LAJMI I FUNDIT:

Shtyhet vizita e paralajmëruar e zyrtarit amerikan Chollet në Kosovë, shkak infektimi i tij me COVID-19

Shtyhet vizita e paralajmëruar e zyrtarit amerikan Chollet në Kosovë, shkak infektimi i tij me COVID-19

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ishte planifikuar që sot të niste një vizitë zyrtare në Kosovë, së bashku me të dërguarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabirel Escobar.

Mirëpo, Chollet siç mëson Telegrafi nuk ka udhëtuar drejt Kosovës, duke bërë kështu që vizita e tij të anulohet.

Sipas burimeve të Telegrafit, institucionet e Kosovës janë njoftuar sot në mëngjes se arsyeja e shtyrjes së vizitës së Derek Chollet  ka ndodhur për shkak se ai është infektuar me Covid-19.


Chollet pritet që këtë vizitë në shtetet e rajonit ta realizoj në fillim të vitit 2023.

Ndryshe Telegrafi ka provuar të marrë edhe një konfirmim nga Qeveria, Presidenca dhe Ambasada Amerikane.

Gabirel Escobar ndërkaq pritet që pasdite sot të mbajë takim me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Takimi me presidenten Osmani do të mbahet në ora 14:30.

“Në orën 14:30, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu pret në takim zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, njëherësh të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftim.

Kurse siç ka njoftuar zyra e kryeministri, takimi Kurti-Escobar do të mbahet në orën 16:30.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/