LAJMI I FUNDIT:

Berlini, qyteti i përjetshëm i spiunëve

Berlini, qyteti i përjetshëm i spiunëve

Një punonjës i ambasadës britanike në Berlin u arrestua pasi ka spiunuar në favor të Rusisë. Duket si lajm nga koha e Luftës së Ftohtë, por është “business as usual”. Sidomos në Berlin, ku spiunazhet kanë traditë.

David S. quhet personi që u arrestua më 10 gusht në Pocdam nga punonjësit gjermanë të kundërzbulimit, BKA.

Arsyeja e urdhër-arrestit jepet me katër fjali nga Prokuroria: “David S. ka punuar deri në momentin e arrestimit si punonjës lokal në ambasadën britanike në Berlin. Ai i ka dorëzuar një përfaqësuesi të shërbimit sekret rus, të paktën një herë dokumente që i kanë rënë në dorë gjatë punës. Si shpërblim për këtë, i fajësuari ka marrë para në dorë në një sasi që nuk dihet. Arrestimi është bërë pas hetimeve të përbashkëta të autoriteteve gjermane dhe britanike”.


Shtypi berlinez ka shumë pyetje

Rast spektakolar? Aspak. Kryetari i Komisionit për çështjet me jashtë të parlamentit britanik, Tom Tugendhat, e vlerëson të dyshuarin si peshk të vogël, thuhet në një lajm të agjencisë gjermane të lajmeve, dpa.

Ajo citon politikanin të ketë thënë në një intervistë me televizionin britanik, BBC: “Jemi duke folur për dikë që ndodhet shumë poshtë në hierarki, për dikë që ka marrë disa vendime të gabuara dhe ndoshta ka tradhtuar vendin e vet”.

Tugendhat thotë duke spekuluar, se duke vëzhguar me muaj me radhë personin në fjalë, britanikët dhe gjermanët kanë marrë ndoshta informacione të dobishme për punën që rusët bëjnë në Berlin.

Prandaj gazetarët në kryeqytet janë kuriozë të mësojnë më tepër dhe shtrojnë këto pyetje gjatë konferencës qeveritare të mbajtur në Berlin, ditën e arrestimit:

A do të thirret ambasadori rus?

A mendohet të vendosen sanksione?

A janë identifikuar nga autoritetet gjermane përfaqësuesit e shërbimeve sekrete ruse? Dhe nëse po: A është ai punonjës i ambasadës ruse në Berlin?

Përgjigjet e qeverisë gjermane të kursyera

Përgjigjet deri tani kanë qenë me kursim.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane tha, se informacionet sipas të cilave aktiviteti sekret i të arrestuarit ka qenë me porosi të shërbimeve sekrete ruse, merren “shumë seriozisht”.

“Zbulime sekrete në tokën gjermane kundër një partneri të ngushtë të aleancës, janë diçka që ne nuk mund ta pranojmë”.

Prandaj hetimet e mëtejshme të Hetuesisë së Përgjithshme, do të ndiqen me kujdes.

Këtyre pohimeve i bashkëngjitet edhe një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Drejtësisë, i cili shton: “Unë natyrisht nuk mund të jap më shumë informacione nga ato të dhëna nga Prokuroria e Përgjithshme në deklaratën për shtyp.

Prandaj unë ju lutem t’i drejtoheni direkt Prokurorisë së Përgjithshme në Karlsruhe, për pyetjet që keni.” Direkt nga e thëna tek e bëra. Përgjigja: “Ju lutem të keni mirëkuptim, që për procesin e hetimeve nuk mund të japim të dhëna të tjera nga ato që përmbahen në deklaratat për shtyp të 11 gushtit 2021″.

Ajo që dihet është se David S. nuk është diplomat klasik i dërguar nga Londra në Berlin.

