LAJMI I FUNDIT:

Çfarë mund të bëjë sistemi i raketave Patriot për Ukrainën?

Çfarë mund të bëjë sistemi i raketave Patriot për Ukrainën?

Sistemet e raketave Patriot kanë qenë prej kohësh të famshme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët në zonat e kontestuara të botës si një mburojë e çmuar kundër raketave që sulmojnë. Në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Paqësor, ato mbrojnë nga sulmet e mundshme nga Irani, Somalia dhe Koreja e Veriut.

Pra, ishte një pikë kthese kritike kur lajmet dolën këtë javë se SHBA-ja ka rënë dakord të dërgojë një njësi të qitjes raketash (bateri) Patriot në Ukrainë – diçka që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka kërkuar prej muajsh për të rritur mbrojtjen ajrore të vendit të tij, raporton Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

Zyrtarët amerikanë e kanë konfirmuar marrëveshjen dhe së shpejti pritet një njoftim zyrtar. Por ekspertët paralajmërojnë se efektiviteti i sistemit është i kufizuar dhe mund të mos jetë ‘ndryshim loje’ në luftë.


Një vështrim se çfarë është sistemi dhe çfarë është gjendje të bëjë.

Çka është sistemi Patriot?

Patriot është një sistem raketash me drejtim tokë-ajër që u mobilizua për herë të parë në vitet 1980 dhe mund të vë në cak aeroplanë, raketa lundrimi dhe raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.

Çdo njësi qitjeje Patriot (bateri) përbëhet nga një sistem lansimi i montuar në kamion me tetë lëshues që mund të mbajnë deri në katër interceptorë raketash secili, një radar tokësor, një stacion kontrolli dhe një gjenerator. Ushtria amerikane thotë se aktualisht ka 16 batalione Patriot. Një raport i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike të vitit 2018 zbuloi se ato batalione operojnë me 50 bateri, të cilat kanë më shumë se 1,200 përgjues raketash.

Bateritë amerikane mobilizohen rregullisht në mbarë botën. Përveç kësaj, sistemet Patriot amerikane përdoren ose blihen nga Holanda, Gjermania, Japonia, Izraeli, Arabia Saudite, Kuvajti, Tajvani, Greqia, Spanja, Koreja e Jugut, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Rumania, Suedia, Polonia dhe Bahreini.

Sistemi Patriot “është një nga sistemet e mbrojtjes raketore ajrore që përdoret më së shumti” dhe aftësia e mbrojtjes së raketave balistike të quajtur “teatër” mund të ndihmojë në mbrojtjen e Ukrainës kundër raketave balistike të furnizuara nga Irani, tha Tom Karako, drejtor i Projektit të Mbrojtjes Raketore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Çmimi i sistemit Patriot

Gjatë viteve, sistemi Patriot dhe raketat janë modifikuar vazhdimisht. Raketa aktuale ‘interceptore’ për sistemin Patriot kushton afërsisht 4 milionë dollarë për raund dhe lëshuesit kushtojnë secila rreth 10 milionë dollarë, raportoi CSIS në raportin e tij të mbrojtjes raketore të korrikut. Me atë çmim, nuk ia vlen të përdoret Patriot për të rrëzuar dronët iranianë shumë më të vegjël dhe në mënyrë dramatike më të lira që Rusia ka blerë dhe përdorur në Ukrainë.

“Gjuajtja e një rakete milion dollarëshe në një dron 50,000 dollarë është një opsion i humbur”, tha Mark Cancian, një kolonel rezervë i Korpusit të Marinës në pension dhe këshilltar i lartë në CSIS.

Shqetësimet e vendosjes

Një njësi qitjeje (bateri) Patriot mund të ketë nevojë për deri në 90 trupa për ta operuar dhe mirëmbajtur atë, dhe për muaj të tërë SHBA-ja hezitonte të siguronte sistemin kompleks, sepse dërgimi i forcave në Ukrainë për ta operuar atë nuk është një nismë për administratën e presidenti amerikn Joe Biden.

Por kishte gjithashtu shqetësime se vendosja e sistemit do të provokonte Rusinë, ose rrezikonte që një raketë e lëshuar të përfundonte duke goditur brenda Rusisë, gjë që mund të përshkallëzonte më tej konfliktin. Sipas zyrtarëve, lutjet urgjente të liderëve ukrainas dhe shkatërrimi i infrastrukturës civile të vendit, duke përfshirë humbjen e energjisë elektrike dhe ngrohjes ndërsa dimri vjen, përfundimisht kapërceu rezervat e SHBA për furnizimin e Patriotëve.

Një pengesë kryesore do të jetë trajnimi. Trupat amerikane do të duhet të trajnojnë forcat ukrainase se si të përdorin dhe mirëmbajnë sistemin. Ushtarët e ushtrisë të caktuar në batalionet Patriot marrin një trajnim të gjerë për të qenë në gjendje të lokalizojnë në mënyrë efektive një objektiv, të kyçen me radar dhe zjarr.

