LAJMI I FUNDIT:

Seanca e radhës për vrasjen e Oliver Ivanoviqit mbahet më 6 korrik

Seanca e radhës për vrasjen e Oliver Ivanoviqit mbahet më 6 korrik
Foto: Arkiv

Seanca gjyqësore për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq pritet të mbahet më 6 korrik në orën 09:30 në departamentin special të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Lajmin për Telegrafin e bëri të ditur avokati Musa Damati, ku ndër të tjera tha se në këtë shqyrtim gjyqësor pritet që të dëshmojnë figura politike të cilat kanë njohuri direkte apo indirekte lidhur me rastin e vrasjes së rëndë politike.

“Më datën 6 korrik 2021 në ora 09:30 në departamentin special të Gjykatës Themelore të Prishtinës është caktuar që të filloj seanca e vazhdimit të shqyrtimit gjyqësor në rastin penal të vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Në këtë shqyrtim gjyqësor pritet që të dëshmojnë figura politike të cilat kanë njohuri direkte apo indirekte lidhur me rastin e vrasjes së rëndë politike”, ka thënë Damati.


Ndërkaq, në procesin, të cilin e udhëheq Prokuroria Speciale e Kosovës, të akuzuar janë: Marko Roshiq, Nedeljko Spasojeviq, Silvana Arsoviq, Zarko Jovanoviq, Dragisha Markoviq dhe Rade Basara, ndërsa, si udhëheqës të grupit kriminal, akuzohen Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

Ndryshe, politikani serb Oliver Ivanoviq, më 16 janar 2018, është vrarë me gjashtë të shtëna në shpinë, para objektit të partisë së tij “Liria, Demokracia, Drejtësia” në Mitrovicën e Veriut.

Nga përfundimi i luftës në Kosovë, ai ka qenë ndër politikanët më të rëndësishëm, ndërkohë që për disa vite rresht është përballur me një proces gjyqësor nën akuzat për “rolin e tij” në vrasjen e shqiptarëve nga lufta e fundit në Kosovë, e viteve 1998-1999. /Telegrafi/