LAJMI I FUNDIT:

Ramadani: Serbisë i duhet veriu i Kosovës të mbetet konflikt i ngrirë

Ramadani: Serbisë i duhet veriu i Kosovës të mbetet konflikt i ngrirë

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë posedon informacione se në Rashkë të Serbisë po zhvillohen stërvitje me qëllim të destabilizimit të veriut të Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar Ganimete Musliu, kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e kësaj Agjencie.

Ajo tha se këtë informacion e kanë marrë nga drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti , i cili raportoi sot para Komisionit.


Ndërkohë, ish Kryeinspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, deklaroi në emisionin “Info Plus” në RTK se Serbia synon t’u ikë marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel e Ohër.

Ai tha se Institucionet e Kosovës duhet të ndërtojnë platformë shumë më efektive të shpjegimit të situatës reale në teren, për të gjithë partnerët strategjikë. Sipas tij, situata në pjesën veriore kërkon edhe planifikim të mirë.

Ramadani deklaroi se Rusia ka interes të qartë që zona e Ballkanit Perëndimor të vazhdojë të thellohet në mënyrë që vëmendja e partnerëve perëndimorë të zhvendoset edhe në zona të tjera.

Ai tha se një nga palët më të pakënaqura për zbatimin marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë është Rusia, sepse ajo e përdorë Serbinë si një mashë për të nxitur veprime të ndryshme jashtë territorit të saj.

Ramadani u shpreh se ndikimi i Rusisë edhe në institucionet e Serbisë është i madh, sidomos pas emërimit të Aleksandar Vulinit në krye të inteligjencës serbe.

Ai u shpreh se është shumë e qartë se mbajtja e situatës së tensionuar në veri të Kosovës, shkon në favor të Serbisë.

“Ajo po dëshmon se ka ndikim të madh në atë zonë. Për ta ndryshuar situatën, institucionet e Kosovës duet të ndërmarrin fushatë informuese për ta sqaruar mirë e saktë në detaje dhe konkretisht se si Serbia është duke hyrë në Kosovë përmes çështjeve të sigurisë, e si Rusia përmes grupit Ëagner synon mbajtjen e rajonit të tensionuar”, tha Ramadani.

Sipas tij, Serbia synon që veriu i Kosovës të mbetet zonë e ngrirë e konfliktit.