Nga: Gjergj Kristo Frashëri
Më beso, i nderuar lexues, se nuk ka vend jo në Evropë, por mjerisht nuk ka vend tjetër në Ballkan si në viset tona atdhetare (shqiptare), ku një supë prej amvise kuzhiniere e nisur prej saj për t’u bërë thjeshtë me oriz e pak gjalpë, të përfundojë një turli nga ato të kazanit të ushtrisë gatuar nga ushtarë amatorë që marrin pa ndrojtje dhe pa dije detyrën e kuzhinierit dhe hedhin brenda në kazan, çdolloj perime e zarzavate dhe çdolloj mishi e peshku deri edhe copa bostani të palara.
Kjo lloj turlie më kujton një lloj prej atyre turlive që gatuheshin nga ushtarët tanë në kuzhinën e repartit ushtarak në fund të viteve ‘60 dhe përgjatë viteve ‘70 të shekullit të kaluar, kur jo në pak raste rolin e kuzhinierit e merrte një profan i zanatit, që preferohej për shumë arsye të bënte këtë punë nga oficerët (pushteti) e repartit. Një shembull i gjallë i kësaj turlie janë edhe mediat tona sot.
Këtë lloj turlie nuk e gjeta për fat të mirë kur fillova punë në Institutin e Monumenteve të Kulturës më 1972 (sot, gjysmë shekulli më parë), të cilin e drejtonte asokohe arkitekt Gani Strazimiri. Atje mësova nga kolegët më të vjetër të përzgjedhur prej tij, se ç’do të thoshte monument kulture. Atje mësova se institucioni ynë i specializuar ishte themeluar dhe udhëhiqej për ruajtjen, mbrojtjen, mirëmbajtjen, konservimin dhe restaurimin e monumenteve të kulturës nën udhëzimet e principeve të unifikuara botërore të Kartës së Restaurimit të Venecias, hartuar në vitin 1961 në Venecie, të cilat janë tërësisht të vlefshme dhe në fuqi prej asaj kohe edhe sot e kësaj dite.
Kolegët e mi që gjeta në institut (që vinin prej 1965) dhe ata si unë që filluan të shtoheshin më tej prej vitit 1972, mësuan atëherë të paktën, se kush është dallimi midis një “monumenti arkitekture” dhe një “monumenti historik” – dallimin midis të parit si dëshmi dokumentare e zhvillimit tipologjik urban arkitektonik në mjediset urbane qytetare dhe fshatare në periudha të ndryshme dhe dallimin nga i dyti, që përbën dëshmi të një ngjarjeje apo në kujtim të një personazhi historik, siç mund të ishte rasti i banesës ku ka jetuar Xhafer Deva në Mitrovicë.
Deri në fund të viteve ‘80 kur e lashë Shqipërinë, për asnjë specialist të Institutit tonë të Monumenteve të Kulturës, madje edhe për asnjë administrator të institucioneve të tjera ministrore apo akademike të vendit, por edhe për asnjë punonjës të drejtorive të urbanistikës apo kulturore në Bashkitë e vendit (komitetet Ekzekutive siç quheshin asokohe), nuk guxohej të barazohej domethënia e një monumenti arkitekture (me vlera në historinë arkitekturës së vendit) ndaj një monumenti historik (me vlera historike me karakter përkujtimor), i cili lidhej me objektin apo ansamblin urban ku ishin zhvilluar ngjarje të ndryshme historike, edhe pse këto të fundit në shumë raste janë gjithashtu ndërtesa si të parat brenda qytetit apo diku gjetkë në fshatra apo peizazhe. Meqë rà fjala, vetë, midis kolegëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë kam qenë në këtë rol deri në fund të viteve ‘80 brenda vendit dhe më tej jashtë tij ku kam punuar për një kohë më të gjatë.
Pa dyshim vijoj të jem brenda vendit tani si ekspert privat në pension pasi jam rikthyer. Përzgjedhja e një monumenti kulture midis tërësisë së shembujve që përmbajnë qytetet dhe qendrat tona urbane fshatare, e kujtdo sfere qoftë, urbane, arkitekture, arkeologjike, artistike, ato të memories historike e shumë të tjera, është detyrë dhe përgjegjësi e specifikuar e një institucioni dhe ekspertëve të tij të specializuar. Prej ekspeditave, studimeve, dokumentimit në terren, argumentimit dhe së fundmi vendimit, të cilin e marrin ekspertët e sektorit shkencor dhe ata të Këshillit Shkencor të Institucionit të Monumenteve, shpallen monumentet e kulturës. Më tej, vendimi i institucionit dërgohet për miratim në Ministrinë e Kulturës, prej së cilës del vendimi i shpalljes nën mbrojtje si monument kulture dhe i kategorizimit të tij në llojin e monumentit të kulturës. Kështu ka qenë dhe është në Republikën tonë, kështu është në mbarë Evropën, kështu është edhe në Kosovën tonë.
