LAJMI I FUNDIT:

Kontesti i mandatit të deputetit dhe presidentes – çfarë po ndodh?

Kontesti i mandatit të deputetit dhe presidentes – çfarë po ndodh?

Një ankesë e parashtruar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës në lidhje me legjitimitetin e mandatit të një deputeti të Kuvendit të Kosovës ka ngjallur debat dhe pikëpyetje në Kosovë në lidhje me atë se a mund të rrezikohet mandati i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndonëse Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim në lidhje me ankesën në fjalë, në media është përfolur se nëse konstatohet që mandati i deputetit të zgjedhur më 2021 është i jashtëligjshëm, atëherë edhe vota e tij apo pjesëmarrja në seancën për zgjedhjen e presidentes, mund të konsiderohet e pavlefshme.

Si ka rrjedhur problematika dhe çfarë saktësisht do të thotë kjo për mandatin e presidentes Osmani mund të lexoni më poshtë në pika të shkurtra.


Pse po kontestohet mandati i deputetit?

Kuvendi i Kosovës ka 20 vende të garantuara për komunitetet joshumicë.

Ndër to, 10 janë të garantuara për komunitetin serb, tri për komunitetin boshnjak, dy për komunitetin turk dhe një për komunitetin goran.

Ndërkaq, për përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian janë të garantuara nga një ulëse, si dhe një ulëse shtesë për njërën nga këto komunitete, që fiton më së shumti vota.

Më 14 shkurt 2021, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme për Kuvend.

Sipas rezultateve fillestare të këtyre zgjedhjeve, partia e quajtur Iniciativa Rome, kishte fituar dy mandate të deputetëve në Kuvend (njëra për komunitetin rom, si dhe ulësja tjetër që është e garantuar për tri komunitetet varësisht nga votat).

Disa parti nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian më 5 mars 2021 bënë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP), duke pretenduar se zgjedhjet ishin manipuluar pasi që partia Iniciativa Rome kishte marrë vota në s’përputhje me numrin e banorëve romë nëpër komuna.

Çfarë ndodhi pas ankesës?

Më 7 mars 2021, PZAP-ja mori një vendim për ankesën e partive duke e pranuar pjesërisht këtë ankesë.

Si rrjedhojë, partisë Iniciativa Rome iu anuluan votat në disa komuna, duke bërë që të humbasin mandatin e deputetit që ishte garantuar për tri komunitetet (rom, ashkali, egjiptian), varësisht nga votat.

Megjithatë, partive ankuese iu refuzua kërkesa që votat për Iniciativën Rome të anuloheshin edhe në disa komuna të tjera, përkatësisht në komunat Graçanicë, Kamenicë dhe Mitrovicë Veriore.

Sipas ankuesve, edhe në këto komuna pati mospërputhje të votave për partinë Iniciative Rome me numrin e banorëve romë në këto komuna.

Gjykata Supreme, që është shkalla më e lartë vendimmarrëse pas PZAP-së, refuzoi ankesat e partive në lidhje me vendimin e PZAP-së, duke e lënë në fuqi këtë vendim.

Kështu, në Kuvend nga viti 2021, Iniciativa Rome përfaqësohet vetëm nga deputeti Fadil Gashi.

Çfarë i është kërkuar Gjykatës Kushtetuese?

Pas vendimit të Gjykatës Supreme, disa përfaqësues të partive të komuniteteve rom e egjiptian, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, më 13 prill 2021.

Në këtë ankesë ata pretendojnë se ka pasur shkelje kushtetuese në rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe vendimeve, përmes së cilave nuk janë anuluar edhe votat në tri komunat e lartcekura.

Ata argumentojnë se vendet e garantuara për komunitetet pakicë në Kuvend duhet të derivojnë nga votat e po atij komuniteti. Përndryshe, llogaritet se këto komunitete pakicë nuk kanë përfaqësim adekuat në Kuvend, siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës.

Këta ankues i kanë thënë Gjykatës se në qoftë se vërtetohet se deputeti aktual i Iniciativës Rome po e mban mandatin në mënyrë jokushtetuese, ai duhet të largohet nga Kuvendi.

Gjykata Kushtetuese deri më tani nuk ka marrë vendim lidhur me këtë ankesë.

Çfarë ndodh nëse ankesa aprovohet?

Anulimi i votave të mbetura për Iniciativën Rome do të thotë se kjo parti do të humbte edhe mandatin e vetëm që e ka në Kuvend.

Në ankesën që është dërguar në Kushtetuese shtjellohet se: Nëse deputeti aktual, Fadil Gashi, humb mandatin e tij, vendin e tij do ta zinte deputeti Erxhan Galushi, që aktualisht mban mandatin e garantuar për tri komunitetet (rom, ashkali, egjiptian) varësisht nga votat.

Kështu, në ulësen e mbetur do të vinte një deputet tjetër nga radhët e tri komuniteteve, me më së shumti vota.

Pse po lidhet kjo çështje me mandatin e presidentes Osmani?

Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Kosovës më 4 prill të vitit 2021, me 71 vota për dhe me 82 deputetë të pranishëm në sallën plenare.

Votimi për presidenten është i fshehtë. Megjithatë, në seancën e Kuvendit kur ishte zgjedhur përfundimisht Vjosa Osmani kishte qenë i pranishëm edhe deputeti i Iniciativës Rome, Fadil Gashi.

Disa ditë më parë, gazeta10 kishte raportuar se mandati i presidentes mund të jetë në rrezik nëse mandati i deputetit të Iniciativës Rome del të jetë jolegjitim.

Kjo çështje u tematizua në shumë media, shpesh duke u ndërlidhur edhe me vendimin e dhjetorit të vitit 2020 nga Gjykata Kushtetuese, e cila e rrëzoi Qeverinë e atëhershme të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Vendimi i Kushtetueses atëherë ishte bazuar në ankesën që kishte bërë Lëvizja Vetëvendosje, e cila kërkoi interpretim për votën e një deputeti nga radhët e pakicave, i cili ishte i dënuar me vendim të prerë të Gjykatës.

Kjo votë e deputetit Ethem Arifi ishte ndër votat që ia mundësoi Avdullah Hotit të zgjidhet kryeministër i Kosovës.

Ehat Miftaraj, ekspert ligjor nga Instituti Kosovar për Drejtësi, në një mendim të postuar në rrjetin social Facebook, ka vlerësuar se edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos pozitivisht ndaj kërkesës aktuale, “nuk mund të rrezikohet mandati i presidentes së Republikës apo Qeverisë”.

Ai ka thënë se tashmë “kanë kaluar afatet kohore kur ka qenë e mundur të kontestohet ligjshmëria e zgjedhjes së presidentes së Republikës”.

Ai, gjithashtu, ka thënë se në këtë rast nuk mund të bëhen krahasime me rastin e Qeverisë Hoti, pasi, sipas tij, kërkesa e atëhershme ishte bërë direkt lidhur me ligjshmërinë e zgjedhjes së Qeverisë, ndërsa në këtë rast është kontestuar vetëm ligjshmëria e mandatit të deputetit.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka paraparë tre skenarë kur presidenti i vendit mund të shkarkohet:

-Nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë;

-Nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë;

-Si dhe në rastin kur Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës. /REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Kalo në kategori