LAJMI I FUNDIT:

U arrestua për kërcënim të kryetarit të Shtërpcës, lirohet nga paraburgimi i riu Danijel Vasiljeviq

U arrestua për kërcënim të kryetarit të Shtërpcës, lirohet nga paraburgimi i riu Danijel Vasiljeviq

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit që ta kthejë rastin në rivendosje, Gjykata Themelore në Ferizaj pas mbajtjes së seancës ka marrë vendim t’ia  ndërprejë paraburgimin të riut nga Shtërpca, Danijel Vasiljeviq, i cili ishte arrestuar në fillim të muajit shtator nën akuzën se ka kërcënuar dhe ngacmuar kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq dhe vajzën e tij.

Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur avokati Mentor Neziri, i cili tha se Danijel Vasiljeviq është i lirë.


“E kemi mbajtur seancën fillestare dhe i është ndërprerë paraburgimi. Është i lirë”, ka thënë avokati Neziri.

Ndryshe, i riu Danijel Vasiljeviq ishte arrestuar më 4 shtator nga Policia e Kosovës, dhe tri ditë pas, më 8 shtator, Gjykata Themelore në Ferizaj, kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij nën dyshimin se ka kryer vepër penale duke ngacmuar kryetarin e komunës, Dalibor Jevtiq dhe vajzën e tij përmes rrjeteve sociale.

Ndërsa, babai i tij, Gorani për Telegrafin pati thënë se djali i tyre është i pafajshëm dhe se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të deklaruar pafajësinë e tij.

Vasiljeviq ishte shprehur se rasti i djalit të tij është i motivuar politikisht “Danjelin e kanë burgosur serbët e jo shqiptarët”. /Telegrafi/