LAJMI I FUNDIT:

Rahoveci pas vërshimeve, fermerët përfundojnë sezonin akoma pa e filluar

Rahoveci pas vërshimeve, fermerët përfundojnë sezonin akoma pa e filluar

Fermerët e Rahovecit janë ata që kanë pësuar dëme të mëdha nga vërshimet e ditëve të fundit. Gjatë ditës ata kanë rrëfyer dëmet që ju janë shkaktuar derisa janë shprehur të zhgënjyer që sezoni i tyre ka përfunduar ende pa filluar

Uji e balta pothuajse kanë mbuluar çdo gjë. Reshjet e shiut që filluan në mbrëmjen e  së premtes shkaktuan shumë dëme në Komunën e Rahovecit. Nga vërshimet e shkaktuara dëmet më të mëdha janë bërë në sektorin e bujqësisë.

E tërë familja ka qenë e angazhuar në këtë punë ka thënë Elmi Popaj nga fshati Fortesë, teksa rrëfen se çdo rendiment i ka shkuar dëm.


I zhgënjyer, Popaj ka treguar se vlera e dëmeve në tokën e tij është mijëra euro.

“Rreth tre hektar speca janë të dëmtuara dhe pas kësaj këta do të kalben dhe dëmet materiale janë deri në 10 mijë euro. Na kemi investua dhe tani po dëmtohemi nga këto reshje”, ka shtuar Popaj.

I dërmuar nga kostoja e dëmeve është edhe fermeri tjetër nga ky fshat, Bejtullah Kelmendi.

Ai shprehu zhgënjimin që këtë vit detyrohen të mbyllin sezonin e vjeljes dhe shitjes së specave, akoma pa e nisur mirë.

“Këtu janë një hektarë e gjysmë. Ka marrë fund gjithçka. Dëmet janë shumë të mëdha.  Apeli jonë është që të hapet reka pasi që përndryshe gjithmonë do të kemi të njëjtin problem”, ka shtuar Kelmendi.

Për të parë nga afër dëmet ka dalë  edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

Vlerën totale të dëmeve, ai ka thënë se do ta llogarisin së shpejti, por ka shtuar se ajo është shumë e lartë.

“Nga dita nesërme do t’i formojë tri komision për bujqësi, tri vetëm për regjistrimin e dëmeve dhe një komision për biznes, ekonomi familjare. Ditën e premte do t’i kemi të gjitha raportet gati dhe do t’i dërgojmë në Zyre të Kryeministrit dhe te dikasterët tjerë dhe do të kërkojmë pako emergjente për t’i mbuluar këto dëme”, ka theksuar Latifi.

Rahoveci është një nga komunat më të prekura nga vërshimet që ndodhen gjatë ditëve të fundit.

Gjatë të dielës këtë komunë e ka vizituar edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ai ka premtuar ndihmë për të zhbllokuar disa nga rrugët e pakalueshme pas vërshimeve.

Shtojmë se, përveç dëmeve në bujqësi, kanë pësuar dëme të mëdha edhe në amvisëri./RTV Dukagjini/