LAJMI I FUNDIT:

DEMI

DEMI

Nga: Jorge Luis Borges
Përktheu: Bajram Karabolli

Të hënën e fundit të shkurtit të vitit 158, ajri i shkretëtirës ishte shumë i qartë dhe njerëzit shikonin nga perëndimi në kërkim të hënës së Ramazanit, e cila nxit mundimin dhe agjërimin. Ishin skllevër, lypës, tregtarë kuajsh, hajdutë devesh dhe kasapë. Të ulur rehatshëm në tokë, ata prisnin shenjën, nga porta e vendqëndrimit të karvanit, në rrugën për në qytetin Merv. Shikonin perëndimin e diellit dhe ngjyrën e perëndimit të diellit që ishte si ajo e rërës.

Nga thellësia e shkretëtirës marramendëse (dielli i së cilës të përvëlon, ashtu si dhe hëna e saj të mahnit) ata panë tri figura që po afroheshin, të cilat u dukeshin shumë të larta. Të tre ishin njerëz dhe i mesmi kishte kokën e një demi. Kur u afruan, panë që ai në mes kishte maskë në kokë, ndërsa dy të tjerët ishin të verbër.


Dikush (si në përrallat e “Një mijë e një netëve”) pyeti se kush ishin dhe pse ishin ashtu.

– Këta të dy janë të verbër – tha ai me maskë demi. – U verbuan sepse panë fytyrën time.