrasjeve masive që kanë ndodhur në Serbi.
“Pas një kohe mjaft të gjatë, Vuçiqi është tronditur mjaft në terrenin vendor me këto protestat që po ndodhin tash. Ai ka paralajmëruar edhe kundërtubim. Atij, madje, i konvenon që vëmendja të kthehet kah çështja e Kosovës, duke thënë ‘ja, ju tash po e dobësoni Serbinë dhe regjimin, ndërkaq në veri të Kosovës po rrezikohen të drejtat e serbëve’”, thotë Popov.
Çfarë pritet më 1 qershor?
Verolub Petroniq, nga Qendra Humane në Mitrovicë, e cila merret me çështjet e sigurisë, vlerëson se njoftimet e Listës Serbe u referohen protestave sociale. Ai thotë se ato mund të rrezikojnë sigurinë e njerëzve dhe të institucioneve të Kosovës.
“Nëse ka protesta sociale në një shkallë më të gjerë, gjithmonë ekziston mundësia që dikush nga turma të bëjë diçka kundër institucioneve”, thotë Petroniq.
Ai nuk e përjashton mundësinë e destabilizimit në terren, duke shtuar se situata varet edhe nga Bashkimi Evropian, se sa presion do të ushtrojë mbi Prishtinën dhe Beogradin.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar BE-së me pyetjen se si e komenton paralajmërimin e Listës Serbe se do të “mbrohet me të gjitha mjetet nga 1 qershori”, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.
Më herët, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, ka shprehur frikë për përshkallëzimin e mundshëm të situatës në veri të Kosovës.
Borrell u ka bërë thirrje palëve që të gjejnë një zgjidhje, e cila do të mundësonte kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës në veri.
Ata i kanë braktisur institucionet qysh në fillim të nëntorit, për shkak të një plani të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në targa të Kosovës.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëSerwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Pyjet e Kosovës në zhdukje: Çka tregojnë pamjet satelitore?
Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të Armatosura të Kanadasë – flasin për shkëmbimin e kadetëve dhe stërvitjet e përbashkëta
Darka e Lamës në Llukë të Deçanit, Haradinaj: Shenjë e jona që na bashkon
Autobusi nga Maqedonia rrëshqiti në autostradën në Serbi
Boshatisen qendrat e emigrantëve! Operatorët largohen nga Shëngjini e Gjadri
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj