LAJMI I FUNDIT:

Prishtina e nis sezonin me fitore, merr në fund tri pikë të arta ndaj Dukagjinit

Prishtina e nis sezonin me fitore, merr në fund tri pikë të arta ndaj Dukagjinit

Prishtina ka arritur ta nis sezonin me fitore 2-1 në udhëtim te Dukagjini në ndeshjen e vlefshme për javën e parë të sezonit 2022/23 në BKT Superligën e Kosovës.

Ndeshja e zhvilluar në Klinë apo më saktë në stadiumin ’18 Qershori” ka qenë e fortë dhe shumë e barabartë, por me ekipin e Ismet Munishit që fituan në fund tri pikë të arta.


Pjesa e parë u karakterizua me lojë më të mirë të mysafirëve, por të dyja skuadrat arritën të shënojnë nga një gol.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas 24 minutave lojë dhe ishte Endrit Krasniqi, i cili me një gol të bukur nga goditja e dënimit dërgoi Prishtinën në epërsinë 0-1.

Vendasit arritën të kthehen në lojë në minutën e 40-të me anë të Ahmet Januzit që nga afërsia barazoi shifrat në 1-1.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë, me Dukagjinin për një nuancë më kërkuese, por me mysafirët që shënuan në fund golin e fitores.

Kur pritej që ndeshja të përfundonte me barazim, në skenë doli Muhamed Useini, i cili në minutat shtesë shënoi me kokë për t’i dhuruar Prishtinës fitoren e madhe 2-1.

Në ndeshjen e ardhshme, Dukagjini udhëton te Drita, ndërsa Prishtina luan në udhëtim te Ferizaj. /Telegrafi/