LAJMI I FUNDIT:

Shakaxhiu i përparimit

Shakaxhiu i përparimit

Nga: Fan Noli (1923)

Shqiperise i ngjau me Ahmet Zogun siç i ka ngjarë një konti me Til Ulenshpigelin. Ky Nastradin i veriut kish marrë përsipër, me një shpërblim të lartë e të parapaguar, të stoliste me piktura kështjellën e kontit.

Këtë punë do ta mbaronte brenda në katër muaj, po vuri konditën që në këtë periudhë asnjë njeri tjatër nuk do të hynte brenda në kështjellë që t’i prishte qetësinë. Katër muajt me radhë Til Ulenshpigeli ndenji në kështjellë ku hante pinte e bënte qejf mbi kurrizin e kontit e nuk bëri asgjë.


Kur u mbarua afati, ftoi kontin, konteshën e miqtë e tyre të vinin të admironin “pikturat dhe dekoret” qe nuk ishin. Që të shpëtojë e të ikë, para se t’i zbulohej lodra, mejtoj këtë strategjemë: Kur hynë konti, kontesha e miqtë e tyre në kështjellë paralajmëroi kështu:

“Ata dhe ato prej jush që janë doçë e doçe nuk do të mundin dot t’i shohin pikturat e dekoratat që kam bërë”. Kështu hynë brenda në kështjellën dhe cilido përpiqej të lëvdonte “pikturat e dekoret” që nuk ishin, nga frika se mos quhej doç.

Vetëm një shërbëtore, pasi u përpoq më kot të shoh piktura e dekore, thirri: “Ndjestë pastë nëna ime, më ka bërë doçe, se unë nuk shoh asgjë”. Po gjersa të guxonin të thoshin edhe të tjerët që nuk shikonin asgjë, Ulenshpigeli kish’ fluturuar…

Kështu e mori përsipër Ahmet Zogu ta zbukuronte Shqipërinë dhe kështu na mbushi kokën me profkat e tij. Pak kohë pastaj, puna doli fyçkë dhe u kuptua prej të gjithëve. Po më të shumtit nuk guxonin ta thonin nga frika se mos quheshin “tradhëtorë”.

Një pakicë pati guximin ta thotë të vërtetën. Ajo pakicë do shtohet dhe nuk do jetë larg dita, kur do t’ia këndojnë A. Zogut këngën në këtë formë: Rroftë Ahmet Zogu, rroftë / Shakaxhiu i përparimit/ Brez pas brezi u kujtoftë / Si Stërnip i Nastradinit…”