LAJMI I FUNDIT:

Mehaj ul shpenzimet në Ministrinë e Mbrojtjes, thotë se me paratë e kursyera do të blihen pajisje ushtarake

Mehaj ul shpenzimet në Ministrinë e Mbrojtjes, thotë se me paratë e kursyera do të blihen pajisje ushtarake
Foto: Arkiv

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se ka ri-aranzhuar planin vjetor të prokurimit dhe shpenzimet për një numër të caktuar të aktiviteteve të prokurimit.

Mehaj ka thënë se kjo është bërë me qëllim që të shtohen kapacitetet operacionale të FSK-së, transmeton Telegrafi.

“Aktivitetet e planifikuara të cilat kishin në fokus reprezentacionin, shpenzimet për mirëmbajtje të automjeteve, shpenzimet për blerjen e automjeteve dhe shpenzimet e marketingut, janë ri-aranzhuar me qëllim të vënies së fokusit në nevojat operacionale dhe blerjeve ushtarake për FSK-në. Vlera e ri-aranzhuar është 1,5 milion € ndërsa nga procesi i rishikimit gjithashtu do të shqyrtohen dhe zvogëlohen shpenzimet edhe për kontratat ekzistuese deri në nivelin 1 milion €”, ka thënë ai.


Gjithashtu, Mehaj thotë se nga paratë e kursyera do të bëjnë blerjen e autobusëve të rinj.

“Me këtë rast kam vendosur që kjo vlerë të planifikohet për të krijuar një mundësi të sigurt të transportit për të gjithë pjesëtarët e FSK-së. Për vlerën prej 2,5 milion € të cilën kemi arritur t’a kursejmë nga plani i shpenzimeve për kontratat ekzistuese dhe aktivitetet e prokurimit për 2021, do të bëjmë blerje të autobusëve të rinj, për të krijuar lehtësi në operacionalitetin dhe transportin e secilit pjesëtarë, gjithandej Kosovës”, thotë ai.

Mehaj pohon se “të njëjtat ndryshime do të reflektohen në procesin e rishqyrtimit buxhetor për vitin 2021”.

“Ndërsa për periudhën e ardhshme të planifikimit buxhetor në vitin 2022, ku buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes është rritur në vlerën 106 milion €, do të jetë në fokus blerja e pajisjeve ushtarake për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së”, pohon Mehaj.

Ministri ka treguar se si do të bëhen blerjet ushtarake.

“Blerjet ushtarake ekskluzivisht do të bëhen përmes programeve për blerje ushtarake “shtet me shtet” dhe programin amerikan FMS për të siguruar maksimizim të shpenzimeve buxhetore përmes një procesi kredibil dhe transparent”, sqaron ministri. /Telegrafi/