LAJMI I FUNDIT:

Osmani në FSK: Vendi i saj është në NATO, po punojmë drejt anëtarësimit në këtë organizatë

Osmani në FSK: Vendi i saj është në NATO, po punojmë drejt anëtarësimit në këtë organizatë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar sot Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku është pritur nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.

Osmani pas takimit u shpreh se kanë biseduar për të gjitha çështjet për mbrojtjen e shtetit të Kosovës.

Presidentja theksoi se FSK çdo ditë po i rrit kapacitet e saja operacionale dhe ato ndërvepruese me NATO-n, në këtë organizatë ku FSK e ka vendin.


Osmani foli edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Partneritetin Për Paqe në kuadër të NATO-s.

“Ftesa për tu anëtarësuar duhet të bëhet me unanimitet të plotë prej 30 shteteve. Jemi duke bashkëpunuar me SHBA-të dhe shtetet tjera të NATO-s që të binden edhe ato katër shtetet anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën, që mos të parandalojnë anëtarësimin e Kosovës në Partneritet për Paqe ku Kosova do të jetë një vlerë e shtuar”, u shpreh Osmani.

Presidentja theksoi se Kosova që moti e ka merituar të jetë pjesë e PFP-së dhe NATO-s.

“Shtetet anëtare duhet të jenë të bindura që këto vendime duhet të shihen nga prizmi i sigurisë, dhe nëse shihen nga ky prizëm, Kosova që moti e ka merituar të jetë pjesë e PFP-së dhe NATO-s. Shpresojmë që shumë shpejt do të shohim hapa konkret”, tha Osmani. /Telegrafi/