LAJMI I FUNDIT:

Konfindustria shqiptare kërkon zhbërjen e bordit për vendosjen e çmimeve të karburanteve

Konfindustria shqiptare kërkon zhbërjen e bordit për vendosjen e çmimeve të karburanteve

Konfederata e Industrive të Shqipërisë – Konfindustria i ka bërë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të ndërpresë pushimet verore dhe të nisë mbledhjen e jashtëzakonshme me qëllim ngritjen e Entit Rregullator të Karburanteve dhe si rrjedhim zhbërjen e Bordit të Trasparencës për vendosjen e çmimit të karburanteve në vend.

Kërkesa vjen pas vendimeve të njëpasnjëshme dhe të vazhdueshme të Bordit në kundërshtim me interesin publik, që prodhon pasoja mjaft të rënda në afatgjatë të krizës ekonomike, falimentime masive, papunësi, emigracion dhe deri me rrezikun e cenimit të qëndrueshmërisë shoqërore dhe kushtetuese të shtetit, ka thënë Konfindustria në një njoftim për shtyp.


Sipas Konfindustrisë, nisma për zhbërjen e bordit “do të tregojë pikërisht integritetin e partive dhe deputetëve, që mbrojnë interesin publik, janë të pa kapur nga karteli i karburanteve dhe interesat afat shkurtëra politike”.

“Vendimet e Bordit në thelb janë “taksë speciale shtesë” për bizneset dhe qytetarët, që rrit artificialisht të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe favorizon qartësisht kontrabandën masive të karburanteve”, ka thënë Konfidustria.

Sipas organizatës, vendimi i fundit i Bordit për të rritur çmimet e karburanteve i datës 27 gusht ka thelluar më tej ndryshimin në çmimin e naftës, që bizneset dhe qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë në krahasim shteteve të rajonit.

“Sot nafta/diezel në Shqipëri është përkatësisht afërsisht 33 për qind dhe 25 për qind më e shtrenjtë sesa në Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, që furnizohen në të njëjtat tregje ndërkombëtare. Bizneset dhe qytetarët shqiptarë paguajnë 0.5-0.6 euro/litër më shtrenjtë naftën sesa shtetet e sipërpërmendura. Shqipëria, përpara rritjes së fundit të çmimeve, ishte vendi i 11 në renditjen botërore për shtrenjtësinë krahësimore të karburantit”, ka thënë Konfindustria. /Telegrafi/