LAJMI I FUNDIT:

Ekipit të FSK-së në Turqi sonte do t’i shtohet edhe një grup tjetër nga Garda Kombëtare

Ekipit të FSK-së në Turqi sonte do t’i shtohet edhe një grup tjetër nga Garda Kombëtare

Këtë të premte, kryeministri Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj kanë vizituar bazën ushtarake të KFOR-it turk në Prizren. Në këtë takim është njoftuar se sonte (të premten e 10 shkurtit) ekipit të FSK-së në Turqi do t’i shtohet edhe një grup tjetër nga Garda Kombëtare.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti dhe ministri Mehaj shprehën edhe një herë ngushëllimet më të thella për viktimat e tërmetit shkatërrues të së hënës.

“Republika e Kosovës dhe populli i saj janë pranë Republikës së Turqisë dhe popullit turk, në gatishmërinë më të lartë për mbështetje”, ka thënë Kurti.


Kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga specialistë të kërkim-shpëtimit urban, mjekësisë emergjente dhe njësitet e K9, tashmë janë në zonat e goditura nga tërmeti.

Ndërkaq, sonte ekipit të FSK-së në Turqi do t’i shtohet edhe një grup tjetër nga Garda Kombëtare.

Vetë Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka njoftuar se është nisur dhe një ekip tjetër në Turqi  për të mbështetur operacionet e Kërkim-Shpëtimit të kontingjentit të FSK-së, në Zonën e Operacionit në Turqi.  FSK ka njoftuar se ekipi i përbërë nga oficer e nënoficer do t’i bashkohet kontingjentit për të mbështetur operacionet me personel dhe pajisje specialistike të punës që do të ndihmojnë në zhvillimin sa më efikas të operacioneve.

“Është nisur sot edhe një ekip e Forcës së Sigurisë së Kosovë, për të mbështetur operacionet e Kërkim-Shpëtimit të kontingjentit të FSK-së, në Zonën e Operacionit në Republikën e Turqisë. Ekipi i përbërë nga oficer e nënoficer do t’i bashkohet kontingjentit për të mbështetur operacionet me personel dhe pajisje specialistike të punës që do të ndihmojnë në zhvillimin sa më efikas të operacioneve”, ka njoftuar FSK.

Ndërsa, gjatë vizitës KFOR-it turk, u tha se “solidarizimit dhe mbështetjes institucionale i janë bashkëngjitur edhe qytetarët e Republikës të cilët në baza vullnetare dhe humanitare kanë filluar të dërgojnë ndihma për popullit turk”.

Gjatë kësaj vizite, Kurti pa nga afër grumbullimin dhe paketimin e ndihmave të destinuara për zonat me më së shumti nevojë.​

Në bazën ushtarake të KFOR-it turk në Prizren, Kurti u prit nga Komandanti i Kontingjentit Turk, Kolonel Recai Yılmaz, Konsulli i Përgjithshëm i Konsullatës Turke në Prizren, Celal Doğan dhe zëvendësambasdorja e Turqisë në Kosovë, Şeyda Aydın Çimenli dhe atasheu ushtarak i Turqisë në Kosovë, Kolonel Çağdaş Akif Kahraman./Telegrafi/