LAJMI I FUNDIT:

Gjykimi për vrasjen e motrës në Fushë Kosovë, ndalohet publikimi i deklaratave të dëshmitares

Gjykimi për vrasjen e motrës në Fushë Kosovë, ndalohet publikimi i deklaratave të dëshmitares

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dëgjuar dëshmia e mjekes familjare  H.P në rastin ku F.S po akuzohet nga Prokuroria Themelore për “Vrasje të rëndë”.

F.S, akuzohet se derisa ishte në dhomën e fjetjes së tani të ndjerës T.S, në gjendje të përgjegjësisë esencialisht të zvogëluar, nga motive të panjohura e kishte privuar nga jeta motrën e saj T.S.

Në seancën e sotme është dëgjuar dëshmitarja H.P, raporton “Betimi për Drejtësi”.


E njëjta ishte propozuar në seancën e kaluar nga mbrojtësi i të akuzuarës Halit Shaljani me qëllim që të dëshmojë për gjendjen e të akuzuarës gjatë kohës sa ka qenë në kontrolle mjekësore tek e njëjta.

Mirëpo kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti pas dëgjimit të të njëjtës, mori vendim që pjesa e deklaratës së saj të mos publikohet pasi që përmban të dhëna të ndjeshme për publikun.

Pas dëgjimit të dëshmitares së rastit, seanca e sotme është ndërprerë në mënyrë që e njëjta të vazhdojë më 9 gusht të këtij viti.

Për seancën e radhës me ftesë të rregullt do ftohet edhe i dëmtuari N.S, ndërsa për të akuzuarën do lëshohet urdhëresë për sjellje.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj F.S e cila deri sa ishte  në dhomën e fjetjes së tani të ndjerës T.S që gjendet në Fushë Kosovë, në gjendje të përgjegjësisë esencialisht të zvogëluar, nga motive të panjohura e kishte privuar nga jeta motrën e saj T.S.

Sipas aktit akuzues, deri sa tani e ndjera ishte e shtirë në krevatin e dhomës së saj e pandehura fillimisht e kishte shtrënguar në qafë dhe fyt e më pa e kishte lidhur edhe shaminë në fyt me ç’rast nga ngulfatja kishte ndërruar jetë, ndërsa e pandehura kishte ikur nga vendi i ngjarjes duke kërcyer nga dritarja.

Lidhur me këtë, F.S po akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 par 1 pika 1.3 të KPRK-së.