LAJMI I FUNDIT:

​Hoxhaj: Iluzionet për një paqe të përhershme evropiane janë varrosur dje

​Hoxhaj: Iluzionet për një paqe të përhershme evropiane janë varrosur dje

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka kërkuar nga Qeveria Kurti që të ketë prioritet anëtarësimin në NATO. Sipas tij, iluzionet për një paqe të përhershme në Evropë janë varrosur dje dhe sot.

Ai ka kritikuar Qeverinë për qasjen në raport me dialogun me Serbinë, meqë tha se kanë krijuar iluzione se bota e pret Kosovën.

Ai është përplasur edhe me shefen e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, nga e cila kërkoi që të mos distancohej nga marrëveshjet që janë arritur gjatë kohës sa ka qenë edhe ajo në Qeveri.


Ne seancën plenare ku po mbahet debati për dialogun, Hoxhaj ka kërkuar një plan veprimi për aplikim në NATO.

“Imagjinoni krejt bota fol që katër muaj për sulmin e mundshëm në Ukrainë, zëvendëskryeministri Bislimi negocion në Bruksel të paktën mos sulmin. Ku është pritja këtu, ta largoni KFOR-in, çfarë po dëshironi të bëni? Po njeri me pi makiato të madhe edhe me pa iphon-in pesë minuta nuk vjen me një konkluzë të tillë, ose me qenë pensionist me i pa lajmet dy minuta nuk del me një konkluzë të tillë. Unë i kisha thënë që të heq dorë prej diçka të tillë. Temë kryesore është anëtarësimi dhe mosanëtarësimi në NATO, kryeministri Kurti thotë ne do të aplikojmë për statusin e kandidatit në BE. Silleni një plan të veprimit për aplikim në NATO, në partneritet për paqe, në kartën e Adriatikut”, u shpreh ai.

Sipas tij, në Ballkan armik për Kosovën është Serbia, ndërkaq në Evropë vet Rusia. Ai derisa ka komentuar situatën në Ukrainë u shpreh se janë të gatshëm që të ndihmojnë si opozitë, derisa shtoi se sikur të kishte qenë i lehtë procesi i dialogut do ta kishin kryer kaherë, si PDK.

“Iluzionet për një paqe të përhershme evropiane në Evropë janë varrosur dje dhe po vazhdojnë të varrosen edhe sot. E ne mund të flasim në këtë Kuvend si të duam dhe çfarëdo që na merr mendja që do të duhej ta themi.

Këto janë ditë të vështira për Evropën por edhe Ballkanin, meqë ne kemi qenë viktima të politikës ku kufijtë ka pasur përpjekje të vizatohen me marshimin e tankeve apo me thellësinë e humnerave ku kanë rënë goditjet e granatave apo të raketave.

Dhe kur po flasim për këtë temë, ne kemi partner strategjik por kemi edhe një kundërshtarë të madh strategjik, dhe ai kundërshtar politik është Putini dhe Rusia. Përndryshe nuk do të kishim folur fare për dialogun nëse do të anëtarësohej Kosova në vitin 2008 në OKB”, ka deklaruar ai.

Ai shtoi se kjo është luftë e gabuar dhe me një armik të gabuar, meqë perëndimi do ta fitojë këtë luftë.

Më tej, shtoi se kur Rusia është shumë agresive në Evropën Lindore, Serbia do të jetë edhe më agresive në Ballkan dhe në raport me Kosovën.

Ai ka thënë se Mimoza Kusari-Lila nuk do të duhej të distancohej për marrëveshjet që janë arritur në kohën kur kanë qenë në qeverisje.

“Unë e ftoj Qeverinë që ta monitorojë seriozisht situatën. Dje dhe sot nuk janë thyer iluzionet vetëm me atë se çfarë po ndodhë larg nesh. Por janë thyer edhe iluzionet se çfarë kemi bërë deri tash dhe sidomos çfarë ka bërë kjo shumicë parlamentare. Keni kërkuar që ta rishikoni procesin, keni kërkuar që t’i anuloni proceset, keni kërkuar që ta rifilloni dialogun. Unë me vëmendje e dëgjova zonjën Kusari-Lila për të cilën kam respekt, por foli ‘palidhje’, nuk tha asgjë. Si kryetare e shumicës me 59 deputetë, unë pres që të del e të thotë diçka konkrete. Nëse nuk e njeh këtë temë, nxirre dikë prej grupit parlamentar”, tha ai.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar ndaj kësaj deklarate, duke thënë se nuk mund të mbrojë marrëveshje të cilat kanë qenë të pazbatueshme në formatin se si ishin nënshkruar.

“A fola me lidhje a fola pa lidhje është tërësisht mandat i dikujt tjetër që na ka sjellë këtu me mandat. Edhe secili mandat jeni përgjegjës ndaj atyre që e kemi kërkuar votën. Prej vitit 2013 deri në vitin 2022 janë nëntë vite. Prej vitit 2013 nuk jam në qeveri dhe për nëntë vjet me radhë kam pasur kohë të mjaftueshme të tregojë përqendrimet e mia. E sa kanë qenë të vlefshme ato marrëveshje që janë nënshkruar në kohën kur unë edhe ti kemi qenë në qeveri, e ka treguar pastaj viti 2015 kur keni shkuar në qeveri me LDK-në dhe shumicën prej atyre marrëveshjeve i keni detajuar dhe i keni shtuar elemente shtesë sepse kanë qenë të pazbatueshme në formatin sesi janë nënshkruar atëherë. Çka me mbrojt unë? Kë ta mbroj? Diçka që nuk ka funksionuar”, është kundërpërgjigjur ajo.

Më tej, Hoxhaj sërish ka përsëritur se Kusari-Lila po flet “palidhje”, duke shtuar se fjalitë e saj nuk mund të shndërrohen në veprim politik, raporton Kp.

Ai ka shtuar se Qeveria aktuale ka krijuar iluzion se bota po i pret në raport me dialogun.

“Ju keni krijuar iluzionin që bota na pret dhe keni pasur një qasje në raport me dialogun ku parimet i keni pasur të shkruara në rërë, dhe një politikë e cila është e ndërtuar në rërë. Sot mjerisht po shembet kjo qasje e juaj. Prandaj unë pres nga kryeministri ose nga zotëri Bislimi që ky duhet të del sot e të na tregojë çfarë kanë ndërmend që të bëjnë në këtë situatë të re këta me dialogun Kosovë-Serbi. Jo përralla se çfarë i kanë thënë Miroslav Lajçakut, por çfarë duhet të bëjmë me situatën e re të raporteve Kosovë-Serbi, pas kësaj që po ndodhë në Ukrainë”, ka thënë ai.

Në Kuvend po vazhdon debati parlamentar në lidhje me zhvillimet në dialogun Kosovë – Serbi.