LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i luftëtarëve që kanë shkuar në pyjet e Ukrainës, për t’u përgatitur për kundërofensivën e radhës ndaj rusëve

Rrëfimi i luftëtarëve që kanë shkuar në pyjet e Ukrainës, për t’u përgatitur për kundërofensivën e radhës ndaj rusëve

Luftëtarët nisen në agim, me pushkët në krahë, me busull në dorë dhe ‘zhduken’ në gjelbërimin e harlisur të pyjeve të dendura të Ukrainës qendrore.

Ata po stërviten për një fushatë ushtarake të shumëpritur që Ukraina shpreson se do të ndryshojë momentin e luftës së saj me Rusinë, përcjell Telegrafi.


Është një kurs përplasjeje në taktikat e reja të sulmit për skuadrën e Gardës Kombëtare, një përzierje vullnetarësh moshat e të cilëve variojnë nga 22 deri në 51 vjeç.

Skuadra është pjesë e një brigade që është zgjedhur për t’u përgatitur për një kundërofensivë dhe i ka pasur vetëm disa muaj për tu trajnuar për gjëra të reja.

Sipas tyre, ushtarakët kanë disa vështirësi, por ata thanë se kur të vijë koha, ata do të jenë gati për të luftuar.

Associated Press iu bashkua një njësie të Stalevy Kordon ose Steel Border, një brigadë e Gardës Kombëtare të Ukrainës.

Mbi një vit që kur Rusia filloi agresionin mbi Ukrainë, linjat e frontit të luftës kanë qenë të paqëndrueshme për muaj të tërë, me forcat ruse që mbajnë gati një të pestën e vendit.

SHBA-të dhe aleatët e tjerë kanë ndihmuar arsenalin e Ukrainës me armatim modern, por mungesat kritike të municioneve dhe fuqisë njerëzore vazhdojnë.

Njerëzit e skuadrës dhe drejtuesit e saj, nuk e kanë idenë se kur dhe ku do të fillojë kundërsulmi. Por ata e dinë se nuk kanë shumë kohë për t’u përgatitur.

“Ne po përgatitemi për aksione të mëdha tani. Askush nuk do të na tregojë se çfarë janë. Ne marrim një urdhër – ndoshta nesër, ndoshta brenda një muaji, nuk e dimë – të shkojmë në pikën ‘X’”, ka thënë një nga drejtuesit e skuadrës, i njohur me shenjën e tij të thirrjes Grunwald. “Ne po përgatitemi çdo ditë”.

Njësia foli me AP me kushtin që ata të identifikoheshin vetëm me emra ose shenja thirrjeje dhe që rajoni ku po zhvillohen trajnimet të mos tregohej.

Ndërkohë ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov ka thënë se përgatitjet për avancimin “po i afrohen fundit”. Megjithatë, detajet përtej kësaj janë të pakta.

“Sapo të jetë vullneti i Zotit, moti dhe vendimi i komandantëve, ne do ta bëjmë atë”, shtoi Reznikov në një konferencë në internet të premten.

E në pyll, ushtarakët ecin me kujdes, ndërsa sytë dhe veshët e tyre qëndrojnë vigjilent për shenjat e dronëve të armikut ose automjeteve që kalojnë.

Çdo disa minuta ata ndalojnë për të vlerësuar tingujt e pazakontë, duke u ulur poshtë dhe të gatshëm për të qëlluar.

Serhii, një ish-oficer pi duhan dhe kontrollon busullën e tij çdo disa metra. Ata duhej të kalonin 8 kilometra (rreth 5 milje) për dy orë, por ata kanë ecur për gati tre orë tashmë.

Ata ndalojnë për një pushim nën hijen e pishave gjigante. E Roma, ndër luftëtarët më të rinj atje, është i shqetësuar.

“Unë mendoj se kemi shkuar shumë larg”, ka thënë ai.

Testi i ditës, i përgatitur nga Grunwald, përmban shumë elementë, por më e rëndësishmja, luftëtarët nuk duhet të shihen.

Grunwald aktualisht po përpiqet të mbledhë para për të blerë drone më të avancuar që do të ishin më të lehtë për t’u përdorur, në mënyrë ideale ato që mund të mbajnë bomba.

Por çdo ushtarak i pyetur tha se do të ishte gati kur të urdhërohej për betejë.

“Në fillim të luftës nuk dinim asgjë, por tani jemi më me përvojë”, tregon Serhii. “Të gjitha këto trajnime po na bëjnë më të mprehtë. Ne do të jemi gati”.

Pas një devijim të gjatë, anëtarët e skuadrës përfundimisht gjejnë rrugën e tyre drejt pikës ku niset droni i zbulimit për të identifikuar pozicionet e armikut. Koordinatat i kalohen njësisë së sulmit. /Telegrafi/