LAJMI I FUNDIT:

Ish-kryeministri Mustafa: Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 20 faqe PowerPoint për projektin e rindërtimit të termocentralit ‘Kosova A’

Ish-kryeministri Mustafa: Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 20 faqe PowerPoint për projektin e rindërtimit të termocentralit ‘Kosova A’
Foto: Arkiv

Ish-kryeministri dhe njëherësh ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë se 15-20 faqe PowerPoint lidhur me ndërtimin e projektit të rindërtimit të termocentralit “Kosova A”.

Mustafa me anë të një shkrimi në Facebook është shprehur se, është e vërtet kërkesa e ish-kancelarës gjermane Angela Merkel që të shyhet përpara ky projekt, mirëpo sipas tij, kjo kompani nuk e ka informuar asnjëherë kabinetin e tij.

“Kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 15-20 faqe PowerPoint. Kjo është krejt e vërteta për këtë firmë dhe zhurmën që po bëhet për investimet e saj në rindërtimin e ‘Kosova A’ e që po vazhdojnë edhe sot në Kuvend”, ka shkruar Mustafa, përcjell Telegrafi.


“Është e vërtetë se në takimin tim, si Kryeministër me Kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme shtroi edhe rindërtimin e Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt. Me angazhimin e Kancelares, të njëjtën dit , në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin. Kemi kërkuar ta konkretizojnë propozimin e tyre, koston e investimit, kapacitetin dhe burimet e financimit. Përfaqësuesit e Belfinger u zotuan se do të na informojnë brenda 15 ditëve, por nuk na kanë informuar asnjëherë edhe përkundër insistimit të vazhdueshëm të kabinetit tim”, ka shtuar ai.

Në fund, ai ka thënë se Kosova ka qenë e interesuar që ta realizoj këtë projekt.

“Duke pasur parasysh lidhjet ekonomike me Gjermaninë dhe teknologjinë gjermane në gjenerimin e energjisë elektrike në Kosovë, ne kemi qenë të interesuar që projektin ta realizojmë së bashku me ta, por kompania Bilfinger është treguar krejtësisht e painteresuar. Krahas kësaj ne kemi vazhduar me ‘Kosova e Re’”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/