LAJMI I FUNDIT:

Plani i BE-së për uljen e çmimeve të energjisë

Plani i BE-së për uljen e çmimeve të energjisë

Bashkimi Evropian pritet që gjatë kësaj jave të propozojë një sistem që do të lejonte shtetet që bashkërisht të blinin rezerva strategjike të gazit – një masë e hartuar nga blloku evropian në përgjigje të rritjes së çmimeve të energjisë.

Çmimet standarde të gazit me shumicë në Evropë u rritën më shumë se 500 për qind gjatë këtij viti, duke arritur nivele rekord në muajin tetor, pasi furnizimet e pakta me gaz përkuan edhe me kërkesën në rritje të ekonomive që po rimëkëmben nga pandemia e COVID-19. Pavarësisht se çmimet kanë rënë, ato vazhdojnë të jenë të larta.

Shumica e qeverive evropiane u përgjigjën me masa emergjente, të tilla si subvencione apo lehtësira tatimore, me qëllim që të mbronin qytetarët e tyre nga faturat e larta të energjisë.


Disa shtete, përfshirë Spanjën dhe Francën, kanë kërkuar gjithashtu që BE-ja t’i lejojë ato që bashkërisht të blejnë gaz dhe të krijojnë rezerva strategjike, me qëllim që të rrisin furnizimet e tyre.

Komisioni Evropian pritet që gjatë kësaj jave të propozojë një reformë sa i përket rregullave të tregut të gazit në BE. Shefja e BE-së për politika të energjisë, Kadri Simson ka thënë se në këtë reformë do të përfshihet një kornizë që do të mundësojë prokurimin e përbashkët të rezervave strategjike të gazit. Në një dokument i KE-së, të cilin e ka parë agjencia Reuters, thuhet se çdo blerje e përbashkët e gazit midis shteteve, do të bëhet në mënyrë vullnetare, transmeton Evropa e Lirë.

Pse janë të rëndësishme rezervat e gazit?

BE-ja ka kapacitet që të ruajë në depo deri në 117 miliardë metra kubikë të gazit natyror ose afërsisht një të pestën e konsumit të saj vjetor, thuhet në të dhënat e Gas Infrastructure Europe.

Depot ku ruhet gazi zakonisht janë minierat e kripës apo fushat e gazit, të cilat nuk kanë më gaz. Magazinimi i gazit është i nevojshëm për të balancuar luhatjet e kërkesës ditore dhe sezonale. Po ashtu, gazi i ruajtur nëpër depo mund të përdoret kur ka ndërprerje të furnizimit me gaz, kur ka ndërprerje të mëdha në infrastrukturë dhe veçanërisht kur ka kërkesa të mëdha gjatë motit të ftohtë.

Kapaciteti i ruajtjes së gazit në BE është i shpërndarë në mënyrë të pabarabartë në objekte të mëdha që gjenden në Francë, Gjermani, Itali dhe Holandë, por ndërlidhja me tubacione nënkupton që shtetet anëtare të bllokut mund të përdorin gazin që ruhet për vite të tëra në shtetet fqinje.

Gjatë muajve të verës, kur çmimet e shitjes me shumicë rëndomë janë më të ulëta, gazi zakonisht vendoset në depo që të përdoret gjatë dimrit, kur kërkesa dhe çmimet rriten.

Ky vit ishte i jashtëzakonshëm, pasi rezervat e gazit ishin më të ulëta për një sërë arsyesh, përfshirë edhe çmimet jashtëzakonisht të larta, që nënkupton se gazi u shit në vend se të ruhej në depo.

Çka janë rezervat strategjike të gazit?

Thënë thjesht, shtetet mund të blejnë bashkërisht gaz dhe të ndajnë me njëri-tjetrin rezervat e gazit.

Spanja, Franca dhe shtetet e tjera që përkrahin këtë ide, kanë thënë se udhëzimet e përbashkëta për rezervat e gazit mund të “zbusin rritjen e çmimeve”, ndërkaq blerja e gazit në mënyrë të koordinuar mes shteteve, mund të rrisë fuqinë e tyre negociuese.

