LAJMI I FUNDIT:

Kosova prezanton projektet që do të financohen përmes programit IPA 2023

Kosova prezanton projektet që do të financohen përmes programit IPA 2023

Është mbajtur takimi kryesor ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe delegacionit të nivelit të lartë nga Komisioni Evropian, në kuadër të misionit për programimin e IPA 2023 dhe hapat e parë rreth investimeve nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Në takim u prezantuan projektet e përgatitura nga ana e institucioneve vendore, të cilat do të financohen përmes IPA 2023, me theks në maturitetin e tyre si dhe qasjen sektoriale.

Këto projekte do të përfshihen në IPA 2023 dhe do t’i përkasin fushave dhe sektorëve të ndryshëm si sundimi i ligjit, punësimi, administrata publike, digjitalizimi i qeverisjes, mbrojtja e mjedisit përmes ndërtimit të deponisë për mbetjet e rrezikshme dhe projektit Natura 2000, investimet në infrastrukturë për rrjetin e transmisionit elektrik dhe energjinë e ripërtëritshme, arsimi me theks në digjitalizim, edukimin në fëmijërinë e hershme, projekti për ndërtimin e sallës koncertale dhe punësimi përmes skemës për garanci të të rinjve në VET (sistemin dual shkollor).


Takimi u shfrytëzua edhe për informimin rreth mundësive për përfitim nga WBIF duke përfshirë garancitë bankare dhe zhvillimin e sektorit privat dhe koordinimin e veprimeve në nivel bilateral mes Kosovës dhe BE-së.

Qeveria e Kosovës do të përgatisë projektet shtesë të cilat do të paraqiten për financim nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor gjatë muajit qershor, si dhe do të përfshihet në programimin e projekteve të tjera të përkrahura nga programet rajonale. /Telegrafi/