Ai ka qenë i punësuar si “punonjës lokal” i ambasadës britanike në Berlin. Punonjësit gjermanë të Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës, janë të bindur prej kohësh se borsalinat ruse janë shumë aktive në Berlin dhe se ato mundohen të marrin me joshje financiare informacione sekrete. Në raportin aktual të shërbimit sekret gjerman që është përgjegjës edhe për kundërzbulimin, përmenden katër „aktorë kryesorë që kryejnë spiunazhe dhe përpiqen të marrin ndikim në Gjermani”, sipas kësaj radhe: Federata Ruse, Republika Popullore e Kinës, Republika Islamike e Iranit, Turqia.

Rusia në fokus të Mbrojtjes Kushtetuese gjermane

Rusia vërehet me kujdes nga Mbrojtja Kushtetuese gjermane. Raporti në fjalë përmend tre raste gjatë të cilave është synuar të dëmtohen „marrëdhëniet politike të komunitetit të shteteve perëndimore”, nga të cilat vetëm një rast ka ndodhur në territoret e Gjermanisë:

Sulmi me helm ndaj një punonjësi të shërbimit sekret britanik, që ka qenë më parë oficer i shërbimit sekret të ushtrisë ruse, GRU, dhe ka kaluar në anën tjetër, Sergej Kripal dhe së bijës, kryer në Salisbury, në mars 2018.

Vrasja e një gjeorgjiani në një shesh parkimi me shumë lëvizje, në Berlin, në gusht 2019.

Sulmi me helm ndaj politikanit opozitar Aleksej Navalny në gusht 2020 në Rusi.

Duke pasur parasysh këto raste të rënda, arrestimi i spiunit të dyshuar David S. duket si pa peshë.

Prokuroria nuk thotë çfarë dokumentesh u ka dhënë ai rusëve. As gazeta „Bild”, e cila ka një rrjet të mirë informacioni, nuk jep detaje për aktakuzën, por e zbukuron artikullin duke marrë hua nga bota fiktive e spiunit të famshëm të kinemasë: James Bond, të quajtur 007. Në krahasim me të, i arrestuari i tanishëm është një „00Askushi”.

Gazeta “Bild” dhe “00Askushi”

Nëse është e vërtetë, çfarë kanë zbuluar gazetarët e “Bild”, atëherë David S. është tullac dhe jo më i gjatë se 1,75 metra. “A është James Bondi rus i Berlinit – spiun i Putinit?”, pyet gazeta? Dhe e zbukuron tekstin si nëpër filma:

“Policia, BKA dhe Mbrojtja Kushtetuese shkuan vonë në mbrëmje për të bërë arrestimin. Në orën 11 të darkës në Pocdam, në një ndërtesë katërkatëshe, që nuk bie në sy, ndërtim modern, në stilin “Neubau”. Para ndërtesës nuk është parkuar ndonjë makinë e tipit Aston Martin, por Ford Fiesta e spiunit. Policia kontrollon deri në katër të mëngjesit banesën dy-dhomëshe me ballkon dhe dritare me grila të ulura.

Zogjtë cicërojnë. Dita fillon të agojë në Pocdamin mondan, ku jetojnë milionerë dhe miliarderë, por edhe gjeneralë të Shtasit, shërbimit sekret të ish-Gjermanisë Lindore.”

Fakti që David S. jeton në Pocdam i përshtatet shumë mirë kësaj historie gati bajate dhe klishesë së Berlinit, si kryeqytet i spiunëve. Sepse të dy qytetet lidhen me njëra tjetrën me urën legjendare, Urën Glinike. Gjatë kohës së Gjermanisë së ndarë, kufiri kalonte pikërisht këtu në mes. Në këtë vend historik janë bërë këmbimet e spiunëve të arrestuar nga dy superfuqitë, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik. Filmi i Steven Spielberg “Bridge of Spies” bën fjalë për këtë. Edhe në filmin e John Le Carré, ” Spiuni, që erdhi nga vjen i ftohti” skenat dramatike zhvillohen në Pocdam.

