LAJMI I FUNDIT:

Historia e spiunit që siguroi suksesin e zbarkimit në Normandi

Historia e spiunit që siguroi suksesin e zbarkimit në Normandi

Nga: Davide Bartoccini

Ndonjëherë guximi, ashtu si mençuria, gjenden në vendet më të papritura të mundshme. E tillë është edhe historia e Johnny Jebsenit, që njihej me nofkën “Artisti”. Spiuni që duroi çdo lloj torture, për të mos rrëfyer identitetin e shokëve të vet, dhe për të mbajtur të sigurt sekretet e manovrave që ishin thelbësore për suksesin e Operacionit Overlord: zbarkimi i trupave aleate në Normandi.

I lindur në Hamburg të Gjermanisë në vitin 1917, dhe me origjinë daneze, Johann-Nielsen Jebsen ishte trashëgimtari i një kompanie transportuese shumë fitimprurëse, “Jebsen & Jebsen”, selia e së cilës ishte zhvendosur në Gjermani. Një lëvizje që i dha atij dhe familjes komoditetin e nënshtetësisë së dyfishtë.


Prindërit, të cilët vdiqën qëkur ai ishte vetëm fëmijë, lanë një pasardhës me një mendje të shkëlqyer, me një sens të madh humori, dhe sjellje shembullore. Duke u dashuruar me Anglinë dhe fshatin ku kishte kaluar shumë kohë gjatë fëmijërisë, i riu Jebsen adoptoi mënyrat angleze të jetesës.

Kjo e ndihmoi shumë në misionin e rrezikshëm që mori përsipër gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitet 1930 vazhdonte studimet në Universitetin e Freiburgut, duke bërë jetën e një plejboji. Aty u njoh me atë që do të bëhej miku i tij më i mirë, Dushko Popov, agjentin e dyfishtë që frymëzoi Jan Flemingun të krijonte Xhejms Bondin e tij.

Kur shpërtheu lufta, Jebseni ishte oficer i shërbimeve sekrete naziste, me shumë miq me ndikim. Përfshiu në punën e vet miq të e vjetër të universitetit, duke i mbajtur ata “larg” nga fronti dhe duke i rekrutuar nga shërbimi sekret ushtarak gjerman, Abwehr, i drejtuar nga admirali Canaris.

“Besnikëria” e tij ndaj regjimi nazist si spiun, ishte e lidhur ngushtë me gatishmërinë e tij për t’i shpëtuar shërbimit të detyrueshëm ushtarak që duhej të bënte në ushtri. Prandaj, Jebseni u lejua të vazhdonte aktivitetet e tij normale si biznesmen, që përbënte një mbulim të përsosur për rolin e tij si spiun.

Kërkonte informacione dhe informatorë për Berlinin, i cili e furnizonte atë me shuma të mëdha parash për udhëtimet që bënte jashtë vendit. Por, nuk u desh shumë kohë që ai të bëhej një agjent i “dyfishtë”. Kështu u përfshi në një lojë shumë të rrezikshme, ku objekt i mashtrimeve të tij nuk do të ishin më britanikët, por kundërspiunazhi nazist, SD, dhe Gestapo.

Gjatë luftës, Jebseni, që rekrutoi mikun e tij të vjetër Popov si spiun në shërbim të Adolf Hitlerit, u rekrutua vetë për t’u bërë pjesë e të ashtuquajturit “Sistemi XX”, një rrjet kundërzbulimi i krijuar nga MI5-ja britanike. Synonte t’i shfrytëzonte spiunët që nazistët i kishin depërtuar në Angli – të vërtetë apo të rremë – përmes shpërndarjes së synuar të informacionit të falsifikuar.

Operacioni synonte ta ngatërronte armikun dhe ta largonte atë nga objektivat e vërteta të aleatëve. Abwehr-i dhe SD-ja u përpoqën të depërtonin përmes shumëve spiunëve në Angli. Shumë nga agjentët vepronin në vende neutrale si Spanja, Portugalia dhe Irlanda. Kjo ishte mënyra më e thjeshtë, dhe u jepte mundësi individëve si Jebsen dhe Popov të kalonin javë të tëra duke pushuar midis hoteleve dhe kazinove, duke pritur udhëzime dhe duke ndërmarrë veprime për të mbledhur informacionin e kërkuar.

