LAJMI I FUNDIT:

Idetë komuniste ekzistonin shumë kohë para Marksit

Idetë komuniste ekzistonin shumë kohë para Marksit
Ilustrim

Shumë kohë përpara se të shfaqej si një program ekonomik, komunizmi u shfaq në forma të ndryshme gjatë historisë. Shumë kohë më parë në Greqi, Pitagora, filozofi jonian, u kërkoi ndjekësve të jetonin përkrah tij në një godinë me të gjitha pasuritë e përbashkëta. Sipas tij, barazia e vërtetë mund të arrihej vetëm në këto rrethana. Madje ekzistonte një thënie e përsëritur shpesh: “Midis miqve, të gjitha gjërat janë të përbashkëta!”. Historianët klasikë si Jamblishusi, na thonë se ndjekësit e Pitagorës jo vetëm që i kishin të përbashkëta pronat e tyre, por hanin bashkë, iu përkushtuan vetëm anëtarëve të komunitetit dhe prireshin të shmangnin kontaktet dhe të përjashtonin të huajt. Në një mënyrë disi të pazakontë – por në përputhje me atë që e njohim sot si parim komunist – ka të ngjarë që Pitagora të besonte tek edukimi dhe përparimi i grave, duke krijuar hapësirë për to në shkollën e tij filozofike. Në këtë qasje, ai mund të jetë ndikuar nga të qenit babai (ndoshta) i filozofit Mija, që mbante lidhje me Shkollën Pitagoriane dhe besohej se kishte qenë një lider midis grave në atë shkollë. Siç ndodh në shumë shoqëri, kishte kërkesa jo vetëm për anëtarësim midis pitagorianëve, por edhe për takimin me vetë Pitagorën që cilësohej si një qenie praktikisht hyjnore. Besohej se ai ishte vendosur në Tokë për ndriçimin e të tjerëve. Pra, mund të thuhet se pitagorianët ishin më shumë një kult i personalitetit dhe filozofisë të një njeriu që jetonte me disa ideale të hershme komuniste, ndoshta të vendosura enkas për të kontrolluar dhe drejtuar anëtarët.

Ky është vetëm një shembull i një forme të komunizmit, që ekziston në një komunitet të kufizuar, për një periudhë relativisht të shkurtër kohore. Ka shumë histori të tjera që mund të tregohen për grupime të ngjashme, të cilët kanë jetuar në mënyra të ngjashme gjatë mijëra viteve që nga koha e Pitagorës dhe deri më sot.

Në fillim të shekullit XIX, një formë e komunizmit evropian para-marksist mbërriti në Amerikë. Më 15 shkurt 1805, një grupim emigrantësh nga Gjermania themeloi Shoqërinë Harmonia. Anëtarët e saj ishin të gjithë të rritur. Ata nënshkruar Nenet e Shoqatës ku ranë dakord të vendosin të gjitha mallrat e tyre individuale në përdorim të përbashkët.


Këtu përfshiheshin produktet shtëpiake dhe orenditë, veglat e punës dhe armët e zjarrit, bagëtitë dhe 23 mijë dollarë kapital që u përdor për blerjen e tokës. Së bashku, Harmonistët themeluan tri qytete model kushtuar besimeve të tyre: Harmonia dhe Ekonomia (sot Embrixh), Pensilvania dhe Nju-Harmoni, Indiana.

Ndryshe nga ato që ne i njohim sot si idealet bazë të komunizmit, komunitetet e Shoqërisë Harmonia i ruajtën besimet fetare të bazuara në luterianizmin e tyre gjerman, të filtruar përmes filozofisë së themeluesit të tyre Johann Georg Rapp (1757-1847). Shumë nga këto besime do të njiheshin nga luterianët e sotëm.

Por, ato përfshinin edhe ndalimin e pirjes së duhanit dhe një angazhim masiv ndaj beqarisë. Kjo e fundit nuk ishte një bindje e çdo anëtari. Por, fakti që shumë veta i përmbaheshin asaj, do të thoshte se niveli i lindjeve në këto qytete ishte shumë i ulët, dhe se anëtarësia mbështetej shumë në rekrutimin e anëtarëve të rinj në vend që t’i rriste ata.

Po ashtu, anëtarësia u zotua të mbështesë disa nene tejet idealiste të shoqatës. Ata premtuan se nuk do të merrnin asnjë pagesë për punën që bënin dhe kontributet e tyre për komunitetin. Por, në këmbim, iu premtua kujdes kur nuk do të ishin në gjendje të punonin për shkak të moshës, lëndimit apo dobësisë fizike.

Ky ideal mund të shihet lehtësisht në sloganin marksist të vitit 1875: “Nga secili sipas aftësive të tij, tek secili sipas nevojave të tij”. Disa studiues të Biblës e gjurmojnë origjinën e këtij koncepti, megjithëse ne e quajmë atë marksist, te Veprat e Apostujve: “… ndarja e pronës u bë sipas nevojave të çdo njeriu”.

Harmonistët premtuan gjithashtu se do të lejonin largimin nga komuniteti të atyre që donin ose me gjithçka që kishin mbërritur (pa interes) ose, nëse mbërrinin pa asgjë, një sasi të vogël parash për t’i shpejtuar rrugën. Aftësia për të braktisur kolektivin nuk është diçka që ne e kemi përjetuar me eksperimente më moderne në komunizëm.

Por, ai ishte një mjet i dobishëm për anëtarët e shoqërisë, pasi grupi u përfshi në mosmarrëveshje të shumta në vitet 1830, dhe një numër i madh anëtarësh u larguan. Beqaria dhe rritja e izolimit social e shkatërruan Shoqërinë Harmonia dhe, në vitin 1903, pjesë e saj ishin vetëm tre anëtarë. Më pas shoqëria u shpërbë. Por, të gjitha gjërat marrin fund një ditë dhe mund të arrihet në përfundimin se kjo përpjekje e veçantë për komunizmin në SHBA ishte mjaft e suksesshme.

Një grup tjetër ndoshta më i suksesshëm, dhe sigurisht më jetëgjatë, që jetoi sipas atyre që ne mund të njihnim si standarde të komunizmit ishin Esenët. Historiani Jozef është ndoshta kronisti më i mirë i kësaj lëvizjeje. Ata ishin një sekt i madh hebre që jetonin në Jude dhe që, me sa duket, u përqendruan përgjatë brigjeve të Detit të Kuq për rreth 300 vite, midis viteve 200 p.e.s. dhe 100 të e.s.

Të dhënat tregojnë se këta njerëz jetonin në grupe në qytete dhe fshatra të ndryshëm, dhe i përkushtoheshin punës filantropike, dashamirësisë së përgjithshme, estetizmit dhe beqarisë për ata që ishin priftërinj. Ata jetonin së bashku, dhe ndonëse shpërndaheshin në të gjithë zonën aty pranë për punë, mblidheshin për kohët e lutjes dhe të ngrënit, dhe praktikonin larjen rituale çdo mëngjes.

Esenët e refuzuan konceptin e pronësisë, qoftë të skllevërve apo të pronës. Ndaj, ata u distancuan nga biznesi i zakonshëm i prodhimit dhe tregtimit, duke iu përkushtuar shërbimit ndaj njëri-tjetrit dhe të huajve në nevojë. Shumë shoqëri komuniste përgjatë shekujve kanë pasur një prirje të fortë drejt parimeve të feve judeo-kristiane.

Madje, ka historianë dhe filozofë që pretendojnë se në formën e tij më të pastër, vetë Krishterimi nuk është gjë tjetër veçse ideali komunist, ku vetë Jezu Krishti cilësohet si komunisti i parë në botë. Është e vështirë të mohohet plotësisht ky koncept. Në fakt, në shkrimet e tij më të hershme, Karl Marksi u përpoq të bënte një paralele filozofike: “Ashtu si Krishti që mishëron të gjithë natyrën e tij hyjnore, të gjitha lidhjet e tij fetare, edhe shteti është ndërmjetësi mbi të cilin ai transferon gjithë paudhësitë e tij, gjithë lirinë e tij njerëzore.”