Komisioni Evropian pritet që të bëjë publik detajet e planit të tij dhe shumë pyetje kanë nevojë të marrin përgjigje, përfshirë edhe atë se si shtetet do të kenë qasje në rezervat e gazit dhe implikimet që mund të kenë kompanitë që i zotërojnë ato rezerva.

Çdo rishikim i rregullave të BE-së kërkon që negocim nga vendet e BE-së dhe Parlamenti Evropian, një proces ky që mund të zgjasë me vite – megjithëse, kur bëhet fjalë për masa urgjente, ky proces mund të bëhet edhe më shpejt.

A ndihmon plani i ri në shmangien e rritjes së çmimeve?

Shtetet e BE-së janë përgjegjëse për politikat e tyre të energjisë, prandaj shtetet individuale kanë burime të ndryshme të energjisë dhe ndërtesa për ruajtjen e gazit.

Në këtë periudhë të vitit, BE-ja ka furnizime më të pakta të gazit sesa zakonisht. Deri në fund të nëntorit, rezervat e gazit të BE-së ishin të mbushura deri në 68 për qind të kapacitetit, që do të thotë se blloku evropian do të duhet të importojë 5 deri në 10 për qind më shumë gaz gjatë dimrit, është thënë në dokumentin e Komisionit Evropian, që u ishte dërguar shteteve të BE-së para samitit të 16 nëntorit, dokument të cilin e ka parë Reuters.

Nivelet e ulëta të rezervave nuk janë shkaku i vetëm i rritjes së çmimeve: Evropa konkurron me Azinë për furnizime me gaz të lëngshëm natyror, gjë që rriti çmimet; furnizimet me gaz rus kanë qenë më të ulëta se zakonisht; çmimet e karbonit kanë qenë në nivele rekord gjatë këtij viti; prodhimi i energjisë përmes erës ka rënë dhe ka pasur ndërprerje të mëdha të infrastrukturës.

Shtetet kanë paraqitur edhe propozime të tjera në përgjigje të rritjes së çmimeve të energjisë.

Spanja dhe Franca janë në mesin e shteteve që po kërkojnë ndryshimin e rregullores në mënyrë që çmimi i energjisë elektrike të ndahet nga çmimet e gazit dhe që çmimet e gazit të lidhen me koston mesatare të prodhimit në çdo shtet të BE-së.

Këto shtete thonë se sistemi aktual, sipas të cilit termocentralet e gazit zakonisht e përcaktojnë çmimin e energjisë elektrike, bën që konsumatorët të mos përfitojnë nga çmimet më të lira në shtetet ku energjia prodhohet nga burimet e ripërtërishme apo në shtetet që përdorin disa burime për prodhimin e energjisë.

Po Britania e Madhe?

Britania mund të marrë dhe të dërgojë gaz në Evropë përmes tubacioneve. Ky shtet nuk ka depo të gazit, pasi kompania energjetike britanike, Centrica mbylli depon e saj më 2017, duke thënë se mirëmbajtja e kësaj depoje ishte shumë e kushtueshme.

Kjo bëri që Britania – ku rreth 80 për qind e shtëpive ngrohen përmes gazit – të ketë kapacitet të magazinimit të barabartë me rreth katër deri në pesë ditë të kërkesës me gaz gjatë sezonit të dimrit, nga 15 ditë sa kishte më parë.

Nëse BE-ja krijon një rezervë strategjike, ka pak gjasa që Britania të përfshihet në të, pasi ky shtet u largua nga Bashkimi Evropian. /Reuters/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Ekonomi
Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Ekonomi
Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Ekonomi
Numër i vogël i inspektorëve në terren, jo të gjitha bizneset po kontrollohen

Numër i vogël i inspektorëve në terren, jo të gjitha bizneset po kontrollohen

Ekonomi
Unisolar - Investimi më i zgjuar ekonomik që mund të bëni!

Unisolar - Investimi më i zgjuar ekonomik që mund të bëni!

Ekonomi
Rreziku potencial nga imitimet, Perutnina Ptuj njofton për shenjat identifikuese të mishit të freskët të pulës

Rreziku potencial nga imitimet, Perutnina Ptuj njofton për shenjat identifikuese të mishit të freskët të pulës

Ekonomi
Kalo në kategori