LAJMI I FUNDIT:

Ushtarët rusë regjistruan një mesazh për Putinin: Nuk e dimë se cilës njësi i përkasim

Ushtarët rusë regjistruan një mesazh për Putinin: Nuk e dimë se cilës njësi i përkasim

Një video e ushtarëve rusë që shprehin pakënaqësinë e tyre për problemet në forcat e armatosura ruse, është përhapur në internet.

Anton Gerashchenko, këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës, e ndau videon në Twitter, transmeton Telegrafi.

Ai pretendon se pamjet tregojnë forcat e mobilizuara ruse duke transmetuar një sërë ankesash ndërsa qëndrojnë në borë.


Një ushtar qëndron përballë pjesës tjetër të grupit dhe lexon një mesazh drejtuar presidentit rus Vladimir Putin dhe guvernatorit të rajonit Omsk, Alexander Burkov.

“Kërkojmë që kjo situatë të zgjidhet. Jemi ushtarë të mobilizuar nga qyteti Omsk, regjimenti 504 i tankeve, njësia ushtarake nr. 83444”, fillon mesazhi.

Ata pretendojnë se ishin trajnuar si operator të tankeve në Omsk përpara se të dërgoheshin në qytetin Chebarkul në rajonin Chelyabinsk, për stërvitje të mëtejshme në poligonin e artilerisë.

Më pas ata u kthyen në Omsk, por nuk iu dha trajnimi shtesë që prisnin, por u dërguan në lindje të Ukrainës më 5 janar.

Ata theksojnë se pasi mbërritën në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetskut, u caktuan në grupe të ndryshme dhe se nuk kishin më komunikim me komandën e tyre.

“I vetmi oficer që mbeti me ne, shefi i artilerisë, tha: ‘Unë nuk jam komandanti juaj, unë jam shefi i artilerisë. Dhe nuk ka më artileri sepse regjimenti i tankeve 504 është shpërbërë dhe tani ne i përkasim Ushtrisë së Republikës Popullore të Donetskut”, thanë ushtarët rusë në mesazh.

Ushtari shpjegon se pas kësaj ata janë rikualifikuar si këmbësori, por se pas vetëm disa udhëtimesh në poligon u janë kërkuar para për karburant.

Mospagimi nënkuptonte dërgimin në vijën e parë. Ai shtoi se letërnjoftimet e tyre ushtarake janë mbledhur dhe vulosur pa asnjë datë, numër urdhri apo nënshkrim komandanti.

“Ne nuk e dimë kush është komandanti ynë dhe cilës njësi i përkasim”, tha ushtari rus, duke theksuar se nuk ka pasur “asnjë komunikim” mes komandantit të regjimentit të tij dhe shefit të shtabit, i cili është nënkolonel.

Pamjet vijnë pas muajsh raportimesh për moral të ulët mes ushtarëve rusë, dhe një rritje të numrit të viktimave midis forcave ruse, raporton Newsweek. /Telegrafi/