Megjithatë, kundërzbulimi britanik arriti të rekrutonte gati të gjithë agjentët e dërguar nga Gjermania. Në këtë mënyrë ai zhduku të gjitha llojet e informacioneve reale nga prapavija e forcave aleate, dhe i furnizoi shërbimet sekrete gjermane me të dhëna false, enkas të krijuara.

Në fund të luftës u zbulua se të gjithë agjentët e dërguar nga nazistët në Britani, ishin dorëzuar dhe kishin pranuar të bënin lojën e dyfishtë, ishin arrestuar ose nuk kishin ekzistuar kurrë.

Që nga viti 1943 e tutje, Johnny Jebsen ishte agjent i dyfishtë në shërbim të kauzës së aleatëve, ndërsa vazhdonte të pretendonte se ishte një besnik i madh ndaj gjermanëve. Jebsen ishte në dijeni të disa prej sekreteve më të rëndësishme të aleatëve: planet reale të zbarkimit në Normandi, dhe mbi një operacioni të madh që kishte synime çorientuese për t’i bindur gjermanët se zbarkimet do të ndodhnin në sektorë të tjerë të plazhit të Normandisë.

Por, loja e tij nisi të ngjallte dyshime. Miku i tij, Popov, që në fakt arriti të shpëtonte, e këshilloi të shkonte në Angli. Por, për Jebsenin, ishte tepër vonë. Ndoshta ai nuk i mori gjërat shumë seriozisht. Kështu, më 29 prill 1944, vetëm katër javë përpara datës së përcaktuar fillimisht për zbarkimin në Normandi, Jebseni u kap në Lisbonë pas një përplasje të shkurtër me armë. U fut në një makinë dhe u dërgua në Francën ende të pushtuar. Arrestimi u krye nga Aloys Schreiber, kreu i kundërzbulimit gjerman në Lisbonë, që e kishte kontaktuar me pretekstin e dhënies së shpërblimit.

Torturuesit e SD-së nisën ta torturojnë për të nxjerrë informacione prej tij. Ata donin emrat e spiunëve që bënin lojë të dyfishtë, identitetet e rekrutuesve, sekretet e aleatëve, dhe të gjitha planet e tyre. Por “Artisti” nuk e lejoi veten të pushtohej nga frika dhe dhimbja. Nuk zbuloi asnjë nga sekretet që dëshironin nazistët. Më pas u dërgua në selinë e Gestapos në Berlin, ku vazhduan torturat dhe marrja në pyetje. Por, Jebsen nuk foli. Në korrikun e vitit 1944, ndërsa aleatët po marshonin tashmë drejt Parisit, Jebsenin u transferua në kampin e përqendrimit Sachsenhausen. Sipas raportimeve, mbërriti atje me brinjë të thyera dhe shenja të qarta të traumës dhe kequshqyerjes. Por, kjo nuk e pengoi të thurte plane për arratisjen. Arriti të dërgojë mesazhe në Angli, por në Zyrën e Luftës askush nuk e dinte emrin e vërtetë të agjentit ne nofkën “Artisti” ndaj çdo kërkesë e tij u shpërfill.

Në shkurtin e vitit 1945, Gestapo vendosi ta transferonte në një kamp të ri. Nga ai moment fati i tij mbeti një mister. Trupi i tij nuk u gjet kurrë. Ndoshta përfundoi si shumë të tjerë në ndonjë varr masiv. Më 17 shkurt 1950 u shpall zyrtarisht i vdekur.

Mbetet ende i habitshëm fakti që Jebsen dinte, dhe për këtë arsye ai mund të kishte rrëfyer gjithçka. Duke tradhtuar aleatët dhe mikun e tij Popov, mund të shkëmbente jetën e tij me sekretin e pushtimit të Evropës. Por, nuk i tha asnjë fjalë Gestapos. Kishte një grua dhe një fëmijë që e prisnin në shtëpi. Por, as në Francë, as në Berlin, dhe as në kampin e përqendrimit Sachsenhausen nuk u tregoi asgjë nazistëve. /Marrë me shkurtime nga Il Giornale/Në shqip nga: Bota.al/

Në trend Kultura

Më shumë
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
KUMBULLA PËRTEJ MURIT

KUMBULLA PËRTEJ MURIT

Fjala+
NJË POEZI PËR PAQEN

NJË POEZI PËR PAQEN

Poezi
Kalo në kategori