Me siguri që hetuesit e dinë ku është takuar spiuni David S. me ata që i kanë dhënë detyrën. Derisa i kanë vëzhguar prej kohësh të dy palët. Takimet mund të jenë bërë në kafenetë e lagjes qeveritare të Berlinit. Ambasada Britanike, ku ka punuar 57 vjeçari David S. nuk ndodhet larg Ambasadës Ruse. Apo janë takuar në parkun e gjerë Tiergaten të Berlinit, dhe kanë këmbyer informacionet e rëndësishme? Në këtë zonë ka shumë mundësira për takime dhe fantazia nuk njeh kufi.

Mbase del që historia e agjentit ka më shumë të bëjë me kërkesat banale të jetës së përditshme. Sipas Prokurorisë, rasti i David S. është një nga shumë rastet e tjera. Arrestimet dhe akuzimet për dyshime për spiunazhe janë një rutinë. David S. nuk është agjenti i vetëm që është zbuluar gjatë 2021 në Berlin. Një qytet, ku mendohet të ketë mijëra spiunë për shkak të ambasadave të shumta nga e gjithë bota, selisë së parlamentit dhe qeverisë. Por prej tyre vetëm pak zbulohen.

Një nga rastet e shumta

Si për shembull Jens F.. Prokuroria ka ngritur padi kundër tij që në muajin shkurt të 2021. Ai kishte punuar për një firmë të angazhuar nga parlamenti gjerman, Bundestag-u, për të kontrolluar sigurinë e pajisjeve elektronike. Për të pasur qasje në pajisjet e duhura, Jens F., me moshë pesëdhjetë e ca vjeçare, ka pasur në dorë planet dhe skicat e ndërtesës së parlamentit. Me gjuhën pak të rrumbullakosur të Prokurorisë kjo tingëllon kështu: “Pjesë e detyrës ka qenë zbatimi i kontrollit të parashikuar me ligj, të pajisjeve elektrike që zhvendosen nga njëri vend në tjetrin, në ndërtesat që përdoren prej parlamentit.”

Maksimumi në segmentin nga fundi i korrikut 2017, deri në fillim të shtatorit 2017, Jens F., i cili sipas informacioneve të televizionit ZDF ka pas qenë ish-oficer i Ushtrisë Popullore në Gjermaninë Lindore, dhe punonjës i shërbimit sekret, Stasi, -ka vendosur “me iniciativën e vet”, t’i japë informacione shërbimit sekret rus. “Për këtë ai kishte ruajtur dokumentet elektronike të formatit PDF në një bartës të dhënash, të cilën ia dorëzoi një punonjësi të ambasadës ruse në Berlin, i cili punon kryesisht për shërbimin sekret të ushtrisë ruse, GRU.” Për rastin e David S. Prokuroria nuk ka folur ende kaq konkretisht si në rastin e Jens F.. Presim çfarë do të dalë. Mbase në fund hiç gjë: Sepse kemi të bëjmë me shërbime sekrete… /DW/

Në trend Botë

Më shumë
Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Botë
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë

Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë

Evropa
NATO dhe Ukraina do të zhvillojnë bisedime urgjente pas sulmit të Rusisë me raketa të reja hipersonike

NATO dhe Ukraina do të zhvillojnë bisedime urgjente pas sulmit të Rusisë me raketa të reja hipersonike

Botë
Teksa po fluturonte me aeroplan 'mbi llavën e zjarrtë të tij', turistja filmon shpërthimin spektakolar të vullkanit në Islandë

Teksa po fluturonte me aeroplan 'mbi llavën e zjarrtë të tij', turistja filmon shpërthimin spektakolar të vullkanit në Islandë

Evropa
Shkoi për t'i ndihmuar Putinit, ukrainasit plagosin një gjeneral nga Koreja e Veriut në Rusi

Shkoi për t'i ndihmuar Putinit, ukrainasit plagosin një gjeneral nga Koreja e Veriut në Rusi

Botë
Publikohet një dokument prej 1000 faqesh që detajon planet e Gjermanisë në rast të një lufte në Evropë

Publikohet një dokument prej 1000 faqesh që detajon planet e Gjermanisë në rast të një lufte në Evropë

Evropa
Kalo në kategori