Nga: Josif Papagjoni
Pirro Mani është teatri dhe teatri është Pirro Mani. Shpesh ky mendim absolut i ka rrahur mendjes sime, dhe sakaq e kam ditur se ai ishte një nga gladiatorët dhe kapitenët e famshëm të teatrit. Sigurisht, më i suksesshmi.
Unë kam shkruar një monografi mbi 300 faqe për Pirron diku nga fillimi i viteve 2000, kur ai ende nuk kishte ikur në Amerikë, por po bënte dokumentet, pasi i ati, Kosta, ishte shtetas amerikan.
Dhe, pata mundësinë të njiheshim bukur mirë edhe nëpër ca hulli të vetjakësive të tij, të familjes, të ëndrrave, të historive, sepse unë shkoja shpesh në shtëpinë e tij tek “Ali Demi” për të hulumtuar gjithçka ai dinte dhe rrinim gjatë bashkë e bisedonim për qejf. E shkrova me shumë dashuri atë monografi, por së bashku përmes një dialogu edhe estetik cekëm shumëçka nga mendimi për teatrin, regjisurën, aktrimin dhe aktorët, dramaturgjinë, historinë e teatrit shqiptar, meraket e tij, fantazitë, aventurat, GITIS-in. Dhe po e mbyll se me ikjen e Piros, teatrit të djeshëm sikur i iku shpirti. Iku edhe shtërgu i madh.
Shtërgu që e ngriti Teatrin Kombëtar atje ku vështirë se mbërrihet, posaçërisht me “Arturo Uinë”, “Hijet e natës”, “Vajza pa prikë”, “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Nata e 12”, “Epoka para gjyqit”, “Prometeu” etj. Pirro Mani, duke ikur, ti vjen; duke u shuar, ti mbetesh, ti ngjallesh, ti je! Je shenja e pamort e teatrit shqiptar. Përjetë.
Këtu më poshtë, për ata që duan të dinë diçka më shumë për regjisorin Pirro Mani, mund të lexojnë njësinë enciklopedike kushtuar atij: Mani, Pirro (1932-2021) Regjisor. Lindi në Tiranë, më 14 prill. Pasi mbaroi për aktor në Tiranë (1954), punoi ca kohë si punëtor, kreu shërbimin ushtarak në Gjirokastër, ku u aktivizua si aktor.
Më pas vijoi studimet universitare për regjisurë teatri në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS (Gosudarstvjenij Institut Teatralnovo Iskustva), në Moskë, në Bashkimin Sovjetik deri në vitin 1959. U dallua si një ndër studentët më të mirë të kursit. Luajti aty Edi Karbonen në dramën “Pamje nga ura” të Artur Milerit, vënë në Teatrin Uçebnij të Moskës. Pastaj rolin e Hozesë në filmin “Askush, kurrë nuk vdes” (1959), me operatorë Viktor Gjika dhe Dhimitër Anagnosti.
Pasi kreu studimet e larta, punoi si regjisor në teatrin “A. Z. Çajupi” të Korçës deri më 1967 dhe nga ky vit deri në 1992 në Teatrin Popullor ku për një kohë ishte edhe drejtor i tij (1988-1991). Ka përgatitur shumë studentë për aktorë dhe regjisorë si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe regjisurës në ILA, kurse në vitet 1974-1978 kreu, si pedagog i jashtëm, detyrën e shefit të katedrës së Regjisurës në atë Institut.
Të shumta kanë qenë shfaqjet e tij në Teatrin Kombëtar dhe teatrot dramatike të Shqipërisë, në Estradën e Tiranës, në TOB ku inskenoi disa opera të njohura nga repertori muzikor botëror e ai shqiptar. Ndihmesa që ai dha për ngjitjen dhe afirmimin e dramës shqipe në skenë mbetet nga meritat kryesore.
Mani solli qysh herët në teatrin “A. Z. Çajupi” të Korçës një frymë të re, që u përkap gjerazi më vonë nga teatri shqiptar përgjithësisht. Veçmas kjo ra në sy në ngulmimin e tij ndaj mënyrës realiste të lojës së aktorëve, vërtetësisë, kundër këngëzimeve, patetikës, enfazës, shfaqjeve të diletantizmit etj. Po kështu, ai solli risi në njëmendësimin me mjete e forma ekspresive të mizanskenës, të dekoreve, aplikimin e guximshëm të konvencionit, ndërfutjen e spikamave dhe qasjeve ekspresive, simbolike apo të parimeve konstruktiviste në trajtimin e rrafshit skenik, si p.sh., te dramat “Pamje nga ura” (1961) e Artur Milerit, “Vdekja e Blanko Postnet” (1962) e Bernard Shout, “Këneta” (1964) sipas romanit të Fatmir Gjatës, “Hijet e natës” (1965) e Vedat Kokonës, “Rrethimi i bardhë” (1966) e Naum Priftit.
Ishte individualiteti më i shquar i regjisurës sonë në vitet ‘60-’80 të shekullit të kaluar. Ai spikati për intuitën e mprehtë dhe imagjinatën pjellore. Stili i tij u formësua më tej në vitet 1967-1992.