Si shembull, nëse Shtëpia-kullë e Zekateve është shpallur monument arkitekture, e nuk ka kurrfarë rëndësie se kush burrë i mirë apo tradhtar, apo kriminel ka jetuar apo banuar aty si pronar apo si qiraxhi. Monumenti mbetet si dëshmi dokumentare arkitektonike dhe shërben për të dëshmuar (ilustruar) shkencërisht aspekte të historisë së arkitekturës në Shqipëri. Ai duhet të ruhet, të mbrohet dhe të restaurohet si dokument kur “sëmuret” në kohë dhe kur nevojitet ndërhyrja restauruese për të mbijetuar. Përkundrazi, në se një monument historik si për shembull “Shtëpiza në Tiranë ku më 8 nëntor 1941 u themelua PKSh-ja” u shpall njëherë e një kohë monument historik dhe me ardhjen e “demokratëve postkomunistë” pas vitit 1992 u hoq nga lista si monument dhe u prish, kjo nuk ka të bëjë me vlerën arkitektonike të saj, sepse nuk është çmuar si e tillë edhe atëherë kur është shpallur (cilësuar) monument kulture.
Ajo u zhduk nga faqja e dheut prej vendimit politik. Këto ditë kam lexuar pareshtur shkrime dhe intervista të natyrës “turli” mbi të ashtuquajturën “shtëpi e Xhafer Devës” në Mitrovicën tonë. Shkruan kush të mundet dhe mediat botojnë gjithçka që shkruajnë apo llapin ushtarët e pushtetit (sado amator që të jetë në këtë profesion, sidomos kur është ose ka qenë drejtor, akademik, kryetar partie, apo ish-deputet, apo ish-ministër, apo, apo, por patjetër në “shërbim” të pushtetit …).
Si në shumë raste, edhe kësaj radhe nuk gjendej ndonjë mendim eksperti, të pyeste apo të gjurmonte, pse kjo ndërtesë në qendër të diskutimeve është shpallur “monument kulture”, pas së cilës ruajtja, mbrojtja dhe restaurimi është automatikisht një detyrim ligjor. Së fundi më erdhi mirë që dëgjova nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës (prej faqes së saj të internetit), se ajo “ka nisur fazën e re të “restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë”, duke e përshkruar atë si “një prej objekteve më të veçanta të trashëgimisë kulturore të Mitrovicës”.
Tani që morëm vesh arsyen e shpalljes monument kulture të kësaj ndërtese, që qenka thjeshtë për vlerat e saj arkitektonike, nuk ka të drejtë askush të shqetësohet me emrin e Xhafer Devës. Ndërtesa është shpallur monument kulture si dëshmi me vlera të veçanta tipologjike dhe arkitektonike (ndoshta edhe urbane) që ilustron në mënyrë domethënëse arkitekturën e banesave të neoklasicizmit qytetar në Kosovë (padyshim) edhe në viset shqiptare prej fundit të shekullit XIX dhe deri në mesin e shekullit XX. Me këtë vlerësim, nuk ka kurrfarë rëndësie, se kush person apo familje kanë banuar aty, Xhafer Deva, Ibrahim Rugova, apo ka qenë Kuestura kuislinge, apo Kuestura fashiste, apo naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo më parë (Vuçi apo Puçi), apo ka banuar ndonjë kriminel shqiptar, apo vrasës serb apo dikush tjetër burrë i mirë.
Nuk është e nevojshme të japim këtu shembuj në historinë e këtyre dy mijë vjetëve të fundit, se kush e ka përdorur një pallat apo një tempull, kush e ka përdorur një xhami apo kishë, që sot është e shpallur monument kulture arkitekture etj. Në rastin konkret, shtëpia në fjalë është përzgjedhur dhe vlerësuar si monument arkitekture për vlerën që dëshmon në këtë kontekst dokumentar. Askush nuk mund ta përdorë atë dhe aq më pak ta respektojë për qëllime të tjera politike apo historike të pavlerësuara dhe të padeklaruara apo ta përkujtojë për dublime të huazuara apo ta shenjtërojë për Krisht, pasi nuk i pëlqen Baba Sarisalltiku etj. Kjo cilësohet falsifikim në vlerat e monumentit. Ministria e Kulturës dhe Sporteve të Kosovës e ka përkufizuar vlerësimin e ndërtesës si “monument arkitekture”, për të cilën ajo e ka shpallur dokument në mbrojtje të shtetit dhe këtu nuk ka vend për spekulime dhe llomotitje (hamendësime) pazari, as nga llomotitësit e fryrë të Tiranës që spërdredhin gjuhën për çdo gjë që u del përpara, as nga ëndërrimtarët e Prishtinës dhe të Mitrovicës dhe as nga ambasadorët me llapë të zgjatur në kryeqendrat e trojeve shqiptare në Ballkan.
Qysh nga koha e Romës është shumë vështirë të gjesh një ndërtesë të shpallur monument kulture për vlera arkitektonike, ku të mos ketë banuar apo të mos e ketë ndërtuar atë një person jo shembullor për popullatën, madje shpesh një person që ka kryer krime kundër saj apo kundër fqinjëve të saj. Por, kjo nuk merret fare në konsideratë dhe nuk luan asnjë rol në çmimin e vlerës arkitektonike të një ndërtese të ndërtuar prej arkitektëve që i ka porositur dhe paguar “krimineli”. E përsëris, nuk ka kurrfarë rëndësie nëse ndërtesa në fjalë e shpallur monument kulture për vlera arkitektonike nga Ministria përkatëse e Kosovës, është ndërtuar nga paratë e Xhafer Devës apo ai ka banuar vetë atje, apo e ka pasë me qira atë. Monument kulture janë vlerat arkitektoni ke të banesës në fjalë (jo biografia e Xhafer Devës). Në mbyllje, më lejoni ta çoj pak më tej mendimin tim si ekspert vendas dhe ndërkombëtar i monumenteve të kulturës.
Ndihem i detyruar të reagoj kur shoh të përzihen në kësi vlerësimesh të kategorive të monumenteve të kulturës, të ashtuquajtur llafollogë që kujtojnë se po japin “konkluzione” profesionale në vlerësimin e monumenteve të kulturës, kur shkaktojnë vetëm komedi me këtij mjedisi qesharak ku vetëm Një (në njëqind) vuan. Më mbetet vetëm t’u them mendimin tim, motrave dhe vëllezërve kosovarë, se mbështetur në vendimin e tyre të saktë mbi shpalljen së ndërtesës në fjalë si “monument arkitektonik”, e cila është përzgjedhur dhe shpallur në mbrojtje shtetërore si e tillë nga specialistët e tyre për të ilustruar periudhën e qytetërimit Neoklasik të qytetit të Mitrovicës, të vazhdojnë restaurimin e këtij objekti. Duke parë objektin në fjalë, konstatoj se vendimin e Institutit të Monumenteve dhe të Ministrisë së Kulturës së Kosovës duke e shpallur atë monument të arkitekturës Neoklasike qytetare, e konsideroj me vend. Vijoni restaurimin, të dashur! Monumente urbane dhe arkitektonike të barokut (përfshirë edhe ato të rokoko-së) janë dëshmi të zhvillimit evropian historik të viseve shqiptare.
Lutem që të mos impresionoheni nga asnjë presion politik, as nga brenda vendit, madje aspak nga “historianët” e pocaqisur të R. së Shqipërisë që flasin “tjetër gjë – për tjetër gjë” dhe aq më pak, nga fjalët në erë të ambasadorit gjerman në Prishtinë Herr Jorn Rohde, i cili duke mos qenë fare kompetent i fushës, kundërshton kot së koti restaurimin e filluar të “objektit në Mitrovicën e Jugut”, pasi Xhafer Devën e cilëson si “bashkëpunëtor të ngushtë të nazistëve”. Madje, duke e koklavitur edhe më rëndë situatën me “këshillën” e tij pa lidhje në “Twitter”, që na “këshillon” të “mos e shtrembërojmë të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës, të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas”.
Se ç’lidhje ka një monument kulture i arkitekturës me Xhaferin e Mitrovicës, vërtet nuk e ndjek dot! Në mbyllje do të thosha vetëm një fjalë drejtuar ambasadorit gjerman, Herr Rohde (duke qenë edhe vetë nënshtetas i vendit të tij), se është mirë të marrë një leksion nga kushdo “Denkmalpflege” në një nga 16 Landet e Gjermanisë se ç’do të thotë monument kulture i arkitekturës dhe, se ç’do të thotë monument kulture historik. Banesa në fjalë në Mitrovicë e deklaruar zyrtarisht “monument kulture e arkitekturës” nga Ministria e Kulturës së Kosovës ka të bëjë vetëm me këtë vlerësim. Prapa kësaj kategorie nuk fshihet asnjë vlerë apo nënvlerë tjetër, se kush ka banuar aty X apo Y, apo janë kryer krime në bodrumet e saj, apo hamendje, apo logje të tjera. Banesa është monument kulture me vendim të posaçëm nga një qeveri serioze dhe e sinqertë (më e sinqertë dhe kompetente se në Republikën tonë), thjeshtë si dëshmi e historisë urbane arkitektonike qytetare të Kosovës.
Pa kujtuar këtu, se në Gjermani, i dashur Zoti Rohde, kemi shpallur monumente kulture edhe monumente historike si Kampe Përqendrimi apo ndonjë vend ku janë kryer masakra njerëzore ekzemplare etj. Me këtë rast pyes, a nuk ka të drejtë Kosova të shpallë objekte të kësaj natyre si monumente historikë kur t’i paraqitet rasti?
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje