LAJMI I FUNDIT:

Të rritesh në fund të historisë ose të shohësh veten në pasqyrë

Të rritesh në fund të historisë ose të shohësh veten në pasqyrë

Nga: Artan Puto

Diku nga fillimi i librit, autorja Lea Ypi, duke kujtuar fëmijërinë e indoktrinuar dhe entuziaste për vendin e saj socialist, Shqipërinë e viteve 1980, dhe duke e krahasuar atë me vendet e “degraduara” kapitaliste shkruan se “… e ç’na duhej të udhëtonim jashtë shtetit, vend më të bukur se Shqipëria nuk gjeje dot. Ata nuk kishin asgjë. Ne e dinim që nuk kishim gjithçka. Por … kishim diçka me veti të jashtëzakonshme: lirinë e vërtetë”.

Ky ishte mendimi qe na ka përshkuar ndoshta të gjithëve, kur kemi qënë “yllka” dhe “pionierë”, derisa në një moshë më të pjekur do të fillonin të na regëtinin në mendje pyetje a “dyshime” mbi përrallën “e vendit më të lumtur në botë”. Këto “dyshime” vinin të nxitura nga arsye madhore ose banale.


Shqipëria komuniste kishte zonën e saj gri, por që herë pas here përthyhej edhe në ngjyra të ndryshme, diku më vezulluese dhe diku më të mekura, ose të fikura fare.

Syri që i shikonte ato mund të ishte ai i fëmijës, i një adoloshenti apo i të rriturve. Të gjithë këta mund të ishin banorë të qytetit, të fshatit, me biografi të mirë ose të keqe, të persektuar e të indoktrinuar, “trima të çartur” apo frikacakë.

Sigurisht në një masë dërrmuese këta të fundit, që u dridheshin leqet e këmbëve nga Partia dhe xhaxhi Enver “i buzëqeshur”. Në atë kohë te kjo kategori e fundit bëja pjesë padyshim edhe unë që po hedh në letër këto radhë. Por, të tërë jetonim, gëzoheshim dhe hidhëroheshim, në përputhje me kushtet.

Kjo është ndjesia e parë që provova kur lexova librin e Lea Ypit, pikërisht shpjegimi me një talent të rrallë, të një romanciere klasi, përmes sarkazmës, autoironisë, humorit, kontrasteve, i kompleksitetit të realitetit komunist shqiptar dhe i tranzicionit që pasoi.

Në këtë libër personazhet janë qënie njerëzore, prej mishi dhe gjaku, me frikërat, dilemat, dobësitë, vyrtytet e veset e tyre. Ato nuk janë figura pllakateske të grupuara në kategori manikeiste, si heronj, ose të persekutuar, të mirë, ose të këqinj, partizanë apo ballistë. Dhe anasjellas, pa asnjë nuancë në mes.

Libri “Të lirë” është autobiografia e Leas, në sfond historia e familjes së saj, që shkon nga periudha para 1944 e deri në ditët tona. E gjitha e vendosur në kuadrin e analizës social-historike të një shoqërie urbane, si ajo e Durrësit, në kapërcyell të dy epokave historike, fundit të komunizmit (vitet 1980) dhe fillimit të tranzicionit postkomunist (fillimvitet 1990).

Nga ana tjetër, janë meditime të një vajze që edhe vetë është në një periudhë tranzicioni, nga fëmijëria në adoleshencë, nga një fëmijë i indoktrinuar, në një adoleshente që fillon të shikojë me dyshim atë që i ishte thënë deri atëherë.

Por, kjo ndodh vetëm pas përmbysjes së madhe të 1990, pasi ikën ajo hije që na ka ndjekur pas gjatë gjithë jetës në atë kohë, dhe na shfaqet ende herë pas here: Frika e tmerrshme ndaj shtetit!

Në thelb është përpjekja për të deshifruar konceptin e lirisë në rrethana dhe kushte të ndryshme, në momente të ndryshme të jetës personale, çfarë kuptimi bart ai sot dhe se sa ka ndikuar ai në iluzionet dhe zhgënjimet tona, në njërën kohë dhe tjetrën, në komunizëm dhe në ekonominë liberale të tregut.

Libri është ndarë në kapituj që kombinojnë figurat njerëzore me ngjarjet dhe kontekstet social-politike të dy epokave, ku këto personazhe kanë jetuar. Libri ka një galeri të tërë personazhesh, që i japin jetë narrativës dhe na kujtojnë pjesëtarë të familjeve tona, shokë e shoqe, lagje e rrugica, mësuese dhe komshinj. Dhe se si të tërë këta pasi dalin të traumatizuar dhe të mbrujtur deri në palcë me frikën e aktit të parë të dramës (koha e komunizmit), zhyten të çoroditur në aktin tjetër, atë të kohës “së lirisë së egër të tregut”.

Më poshtë po përshkruaj shkurtimisht disa personazhe që më kanë lënë më shumë mbresë.

Gjyshe Nini është personazhi që përfaqëson në vetvete historinë e shtetit shqiptar pas krijimit të tij. Vinte nga një familje e rëndësishme funksionarësh të Perandorisë Osmane. Me pavarësinë e vendit kthehet në atdhe, martohet me Asllan Ypin dhe të dy të rinj me ideale progresiste/socialdemokrate ëndërrojnë për një Shqipëri të ndryshme nga ajo që parashihnin familjet e tyre konservatore dhe të pasura.

Më tej lufta, çlirimi i Shqipërisë, periudha e gjatë e komunizmit dhe në fund “demokracia”. Në të tëra këto kohë Gjyshe Nini ka qenë dëshmitare dhe vëzhguese e mprehtë e botës që e rrethonte.

Gjyshe Nini ka një rol themelor në formësimin e karakterit të Leas dhe të mbajtjes së ekuilibrave të familjes në kohë të vështira, sidomos kur familja në komunizën ishte futur në kategorinë e atyre me “biografi të keqe”.

Dhe këtë e bën me një fisnikëri unike, e frymëzuar nga idealet për një botë ku të sundonte drejtësia sociale, siç e shpaloste Revolucioni frëng, “ku i forti të mos nëpërkëmbte të dobëtin”, me shprehjen e solidaritetit ndaj më të vobektëve, më të vuajturve, dhe të tëra këto të përshkuara nga një indiferencë monumentale ndaj materiales, pasurisë, statusit të lartë social të dikurshëm.

Mbi të gjitha qendronte një vullnet i hekurt për të ruajtur dinjitetin njerëzor. Për Gjyshe Ninin bindjet politike nuk trashëgohen, ato zgjidhen lirisht nga vetë njerëzit, por ato duhet t’i shërbejnë shoqërisë dhe jo vetëm interesit vetjak. “Humbëm gjithçka, por nuk humbëm veten. Nuk humbëm dinjitetin, sepse dinjiteti nuk ka lidhje me paratë, lavdinë apo titujt. Unë jam i njëjti njeri që kam qenë. Dhe mua ende më pelqen uiski”, thotë Gjyshe Nini.

Babai dhe nëna. Babai dhe nëna. Babai i Leas, Zafo, është ndoshta personazhi më i veçantë i krejt librit, por ai nuk mund të kuptohet dot pa e parë të lidhur me personazhin tjetër, krejt të ndryshëm, ai i nënës, Doli. “Qëllimi i vetëm i shtetit, në pikëpamjen e saj, ishte të lehtësonte përqendrimin e pronës private dhe të garantonte kontratat e nevojshme në mënyrë që gjithkush të nxirrte përfitimet që i takonin. Çdo ndërhyrje tjetër, çdo veprim që shkonte përtej kësaj, nxiste parazitët shoqërorë që shpërdoronin paratë dhe burimet e shtetit.”

Në vizatimin e këtyre personazheve Lea ka përdorur mjeshtërisht sarkazmën, metaforat e goditura, krahasimet dhe, mbi të gjitha, kontrastet karakteriale. Babai shihet të ndryshojë disi pozicionin e tij para lentes së autores, që fotografon dhe vëzhgon evoluimin e tij nga komunizmi në “demokraci”. Në komunizëm, babai shfaqet si një personazh i ndrydhur, me një shqetësim të përhershëm për të mos rënë shumë në sy, për të qenë në rregull si gjithë të tjerët për sa i përket respektimit të disa normave të sjelljes në shoqërinë e asaj kohe. Frika e bënte këtë familje “me biografi të keqe” t’i kishte mjaft të mprehur receptorët për të detektuar edhe rrezikun më vogël që mund të vinte nga çdo drejtim. Nëna shikonte me realizëm çdo rrethanë, kurse babai luhatej mes kujdesit për “të qenë në rregull” dhe vëmendjes për të qenë njerëzor në çdo rrethanë.

Ndërkohë që në “demokraci” pozicioni i tij gradualisht del nga një sferë e mbyllur familjare dhe dora-dorës fiton një dimension më publik. Babai do ta gjejë veten të përfshirë në jetën politike të Shqipërisë paskomuniste, por gjithnjë me dyshimin e atij që mendon se edhe rendi i ri “demokratik” mund të jetë një shtypës i lirisë, paçka se retorika e re në modë ishte ajo e “lirisë dhe demokracisë”.

Por, ajo që mbetet e njëjtë në karakterin e tij është një ndjenjë humanizmi gati mallëngjyese. Humanizmi i tij është shtysa, por edhe pasoja e tërheqjes që ai ka drejt një lloj romantizmi të majtë, ose majtizmi romantik, i padefinuar ideologjikisht e ndërkohë i qendërzuar te virtytet njerëzore. Këtu pjesa kulmore është episodi me punojësit romë të Portit të Durrësit, të cilët do të pushoheshin nga puna për shkak të “reformave strukturore” pas viteve 1990.

Teta Donika dhe xhaxhi Mihali. Gjithkush që e ka jetuar kohën e komunizmit e ka të qartë se sa të rëndësishme ishin lidhjet me komshinjtë. Por, ato ishin në çdo rast lidhje me një karakter ambig. Ishin shprehje e solidaritetit në kohë të vështira, familjet ndihmonin njëra-tjetrën, por njëkohësisht ishin edhe raporte që gjithmonë kolaudoheshin nga ndjenja e dyshimit dhe e kujdesit, dhe patjetër FRIKA e kundondodhur se “edhe muret kanë veshë”. Teta Donika dhe xhaxhi Mihali janë pjesë e këtij areali, dhe mund të ishin komshinjtë e secilit prej nesh. Ata janë sinteza e vogëlsive të jetës së përditshme, që në fakt mbushin një pjesë të mirë të ekzistencës sonë, dhe fisnikërisë së rrallë njerëzore, që bëhet shumëfish më e rëndësishme kur shprehet në kushte të vështira. Xhaxhi Mihali ishte një komunist idealist, i cili përpara besnikërisë ideologjike vinte miqësinë dhe marrëdhëniet njerëzore. Ishte ky karakter i tij thellësisht njerëzor që do ta bënte atë një mbrojtës luajal të familjes Ypi, në një kohë kur familjet me “biografi të keqe” ishin një pré e lehtë për t’u goditur nga sikfterët e partisë apo edhe konformistët e paskrupullt të të gjitha kohëve.

Galeria e personazheve që Lea ka gdhendur me realizëm është e gjatë, mësuese Nora, Elona, Marsida, Besa, Mushka, Flamuri, Vincent van der Berg, Ahmeti, Hakiu, misionarët mormonë, Nona Fozi, mjeku i lagjes, dikur anëtar i zellshëm i PPSH dhe më tej “demokrat” i flaktë, etj.

Patjetër që një analizë të thelluar meriton në radhë të parë vetë personazhi i Leas, që është aktorja kryesore dhe zëri rrëfimtar i gjithë kësaj historie. Por, në këtë pikë do të rrezikonim të përfundonim në një kumtesë tepër të gjatë dhe mendoj se do të ishte më e udhës nëse lexuesi do ta zbulonte vetë personazhin kryesor.

Libri i Lea Ypit sjell edhe një kontribut tjetër, që është shumë i rëndësishëm në kohën që jetojmë. Ky libër është një shembull si se mund të luftohet kultura e simulim manipulimit që ka pllakosur shoqërinë shqiptare postkomuniste, dhe sidomos analizat që kanë lidhje me periudhën e komunizmit. Libri është shkruar me një sinqeritet dhe ndershmëri të thellë!

Njëzet vite më parë, shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja do të shkruante një seri artikujsh me titullin “Kundër kulturës së simulim manipulimit”. Ata artikuj mjaft të rëndësishëm për shqyrtimin e kulturës sonë postkomuniste, për fat të keq, nuk patën jehonën që meritonin. Në thelb autori shpjegon se si modele kulturore të komunizmit shenjojnë mënyrën tonë të të menduarit edhe në “demokraci”. Kultura patriarkalo-nacional-komuniste, siç e përkufizonte Fatos Lubonja, e detyronte njeriun të formësohej sipas një modeli që i predikohej. Ajo kulturë nuk e ftonte njeriun të futej brenda vetes, të njihte dobësitë e tij (sepse dobësia është njerëzore), por thjesht të simulonte modelin e heroit që propagandohej, shpjegon Lubonja. Në kohën e Partisë heroi ishte partizani sypatrembur, montatori i lartësive, fshatari vigjlient, pionieri shembullor në shkollë e në lagje, gruaja-burrë e klasës punëtore, etj.

Në modelin kulturor të postkomunizmit hyjnë tani personazhi i “disidentit” antikomunist, topmodelet e silikonuara, bisnesmenët muskulozë, vipat e programeve banalë nëpër TV, etj. Sipas Lubonjës, ajo që mbetet e përbashkët me të kaluarën është gatishmëria e mendjes për të imituar këto modele, të prodhuar nga e njëjta kulturë e simulimit dhe manipulimit.

Lubonja shkruan se rezultat i kësaj kulture është edhe fakti se njerëzit në vend të përpiqen të kuptojnë e shpjegojnë kohën e diktaturës, duke parë dobësitë e tyre dhe momentet kur u është dashur t’i nënshtrohen kësaj diktature, e largojnë fare atë moment dialogu me vetveten dhe përpiqen, sipas modelit të një heroi të ri që është krijuar, atij të disidentit antikomunist, të na paraqiten sikur paskeshin qenë heronjtë kundërshtarë të regjimit. Në thelb të kësaj kulture, vazhdon Lubonja, qëndron mungesa e introspeksionit, qendron paaftësia e njeriut shqiptar për të folur sinqerisht me veten.

Pikërisht këtë bën Lea Ypi me librin e saj, flet sinqerisht me veten dhe përpiqet të na shpjegojë një botë, siç ishte komunizmi, që rëndom tregohet në mënyrë të rreme. Ky libër shpjegon diçka thelbësore për kohën e komunizmit: FRIKËN, e cila ishte një forcë madhore në jetët tona, na shtynte të bënim dhe të mos bënim gjëra. Lea e bën këtë duke u zhvendosur me mendje në ato kohë, kur mendonim se komunizmi ishte fati ynë në këtë botë, pothuajse ishte etern.

Dhe të flasësh ndershmërisht për komunizmin duhet jo të nisemi nga një pikëvështrim finalist: pasi ka mbaruar gjithçka (fundi i regjimit komunist) ta shohim të kaluarën me sytë e së tashmes. Dmth duke ditur fundin ta përshkruajmë të kaluarën sikur do të ndiqte me saktësi matematikore trajektoren që tashmë njohim.

Në të kaluarën ne nuk e dinim atë trajektore, ne nuk e dinim si do të rridhnin ngjarjet. FRIKËRAT, dilemat, pasiguritë, bindjet, idealet mbi të cilat ndërtonim botën tonë e bënin të kaluarën ‘jetë të përditshme’, një labirint i paparashikueshëm mundësish, dështimesh, dramash, arritjesh, etj., ashtu siç e përshkruan me vërtetësi Lea.

Komunizmi sot nuk mund të shpjegohet si një dukuri që ecte përpara në drejtim linear kah shkatërrimi dhe ta reduktojmë ekzistencën e tij në një proces telelogjik. Shumica e njerëzve deri para fundit të viteve 1980 ishte e dorëzuar para mendimit se ai sistem do të ishte vetë jetë e tyre, ose kushedi se kur mund te vinte aq i dëshiruari ndryshim. Dhe kjo vinte ngaqë dhuna ekstreme shtetërore i kishte topitur mëndjet dhe fuqitë njerëzore, aq sa e pranonin pa rezistencë realitetin që u servirej.

Merita e librit të Lea Ypit qëndron te kontekstualizimi i besueshëm i ngjarjeve, te ndershmëria dhe sinqeriteti në përshkrimin e asaj që ne quajmë të kaluar. Në fund të fundit ky libër është një himn për njeriun e thjeshtë dhe vuajtjen, për të kuptuar veten dhe të tjerët, për të kuptuar se koncepti i lirisë është pazgjidhshmërisht i lidhur me moralin njerëzor.