Me shfaqjet e shumta në Teatrin Kombëtar ai dalloi për vërtetësinë, ashpërsinë dhe konkretësinë e madhe në dhënien e konflikteve dhe tablove të jetës, që funksionalizoheshin rëndom si gjendje apo trysni psikike, herë të llojit satiriko-dramatik dhe herë të llojit tragjiko-heroik (përmendim pjesët: “Fytyra e dytë”, 1968, e Dritëro Agollit; “I pazëvendësueshmi”, 1974, e Qamil Buxhelit; “Përmbytja e madhe”, 1976, e Kolë Jakovës; “Monserati”, 1983, e Roblesit; “Prometeu”, 1984, e Viktor Eftimiut).
Veçori e leximit regjisorial të tij ishte edhe prirja për të ndërtuar kundërshti e kontraste të forta, me veprime e kahe të përcaktuara, ku ndihej prania e një qëllimi të qartë e të ngulitur kryekreje, i cili shndërrohej, në fund, në metaforë (“Vajza pa prikë”, 1966, e Nikollaj Ostrovskit, në teatrin “A. Z. Çajupi” të Korçës dhe në ILA, 1971).
Ngulmimi për stilizimin klasicist të karaktereve, që vizatohen deri në hollësitë e tyre plastiko-ritmike, si dhe vendosja e veprimit në suazat e një mjedisi skenografik të konvencionalizuar, me një mizanskenë të tipit dinamik, ra në sy në trajtimin e çlirët të komedisë së Shekspirit “Nata e 12” (më 1965, në teatrin “A. Z. Çajupi” të Korçës dhe, sidomos, më 1987 në Teatrin Kombëtar ku ai aplikoi formën e vodevilit dhe elemente të komedisë muzikore).
Krijimtaria regjisoriale e Pirro Manit ka rënë në sy, po ashtu, në trajtimin plot nerv e pasion të pjesëve me theksa politikë të kohës, si “Cuca e maleve” (1967) e Loni Papës, ku falë simbolikës së germës “A” e shfrytëzuar në gjithë përbërësit dhe shtresimet e shfaqjes, ofroi asociacione poetike e një metaforë domethënëse. Po njësoj ai solli realitete e konflikte të forta politike në shfaqjet “Shënomëni dhe mua” (1974) e Hamaza Minarollit; “Komunistët” (1981) dhe “Furrnalta” (1976) të Ruzhdi Pulahës.
Ai parapëlqente alternimin e gjendjeve emocionale, me kapërcime të papritura e bashkëjetesa të guximshme të seriozes me qesharaken, të tragjikes e dramatikes me grotesken e komiken, të heroikes e të madhërishmes me vulgaren e të ulëtën. Një synim të tillë e realizoi veçanërisht me vënien në skenë të dramës së Bertold Brehtit, “Arturo Ui” (1971), një nga pikat kulmore të artit të tij, ku për herë të parë në teatrin shqiptar u zbatuan enkas dhe me sukses parimet e njohura brehtiane të tjetërsimit, të distancimit, të karakterit rrëfyes të ndodhive, të prerjes së planeve interpretative, të groteskut, të prishjes së iluzionit skenik, të ndërprerjes së qëllimtë të aksionit etj.
Në punën me aktorin përdori gjerazi metodën e etydeve, çastet improvizuese dhe demonstrimin. Teknika teatrale në imazhin e tij fitonte funksione artistike.
Duke pasur hobi arkitekturën, edhe për këtë arsye mizanskenat e tij ndërtoheshin shpesh vertikalisht (drama “Bidermani dhe zjarrvënësi”, 1976, e M. Fisherit).
Ishte mjeshtër i krijimit të skenave masive, i spektaklit madhështor epiko-heroik, rëndom me theksa kombëtarë e shënjime të anëve sublime të historisë së popullit shqiptar, porse brenda një forme realiste e të besueshme të të shprehurit artistik (pjesët: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, 1972, dramatizim i P.M. sipas romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë dhe më 1976 në Teatrin Krahinor të Kosovës; “Kush e solli Doruntinën”, 1988, dramatizim i P. Manit sipas novelës me të njëjtin titull të I. Kadaresë, në Teatrin e Kombësive në Shkup të Maqedonisë; “Epoka para gjyqit”, 1978, dramë e Ekrem Kryeziut etj.).
Në shumë shfaqje të tij u ka kushtuar kujdes vizatimit të personazheve kontradiktore, dyfytyrëshe e të tjetërsuara; ai mëtonte përmes sprovave dhe eksperimentimeve tek aktorët për të krijuar “galeri” e “mozaik” figurash, karakteresh të kundërta, në tonime tragjiko-komike, shpesh groteske, me truke dhe efekte të qëllimta teatrore, si p.sh., “pikat” apo “goditjet” në fund të tablove, në episode të veçanta etj.
I pajisur me cilësi aktoriale, ai luajti bukur rolin e Sali Protopapës në filmin “I teti në bronz” (1969), si dhe disa role të tjerë në teatër dhe film (Stavri Lara në filmin “Vitet e para”, 1966; babai në filmin “Larg barbarëve”, 1995, të regjisores franceze Liri Begeja).
Në vitin 1999 iu dha titulli “Qytetar Nderi” i Korçës. U largua nga Shqipëria në vitin 2000 dhe emigroi në ShBA, si nënshtetas amerikan nga i ati, Kosta, arkitekt i njohur i viteve 1930. Mban titullin “Artist i Popullit”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëXhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare
ASHIK QERIBI
GJUHA SHQYPE
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Parashqevi Qiriazi, Kongresi i Manastirit dhe “Himni i Alfabetit” me burim nga Kolegji Yale
Fuqia e fjalës së Fishtës në Kongresin e Manastirit dhe reagimi i hoxhës Hafiz Ibrahimi
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje