LAJMI I FUNDIT:

NJI AKUZË JO E DREJTË

NJI AKUZË JO E DREJTË
Mustafa Greblleshi

Nga: Mustafa Greblleshi

Shpërngulen nga të katër anët e Shqipërisë për t’u vendosur në Tiranë, ku çuditnisht u ndihmon fati dhe ndreqin pallate. Pallate të bukura të stilit ultra modern. Dhe, pastaj thonë se Tirana nuk asht mikpritse.


Ma se njizet vjet ma parë u vendosën në Tiranë gati të tanë banorët e Dibrës. Që u mirëpritën nga tiranasit, e dëshmojnë vetë dibranët. Sepse filluan tregtinë, ndreqën shtëpijat e tyre, ndërsa tiranasi mbeti po në qerpiçat e tij. Dhe, përsëri Tirana nuk asht mikpritëse.

Pardje, po në këtë kollonë ku punët shkojnë shkel e shko, Driza i bie mu në kokë kryeqytetit t’onë. Dhe, e akuzon keq or miq, aq sa tiranasit, që “shesin vëllanë për nji lek”, e humbën gjakftohtësinë karakteristike dhe u revoltuen keqas kundër Drizës. Se po s’u idhnove kur ke të drejtë, do të thotë marri.

Po ç’të duhet ty or Li? Mos je ti avokat i tiranasve? Jam edhe s’jam. Në këtë rasë, me thanë të vërtetën, spontanisht vendosa të shtrohem në muhabet me Drizën, jo verbalisht, po në këtë rubrikë shkel e shko, në të cilën dikur, me ndërpremje të shkurtna, preksha plagët e të gjithëve.

Driza i godit tiranasit pa mendue se han bukën e tyne. Dhe, se, po të mos ishte Tirana, kjo epiqendër e rrëmujëshme, ka të ngjamë që të mbetej në krahinën e tij pa pasë kurrë rasën me nënshkrue artikuj.

Ankohet për të mjeruemit e luftës. Po a mos janë të gjithë tiranasit pronarë shtëpijash? Që janë bamë spekullime, s’ka dyshim, por që të gjithë tiranasit (sans exception) t’a shesin vëllanë për nji lek, kjo asht fryt i nji antipathije të kalbun, shkaktue nga ndjenja tashma e mykun e lokalizmave dhe e tribuve të motshme. Nuk pretendoj të jenë të gjithë tiranasit shenjtorë: se s’ka pyll pa dru të shtrembta.

Që Tirana asht mikpritëse e provojnë shumë argumenta që do t’i vejmë n’evidencë në nji numër tjetër, po qe nevoja. Driza le t’i hedhë nji sy vilave të Tiransë së re: nuk banon aty asnji kryeqytetas. Janë që të gjithë shokë të Drizës që erdhën në Tiranë pa shtëpi dhe u banë me pallate.

Sigurisht do të kenë lexuem Virgjilin, që shkruen në librin e dytë të Eneidës: Timet Danaos et dona ferentes, që do të thotë: i kam frikë grekët edhe kur më sjellin dhurata. Zotnija e tij kur vehet me kritikue popullin e Tiranës, në nji mënyrë kaq absolute, në shekullin e sotshëm kur teoria e relativitetit po ban bujë në të katër anët e botës, nuk ban gja tjetër veçse adhuron në mënyrë të jashtënatyrshme frazën: ab uno disce omnes, që do me thanë: prej njanit gjykoi të gjithë. Të thuash se tiranasit janë të këqij nga fakti se janë tiranas, asht si të thuash se të gjithë pjepnat janë miell vetëm sepse del njani apo dy të këqij.

Të mohoj se në Tiranë ka vendas materialistë-spekulatorë do t’ ishte absurde, po të mos harrohet se gjithë këto cilësi të nalta, si spekullimi e tjera, nuk janë vetëm të popullit tiranas, por kanë fatin me i pasë edhe të tjerë, nga çdo krahinë qofshin.

Po të pretendojë zotni e tij se përqindja e maskarejve asht ma e madhe në Tiranë se në vendet e tjera, prap problemi mbetet i pazgjidhun, mbasi askush s’e ka ba statistikën. Dhe do t’ ishte nji statistikë tepër interesante ku do të shihej virtyti të shkëlqente nga të katër anët. Cili ishte ai që mund të bajë nji statistikë të tillë pa e fut edhe veten mbrenda?

Nuk duhet të mbroj për parti popullin e Tiranës tue e qitun të kulluet si voji i Vlonës, por nuk mundem t’a pranoj që kritika e tij të shtrihet mbi të tanë tiranasit.

Sidoqoftë, le të mbetet kjo shkel e shko si nji skjarim miqsor midis nesh dhe le të pranojmë se veset e liga nuk mund t’i monopolizojë kurrë nji grup njerzish meqenëse janë pronë e patundshme e gjithë njerzimit.

E përsëris edhe nji herë se sot ma fort se kurrë duhet t’i lamë në nj’ anë lokalizmat që kanë qenë fatale për përparimin tonë.