SHBA ka trajnuar trupat ukrainase në sisteme të tjera komplekse të armëve, duke përfshirë Sistemet Raketore të Artilerisë së Lartë të Lëvizshmërisë, të njohur si HIMARS. Në shumë raste ata kanë qenë në gjendje të shkurtojnë stërvitjen, duke nxjerrë trupat ukrainase në frontin e betejës brenda javësh. Zyrtarët nuk kanë pranuar të japin detaje se sa do të zgjasë trajnimi për përdorimin e sistemeve Patriot dhe ku saktësisht do të bëhet.

Aftësitë e sistemit Patriot

Ukraina përballet me një sërë kërcënimesh ruse dhe sistemi Patriot është mirë kundër disa sulmeve dhe jo aq i dobishëm kundër të tjerave.

Një ish-zyrtar i lartë ushtarak me njohuri për sistemin Patriot tha se do të jetë efektiv kundër raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi dhe përfaqëson një mesazh të fortë të mbështetjes së SHBA-së, por një bateri nuk do të ndryshojë rrjedhën e luftës.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti sepse marrëveshja me Ukrainën nuk është bërë ende publike, vuri në dukje se një bateri Patriot ka një rreze të gjatë qitjeje, por mund të mbulojë vetëm një zonë të gjerë të kufizuar. Si shembull, sistemet Patriot mund të mbrojnë efektivisht një bazë të vogël ushtarake, por nuk mund të mbrojnë plotësisht një qytet të madh si Kievi. Ato mund të siguronin mbulim vetëm për një segment të një qyteti.

Sistemet Patriot shpesh vendosen si një batalion, që përfshin katër bateri. Ky nuk do të jetë rasti me Ukrainën, për të cilën zyrtarët thanë se do të merrte një bateri.

Patriot ka një radar më të fuqishëm që është më i mirë në zënien e objektivave sesa sistemi S-300 i epokës sovjetike që kanë përdorur ukrainasit, por ai ka kufizime, thanë Karako dhe Cancian.

Megjithatë, aftësia e Patriot për të shënjestruar disa raketa balistike dhe aeroplanë mund të mbrojë potencialisht Kievin nëse presidenti rus Vladimir Putin do të zbatonte kërcënimin e tij të vazhdueshëm për të vendosur një pajisje taktike bërthamore. Por kjo do të varet nga mënyra se si është dorëzuar arma, tha Karako. Nëse do të ishte një bombë graviteti e dorëzuar nga një aeroplan luftarak, sistemi mund të synonte aeroplanin; nëse do të ishte një raketë balistike me rreze të shkurtër dhe të mesme, ajo gjithashtu mund të kapte raketën, tha Karako.

Raytheon, që prodhon Patriot, thotë se ka qenë i përfshirë në 150 përgjime raketash balistike që nga viti 2015. Megjithatë, shkalla e suksesit të Patriot është vënë në pikëpyetje vazhdimisht. Një raport i Zyrës së Përgjegjësive të Qeverisë i vitit 1992 tha se nuk mund të gjente prova për të mbështetur raportet se sistemi kishte arritur një shkallë suksesi prej 70 për qind kundër raketave Scud në Luftën e Gjirit. Në vitin 2018, suksesi i Arabisë Saudite në përdorimin e sistemeve Patriot kundër raketave të lëshuara nga rebelët Houthi në Jemen u vu në pikëpyetje kur u shfaqën video të sistemeve që dështonin.

Por përtej aftësive të sistemit Patriot, vendosja e sistemit është një deklaratë e madhe mbështetjeje për Ukrainën.

“Ka shumë simbolikë këtu”, tha Cancian. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
BE-ja ka ndryshuar rregullat për bagazhet e dorës - si do të ndikojë kjo tek udhëtarët?

BE-ja ka ndryshuar rregullat për bagazhet e dorës - si do të ndikojë kjo tek udhëtarët?

Evropa
Sulm me dronë ujor në portin rus në Detin e Zi

Sulm me dronë ujor në portin rus në Detin e Zi

Evropa
Kush janë aleatët kryesorë të Donald Trump në Evropë?

Kush janë aleatët kryesorë të Donald Trump në Evropë?

Botë
Nëntë vjeçarja kureshtare zbulon meteorin që ndriçoi qiellin e Afrikës së Jugut, shkencëtarët nisin studimet

Nëntë vjeçarja kureshtare zbulon meteorin që ndriçoi qiellin e Afrikës së Jugut, shkencëtarët nisin studimet

Botë
Komandanti në pension i NATO-s vlerëson se aksioni në Kursk të Rusisë dëshmon se

Komandanti në pension i NATO-s vlerëson se aksioni në Kursk të Rusisë dëshmon se "Ukraina mund të ketë sukses edhe pa këshillat perëndimore"

Botë
I dyshuari për vrasjen e katër personave në një shkollë në Georgia, ishte intervistuar vitin e kaluar për kërcënim

I dyshuari për vrasjen e katër personave në një shkollë në Georgia, ishte intervistuar vitin e kaluar për kërcënim

Amerika
Kalo në kategori