Nga: Visar Zhiti
Më vjen të vë titullin “Kont” kur them emrin … Uran Kostreci. Jo vetëm pse kemi një Kont Urani në historinë e lavdishme të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, të atij burrit plot besë, që i qëndroi në krah Heroit Kombëtar dhe, edhe kur Sulltan Murati I a II, a të dy, ishin gati që t’i jepte mushka me florinj, që ta shiste Skënderbeun dhe ai s’u korruptua kurrë. Kështu edhe Urani im i qëndroi besnik vuajtjes së tij, burgut, idealit, nuk u korruptua asnjëherë, i paepur deri në ashpërsi, nga shkaku i drejtësisë. I dhembshur deri në lot, nga shkaku i mirësisë, poet, madje i sonetit, tringëllimës në shqip, që e shkroi pa ndërprerje, e buronte me një begati rimash, duke e bërë armën e tij si një shpatë argjendi marciale plot gurë të çmuar. Me atë godiste të keqen që i dilte përpara dhe nderonte si një kalorës virtytet dhe emrat e lartë, ata të nacionalizmit.
Secilit më të shquarve u ka kushtuar nga një sonet, që ua ka dhënë si dekoratë. Vërtet Uran Kostreci kishte diçka kalorësiakë prej konti, një vetmi fisnike dhe me miq plot, bredharak dhe i qëndrueshëm, që s’të falte dhe falës, zëlartë dhe i urtë, dinjitoz e i hijshëm, i gjatë, me një kapelë republike mbi krye, si një enigmë, me një shkak. Dhe me mendime republikane, konservatore, me cigaren në buzë si një shpotí, duhej ca tym, duhej. Portret dhe poeti dhe ashtu ishte. I përkiste letërsisë tjetër, asaj që erdhi nga burgjet dhe internimet. Dhe në librin tim, në sprovën “Kartela të Realizmit të Dënuar”, është dhe ajo e ustait të soneteve, qendrëstarit të burgjeve që tha: “Burgu s’më bëri asgjë mua”. E gjithë vuajtja për këtë sfidë…
… pasionanti i soneteve të klasicizmit, i atyre tringëllimave që duket se u krijuan qysh në shekullin XIII për t’i kënduar dashurisë dhe gëzimeve, por që në poezinë moderne shqipe, në letërsinë tjetër, u kthyen në klithma apokaliptike. Që i vogël, Uran Kostreci u njoh me persekutimin komunist: i arrestojnë babanë si nacionalist antikomunist, i nxjerrin nga shtëpia familjarisht… Duke u rritur, duke iu shtuar dëshira për shkollë, ia del të mbarojë “Normalen” e Elbasanit, bëhet edhe mësues, por do të shkruante keq në një poezi për Enverin. Vetëm arratisja do të mund ta shpëtonte, por e kapin në Liqenin e Pogradecit dhe e dënojnë me burg, e mbyllin në Burrel… I burgosuri Ejëll Çoba i dha mësime italishteje dhe Danten; Koço Tasi i bëri filozofi; Kudret Kokoshi i përforcoi sonetin dhe nacionalizmin, ndërsa rebelin e kishte vetë në gjak.
Kur ishte në vitin e 15-të, e dënojnë prapë me tetë vjet të tjera, me akuzën se kishte sharë Enverin – hakmarrje për poezinë që nuk ia gjetën dikur. Mbas 20 vitesh burg e lirojnë, sipas tij nga shkaku i “Lëvizjeve në Kosovë”. Punon hamall dhe e arrestojnë prapë dhe prapë në internim dhe ai prapë do që të arratiset dhe arrestojnë në tren dhe ai u ikën prapë… kur përmendet nga goditja me hekur në kokë, e sheh veten me pranga në duar. Mbas torturave të shpejta, një gjyq i shpejtë në Elbasan dhe e dënojnë me 3 vjet të tjera burg. “Epopeja e karkalecave”, poemë e Uran Kostrecit, doli nga burgu bashkë me të, jo e shkruar, e kishte në mbamendje dhe u bë e njohur si satirë.
S’bëhet fjalë për epideminë e karkalecave, që ra kur komunistët morën pushtetin, por është si një kacafytje letrare me një satirë tjetër të një shkrimtari të socrealizmit, e cila qe futur dhe në tekstet e shkollave ngaqë përqeshte patriotët dhe luftën e tyre, duke shtrembëruar të vërtetat historike. Urani i soneteve, i zgjedhur dhe si kryetar i Partisë Demokratike në Elbasan, i përvishet punës së antigenocidit, heton nga ata që ishin përgjegjës për persekutimet komuniste, nja 30 të tillë i bëjnë gati dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë, por lirohen shpejt nga rrëmujat e ’97 dhe mbetet i rrezikuari përsëri Urani i burgjeve dhe ikën.
Tani ia del, shkon në ShBA, kërkon strehim politik dhe strehohet te shoqata shqiptaro-amerikane “Vatra”. Më 2007 kthehet në atdhe, boton një libër me sonete dhe një novelë. Shkruan sonete vazhdimisht, edhe si 80 vjeç, ja atje mes njerëzve te një tryezë në kafenenë “Piazza” në qendër të Tiranës dhe nuk e heq nga kryet borsalinën. “Ca kuqo artistë, a për frik’ a për pare / Kur ferr qe Atdheu, iu lëpin tiranit: Ja shitnë ata, gjer dje, shpirtin shejtanit”! “Duke u tërhequr… këmba-dore zvarre / Bënë ata filma e rrejtën ashiqare / Se kuqot gjasme i dhan’ dërmën gjermanit… “. “Ndonse vran’ shqipo për qejf të Dushanit! / Çka u bë dje, s’po thotë askush gjë fare / Po qysh dhe sot… ca filma me kulakë / Spiunë amerikanë e priftërinj / Prap’ shfaqen… çoroditin mjaft të rinj, /Që s’njohin komunizmë e s’dinë aspak / Qysh kuqua Atdhen burgosi, derdhi gjak / E n’ internim ai vrau dhe çiliminj”. Ishte soneti “Çoroditje”, por a dini pse e mban borsalinën? Nuk do që t’i duket në kokë një vragë e thelluar plumbi.
E ka që nga atëherë, kur e qëlluan rojat në burg, teksa u ishte hedhur përsipër telave me gjemba të ferrit për t’u vrarë. Xhupi i të burgosurit iu shpupurit nga plumbat duke shpërndarë copëza pambuku të zi si pendë korbash dhe ai ra i vrarë. Kur ia zvarritën kufomën për te një nga birucat, një Zot e di se ç’engjëll erdhi dhe e ringjalli… “Që të mos duket as si hero dhe as si viktimë”, shkruan studiuesi Uran Butka, “ai mban atë kapele republike”. Kaq herë i bëri dredha vdekjes dhe s’ia kishte frikën asaj. Dilte nga spitali si më buzagaz, pas çdo operacioni, edhe me koronavirusin sikur tallej. Le të rivinte! E donte jetën, por më shumë nderin e saj.
I palodhur, më së fundmi vendosi të çlodhej. 83 vjeç mbylli sytë përgjithmonë. Sot, dje, nesër, s’ka rëndësi, rëndësi ka që ai pa edhe ferr, edhe parajsë, edhe sytë i xixëllonin njëlloj. Në fakt, tek ai më shumë panë… Ndizte një cigare dhe nën tymin e saj shkruante një sonet tjetër. Ai vërtet u bë një lloj konti i vonë i sonetit të harruar. Atdhetar së pari. Dhe shkruante edhe për Kosovën, edhe për Çamërinë, për demokracinë, ShBA-në, për burrat sërish, për politikën e ditës… sonete morali, si porositë. Pa zor! Dhe, si të ishin frymëmarrja e fundit. Si poet ai ka shumë frymëmarrje të fundit. Lajmi u dha se do të ketë homazhe në nderim të tij. Dhe ku?
Në Godinën e ish-të Përndjekurve Politikë. Atje… një tjetër trishtim dhe ky, i përndjekur deri në vdekje. I ndarë. Atje… Duket sikur homazhet kështu mund të bëheshin njëlloj dhe në qelitë e burgut të Burrelit. A s’kishte shteti salla institucionesh të kulturës, ku nën hijen e Flamurit Kombëtar, të silleshin dhe kurorat me lule, se Uran Kostreci u bë emër i njohur i poezisë së tanishme, mediatik me intervistat, emblematik si qëndrestar, zë i kujtesës së vuajtjes së madhe, që përbashkon dhe jo që e ndan popullin.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Platforma ku mund ta shikoni duelin e vitit Jake Paul - Mike Tyson
Cristiano Ronaldo po largohet nga Al Nassr shkaku i garës së FIFA-s
Publikohet lista e plotë me rregullat kontroverse për luftën Mike Tyson - Jake Paul
Trump dëshiron ta mbyllë Departamentin e Arsimit - çfarë do të thotë kjo për edukimin shkollor
Ledri Vula e pranon se ka fjetur me një fanse
John Thune zgjidhet kryetar i Senatit Amerikan - kandidati që donin shqiptaro-amerikanët