LAJMI I FUNDIT:

Komunat e Kosovës pa investime kapitale, bizneset pa punë

Komunat e Kosovës pa investime kapitale, bizneset pa punë

Mitrovica e Jugut është vetëm njëra nga komunat që gjatë këtij viti nuk ka nisur asnjë projekt kapital, të financuar nga Qeveria e Kosovës.

Në Ligjin për Buxhet të vitit 2022 parashihen dhjetëra projekte kapitale në këtë komunë, përfshirë shenjëzimin në komunikacion, rregullimin dhe riparimin e rrugëve, të shtretërve të lumenjve, pastaj investime në administratë, shëndetësi, arsim e deri te renovimi i stadiumit “Adem Jashari”.

Nënkryetari i komunës, Arian Tahiri konfirmon shkurtimisht se në asnjërin prej këtyre projekteve nuk kanë nisur punimet.


Sazan Ibrahimi, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, thotë se probleme nga mungesa e investimeve kapitale kanë gati të 38 komunat e vendit.

“Në mungesë të investimeve, as jeta e qytetarit nuk mund të përmirësohet. Në zhvillimin ekonomik lokal ndikon edhe qasja në rrugë, kanalizim, ujësjellës etj. Në mungesë të saj, pengohet edhe zhvillimi i kompanive private, të cilat janë promotorë jashtëzakonisht të mëdhenj të punësimit”, thotë Ibrahimi.

Në Komunën e Suharekës, e cila ndodhet rreth 80 kilometra larg Mitrovicës së Jugut, gjendet kompania private Eurofamis, e cila merret me ndërtimtari.

Pronari Ilir Bytyçi thotë se viteve të kaluara ka qenë i përfshirë në projekte kapitale të financuara nga shteti dhe se ka pasur mbi 120 punëtorë. Këtë vit thotë se nuk ka pasur oferta për tenderë dhe se numri i punëtorëve i ka rënë në 20.

“Përveç numrit të punëtorëve, edhe puna e biznesit është vështirësuar”, thotë Bytyçi.

Buxheti i shtetit të Kosovës këtë vit është mbi 2.7 miliardë euro. Nga kjo shumë, mbi 720 milionë euro janë planifikuar për shpenzime kapitale.

Në Raportin 6-mujor Financiar, të publikuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve thuhet se për projekte kapitale janë shpenzuar vetëm pak mbi 79 milionë euro dhe pranohet se ka normë më të ulët të ekzekutimit. Sipas MFPT-së, në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, për të njëjtin qëllim janë shpenzuar rreth 129 milionë euro, kurse në vitin 2020 rreth 92 milionë euro.

Nga vlerësimet e Institutit GAP, i cili monitoron punën e institucioneve të Kosovës, del se realizimi i investimeve kapitale në gjysmën e parë të vitit 2022 është më i ulëti në dekadën e fundit.

Qeveria e 'zero investimeve kapitale', kritikat e opozitës për mosrealizim – kjo është lista e plotë e projekteve
Lexo po ashtu Qeveria e 'zero investimeve kapitale', kritikat e opozitës për mosrealizim – kjo është lista e plotë e projekteve

Pse kanë rënë investimet kapitale?

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Financave për arsyen e mosekzekutimit të mjeteve për projekte kapitale, por nuk ka marrë përgjigje.

Në Raportin Financiar thuhet se norma e ulët e ekzekutimit “është kryesisht rezultat i dinamikës së pagesës së faturave të fundvitit fiskal 2021, të cilave u është dhënë prioritet që të paguhen para datës 31 dhjetor, 2021, dhe të mos barten në vitin vijues”.

“Bartja e pagesës së faturave të fundvitit në vitin vijues fiskal zakonisht jep një pasqyrë më të lartë të shpenzimeve kapitale për gjysmën e parë të vitit – gjë që nuk ka ndodhur këtë vit”, thuhet në raport.

Sipas tij, dinamika më e ulët e investimeve është edhe rezultat i ngadalësimit të punëve nga ana e operatorëve ekonomikë, për shkak të rritjes së çmimeve të materialit ndërtimor.

Për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna arsye e mosrealizimit të projekteve kapitale është, po ashtu, mosfunksionalizimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

“Aty ka qenë ajo hallka, ku për sa kohë, nuk ka qenë i kompletuar Bordi i OSHP-së…”, thotë Rafuna.

OSHP për më shumë se një vit nuk ka qenë funksional. Në qershor të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka votuar për përbërjen e re të bordit të tij.

Ky organ, që ndryshe njihet si Gjykata e Tenderëve, është institucioni kryesor që merret me shqyrtimin e tenderëve publikë.

Rafuna thotë se Qeveria duhet të gjejë mënyra për t’i zhbllokuar investimet kapitale, sepse ka rënë qarkullimi financiar i bizneseve. Sipas tij, dinamika e ulët e realizimit të investimeve rrit shkallën e papunësisë dhe, rrjedhimisht, zvogëlon mirëqenien e qytetarëve.

Mungesa e investimeve kapitale – përplasje ndërmjet LDK-së dhe Qeverisë për shifrat
Lexo po ashtu Mungesa e investimeve kapitale – përplasje ndërmjet LDK-së dhe Qeverisë për shifrat

Si mund të gjendet zgjidhja?

Sipas Rafunës, autoritetet kompetente duhet t’i ndihmojnë bizneset e angazhuara në punë publike që të përballojnë çmimin e lartë të produkteve.

“Këtë praktikë e kemi parë edhe në Shqipëri dhe në vende të tjera, ku Qeveria ka subvencionuar nivelin e çmimit”, thotë ai.

Nga Ministria e Financave kanë thënë në fillim të këtij muaji se kanë hartuar Projektligjin për Punë Publike, për të përshpejtuar dinamikën e zbatimit të investimeve kapitale në pjesën e dytë të vitit.

Ministri Hekuran Murati ka thënë se të gjitha punët publike do të mbështeten “me kompensim për çmimet e rritura”, por nuk ka sqaruar se në çfarë forme ose me sa për qind.

Në Kosovë, norma e inflacionit ka arritur në 13 për qind në muajin gusht, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë gushtin e vitit 2021, tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave.

Vetëm kostoja e ndërtimit, këtë vit, ka pasur rritje për rreth 20 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.

Çmimi i çimentos, që është një nga materialet më të përdorura ndërtimore në Kosovë, është rritur tri herë. Sipas përfaqësuesve të kompanive për prodhimin e betonit, çmimi i çimentos ka lëvizur nga 82 euro për ton, sa ka qenë në janar të këtij viti, në afër 130 euro.

Rritja e inflacionit gjetkë në botë ka nisur vitin e kaluar, për shkak të çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia COVID-19, por ka vazhduar me ritëm më të shpejtë pasi Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në fund të shkurtit. /REL/

Në trend Ekonomi

Më shumë

"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'

Botë
Vite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë

Vite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë

Botë
Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Ekonomi
Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Ekonomi
Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Ekonomi
Black Friday në AZTECH: Zbritje spektakolare deri në -60%!

Black Friday në AZTECH: Zbritje spektakolare deri në -60%!

Ekonomi
Kalo në kategori