LAJMI I FUNDIT:

Ngritja e madhe e çmimeve nuk i pengon qytetarët të organizojnë dasma

Pas dy vitesh nga koha e izolimit nga virusi COVID-19, gastronomët në Kosovë kanë filluar ta marrin vetën. Mirëpo momentalisht, ata janë duke u përballur me valën e ngritjes së çmimeve.

Drejtori Ekzekutiv i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Visar Demolli për Telegrafin, tha se ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore i kanë ndikim të drejtpërdrejte tek kuzhinat e restoranteve dhe sallave të dasmave gjithashtu.

“Kanë filluar të ringjallen pak, bizneset hoteliere pas pandemisë. Mirëpo sa u ringjallën pak pësoi ngritja e çmimeve, shembull sallat e dasmave kanë dhënë meny me çmime të cilat ishin para dy viteve, kur çmimet ishin tjera. Kurse produktet ushqimore janë rritur shumë siç është vaji një produkt esencial në kuzhinë, kjo ka ndikuar edhe në kuzhinat e restoranteve dhe sallave të dasmave”, tha Demolli.


Dasmë shqiptare //Foto: Dasmat Shqiptare

Sipas tij përkundër shtrenjtimeve, interesimi i kosovarëve për të organizuar dasma dhe ahengje nuk është i vogël.

“Sallat e dasmave mbi 60 përqind mbahen gjallë prej mërgates dhe interesimi është i mirë. Jemi në kontakt me të gjithë pronarët e dasmave në Kosovë ka një interesim goxha të mirë. Mirëpo në krahasim me vitin e kaluar këtë vit ka më pak interesim”, tha Demolli për Telegrafin.

Visar Demolli – Drejtori Ekzekutiv i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, në një intervistë për Telegrafin

Ai gjithashtu kishte edhe një thirrje për Drejtorin e përgjithshëm të ATK-së, Ilir Murtezaj, pasi ka thënë se sektorët më problematikë në mos përmbushjen e detyrimeve janë gastronomët.

“Unë i tham drejtorit të ATK, le t’i merr inspektorët dhe të inspektohen restorantet dhe bizneset dhe ku gjen parregullsi le të gjobitën”, u shpreh Demolli.

Sa i përket punëtoreve ai shtoi se ka mungesa esenciale në këtë aspekt.

Demolli kosnsideron se situata me mungesë të punëtorëve do të bëhet edhe më e thellë, vitin që vjen.

“E kam thënë më herët që do të vijë koha që në Bangladesh do të kërkojmë punëtorë, për shkak që do të ketë mungesë. Këtë vit jemi shumë mirë, vitin e ardhshëm më mirë mos pyet për ne. Ka mungesë enorme të punëtoreve në gastronomi dhe në hoteleri dhe nuk ka pagë 200 euro më, por prapë nuk ka puntorë”, theksoi ai.

Plator Asllani – Menaxher i restorantit “Luxor”, në Obiliq

Në anën tjetër Plator Asllani, menaxher i restorantit “Luxor”, në Obiliq, deklaroi se ngritja e çmimeve po ua vështrirëson ecurinë e punës.

“Ringritja nga dëmet e pandemisë ishte shumë e vështirë, mirëpo edhe tash ngritja e çmimeve po na e vështirëson ecurinë e punës. Po ashtu njerëzit nuk shpenzojnë më sa kanë shpenzuar para pandemisë”, tha ai.

Foto: Ridvan Slivova/ Telegrafi

Asllani tutje shtoi se për shkak të valës së shtrenjtimeve, menytë e dasmave për vitin e ardhshëm do të ngritën për pesë euro për person.

“Ne rezervimet që i kemi marrë më herët pra për këtë sezon, i kemi marr me çmime të cilat kanë qenë aktuale për vitin e kaluar. Por tash neve na imponohet, që të shtrenjtojmë menytë për person për vitin e ardhshëm. Nëse vitin e kaluar menytë kanë kushtuar 20 euro automatikisht çmimi do të ngitet për katër ose pesë euro për person. Sezona është e mirë edhe këtë vit, ka interesim të njerëzve ”, tregoi Asllani.

Mungesën e punëtoreve e theksoi edhe Asllani, ai tha se këtë vit ka mungesa të mëdha të punëtoreve sidomos të atyre sezonal.

“Për një dasmë, neve na duhen rreth 50 punëtorë sezonal dhe ka mungesa të mëdha të punëtoreve, këtë vit”, perfudon ai./Telegrafi/