Është e qartë se kjo është një përpjekje e Marksit, për të ndarë jetën fetare nga ajo laike, duke i lejuar të dyja të ekzistojnë krah për krah. Ai u rrit në një kohë kur feja ishte një protestë nga klasa punëtore kundër kushteve të tyre ekonomike dhe tjetërsimit të tyre shoqëror.

Më vonë ai do të synonte të gjente shembuj të asaj që ai e quajti “komunizëm primitiv” në shoqëri të ndryshme fisnore, të cilat dukej se ekzistonin si entitete socio-ekonomike pa ndërhyrje fetare. Në përgjithësi, komunizmi primitiv përkufizohet si “ekonomia e dhuratave” e shoqërive të gjuetarë-mbledhësve, ku grupet shkëmbejnë produkte midis tyre për të përmbushur nevojat që kanë. Për shkak se ky sistem nuk prodhoi teprica, nuk kishte jo vetëm kapitalizëm, por as pronë jashtë produkteve bazë të nevojshme për të qenë ngrohtë, apo edhe mjeteve për kryerjen e detyrave të përditshme brenda komunitetit.

Thuhet se komunizmi primitiv mori fund kur u zbutën kafshët dhe kur lindi bujqësia. Nga aty lindi koncepti i pronësisë, skllavërisë, tregtisë, pronës dhe klasës. Një shembull i lashtë dhe modern i një shoqërie gjuetar-mbledhësish është grupi që bën një jetë shumë të izoluar në ishullin e Sentinelit Verior në Gjirin e Bengalit. Kjo shoqëri besohet se ka ekzistuar në këtë ishull për rreth 60 mijë vjet, por ka të ngjarë që paraardhësit e grupit të kenë mbërritur atje kohët e fundit prej një nga ishujt Andaman dhe Nikobar.

Ishulli i Sentinelit Verior i përket zyrtarisht Indisë, por qeveria indiane nuk ndërvepron me grupin, dhe as nuk i lejon të tjerët që ta bëjnë këtë, pasi kanë krijuar një zonë sigurie prej tre miljesh përreth ishullit. Njerëzit e këtij ishulli janë treguar shumë agresivë ndaj çdo ndërhyrësi të huaj.

Dihet se Sentinelezët e Veriut, praktikojnë një lloj anarko-komunizmi primitiv. Përmes vëzhgimeve nga distanca dhe disa ekspeditave antropologjike gjatë viteve 1970-1990, shkencëtarët arritën në përfundimin se prona është kolektive, nuk ka hierarki të dukshme, dhe se anëtarët meshkuj dhe femra të komunitetit i kontrollojnë mjetet e prodhimit bazuar në një pakt midis tyre.

Po ashtu, u vu re në raste të caktuara, si ai i çmontimit të një anijeje të mbytur, se mund të vendoseshin marrëdhënie miqësore nëse Sentinelezët e Veriut, ishin në gjendje të merrnin pjesë në blerjen e copave metalike dhe frutave. Të gjitha mallrat e mbledhura në këtë mënyrë, shkonin drejt komunitetit në formën e ushqimit dhe prodhimit të armatimit.

Sentinelezët e Veriut bënë lajm në vitin 2018, kur një misionar i krishterë zbarkoi në mënyrë të pamatur në ishull duke synuar të ndërhynte në stilin e jetës së grupit. Burri u vra dhe trupi i tij u braktis në ishull, pasi përpjekjet për ta gjetur atë u cilësuan si shumë të rrezikshme. Është një paralele interesante që shoqëria komuniste më jetëgjatë në tokë e ka izoluar veten nga bota, ashtu siç bëri vetë Bashkimi Sovjetik prapa Perdes së Hekurt. /Në shqip nga: Bota.al/

Në trend Kultura

Më shumë
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Art me letër

Art me letër

Kulture
NJI AKUZË JO E DREJTË

NJI AKUZË JO E DREJTË

Fjala+
RRUGA DREJT PAQES

RRUGA DREJT PAQES

Poezi
Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjala+
Kalo në kategori