LAJMI I FUNDIT:

Shqetësime për vendosjen e antenave ilegale të telefonisë mobile në veri, ARKEP thotë se po verifikon informatat

Shqetësime për vendosjen e antenave ilegale të telefonisë mobile në veri, ARKEP thotë se po verifikon informatat

Disa informata shqetësuese ka pranuar Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se është shtuar numri i antenave dhe operimeve të pa autorizuara nga operatorët e telefonisë mobile në veri dhe në disa pjesë të tjera të Kosovës.

Në anën tjetër, ARKEP vazhdon ta ndëshkojë Telekomin e Kosovës nga 5 mijë euro për çdo muaj për moszbatimin e kodit shtetëror +383.

Kështu ka thënë kryetari i bordit të ARKEP-it, Nazim Rahimi, për çka bëri me dije se kanë ngritur një njësit për verifikimin e tyre që pritet të ndodhë javën tjetër në atë pjesë të Kosovës.


“Konfirmoj me bindje të plotë se në territorin e Republikës së Kosovës nuk kemi operime ilegale të operatorëve mobil që nga marrëveshja e Brukselit në vitin 2015. Mirëpo, ne disa shqetësime i kemi pranuar këto ditë dhe kemi ngritur një njësit, i cili shumë shpejt do të bëj verifikimin në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe matjet që do të realizohen në veri të Kosovës… Ka pasur informata për ngritje të shqetësimeve se është shtuar numri i antenave dhe operime të pa autorizuar e kështu më radhë që ne do t’i verifikojmë dhe do të dalim me qëndrim zyrtarë pas matjeve dhe verifikimeve që do t’i bëjmë gjatë javës së ardhshme”, thekson Rahimi për KosovaPress.

Sa i përket Telekomit të Kosovës, ai thotë se kjo kompani publike për shkak të krizës financiare ende nuk po arrin ta implementojë në tërësi migrimin e numrave që kërkohet me kodin e ri.

Rahimi thotë se po punojnë që me menaxhmentin e Telekomit dhe institucionet tjera të gjejnë një zgjidhje për zbatimin e këtij kodi shtetëror.

“Për sa i përket Telekomit, është e vërtet se kjo kompani ka borxhe ndaj ARKEP-it, të cilat ne jemi duke i diskutuar edhe me Telekomin, por edhe me instancat qeveritare për çka mendoj se shumë shpejt do të bëhet një zgjidhje konkrete dhe të përfundojë kjo periudha e borxheve ndaj ARKEP-it. Absolutisht për çdo muaj për moszbatimin e kodit shtetëror ndëshkohet me 5 mijë euro në muaj. Kjo është vazhdimësi dhe deri në momentin e implementimin e kodit +383, jo vetëm Telekomi por edhe operatorë të tjerë do të ndëshkohen në rast se nuk kanë implementuar”, thotë Rahimi.

Kreu i bordit të ARKEP-it, beson se me mjetet e ndara me buxhetin 2022, për subvencionim të Telekomit, kjo kompani do arrijë të bëjë zgjidhje. Derisa ai bëri të ditur se borxhi i Telekomit ndaj ARKEP-it ka arrit rreth 10 milionë euro.

“Për shkak të problemeve financiare ka arrit deri tash, por jemi optimist që në këtë vit, por edhe në vitin vijues ku Telekomit i janë para parë një vlerë e caktuar subvencionimit besoj që kjo çështje do të zgjidhet në bashkëpunim me Telekomin dhe institucionet qeveritare. Vlera është diku 9.7 milionë euro”, thotë përfundon ai. /Telegrafi/