LAJMI I FUNDIT:

LDK sot zgjedh kryetarin, kush janë katër kandidatët që po synojnë këtë post

LDK sot zgjedh kryetarin, kush janë katër kandidatët që po synojnë këtë post

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), sot mban Kuvendin zgjedhor për të zgjedhur kryetarin e ri.

Kandidaturën e tyre për kryetar e kanë konfirmuar Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Anton Quni dhe Besian Mustafa, shkruan Telegrafi.

Anëtarë të kryesisë dhe degëve të LDK-së kanë përmendur edhe emrin e Kujtim Shalës, por ky i fundit nuk është deklaruar nëse do të jetë pjesë e garës.


Statuti i LDK-së e përcakton se kandidaturat për kryetar bëhen në punimet e kuvendit. Neni 25 i statutit e parasheh që “secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 për qind plus 1 të delegatëve të pranishëm”. Duke marr parasysh faktin se kuvendi i LDK-së ka 355 delegatë, duke përfshirë edhe kryetarin e partisë, secilit kandidatë potencialë i nevojiten 178 vota përkrahëse për të hyrë në listën e kandidatëve për kryetar.

Por, në rast se kuvendi nuk aprovon më shumë se një kandidaturë, atëherë kuvendi vendos për mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit për kryetar.

Më poshtë Telegrafi ua sjell profilin e katër kandidatëve deri më tash për kryetar të LDK-së:

Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku ka lindur më 22 prill 1983. Abdixhiku përfundoi studimet universitare në Universitetin e Prishtinës; Lumir mori gradën Master i Shkencave në vitin 2006 nga Universiteti Staffordshire në Britani; në fushën e Moralit Fiskal.

Në vitin 2013 ai mori Doktoraturën e tij në ekonomi nga Universiteti Staffordshire pas katër vjet kërkimesh dhe hulumtimesh në fushën e përcaktuesve të evazionit të taksave të biznesit në vendet në tranzicion. Abdixhiku është gjithashtu Drejtori Ekzekutiv i Institutit Riinvest. Ai u bashkua me Institutin në 2005 dhe që atëherë ka qenë i përfshirë në disa projekte kërkimore, avokuese dhe zhvillimore – në Kosovë dhe jashtë saj.

Ai ishte ministër i Infrastrukturës dhe Mjedisit nën Qeverinë Kurti . Para kësaj, Abdixhiku ishte Kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitin 2017-2019.

Në zgjedhjet e vitit 2019, Abdixhiku ishte politikani i 9-të më i votuar në Kosovë dhe filloi mandatin e tij të dytë si deputet i Kuvendit të Kosovës. Aktualisht ai është anëtar i Kryesisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Lutfi Haziri

Lutfi Haziri u lind më 8 nëntor të vitit 1969 në Gjilan. Ai është biolog me profesion, ndërsa gjatë viteve ’90-ta, ishte anëtar i strukturave udhëheqëse të studentëve në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 1990, ishte anëtar i strukturave të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kosovës dhe udhëheqës i një varg funksionesh në kuadër të strukturave paralele ekzistuese në Kosovë.

Në mars të vitit 1990, u zgjodh kryetar i Degës së Forumit të Rinisë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan dhe në këtë funksion ishte deri në vitin 1997. Në vitin 1997, u zgjodh zëvendëskryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë. Haziri i kreu që të dyja këto funksione deri në vitin 2000.

Në nëntor të vitit 1998, Haziri u arrestua dhe u burgos nën akuzat e udhëheqjes së strukturave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Karadakut të Gjilanit. Në gusht të vitit vitin 1999, pas lirimit nga burgu, u emëruar zëvendëskryetar i Komunës së Gjilanit, ndërsa në nëntor të vitit 2000, ai u zgjodh kryetari i parë i po të njëjtës Komunë në zgjedhje të lira, në të cilin funksion ai qëndroi deri në janar të vitit 2005.

Në qershor të vitit 2001, themeloi dhe u zgjodh kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës. Në këtë funksion, u zgjodh edhe udhëheqës i delegacionit të komunave të Kosovës në Kongresin e Pushtetit Lokal dhe Regjional në Strasbourg (Këshilli i Europës).

Në dhjetor të vitit 2004, u zgjodh ministër i parë për Administrim të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës. Paralelisht në vitin 2004, Haziri u zgjodh edhe anëtar i Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gjatë viteve 2005-2007 ka qenë pjesë e grupit politik në bisedimet për statusin final të Kosovës. Në vitet 2006-2008 është zgjedhur edhe zëvendëskryeministër i Kosovës.

Haziri është nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Lutfi Haziri në legjislaturën 2008-2010 ka qenë shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës.

Më 2010 rizgjidhet sërish deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrime Europiane dhe bashkëkryesues i Task Forcës për integrime, pozita këto që i mbajti deri në dhjetor të vitit 2013 kur rizgjidhet kryetar i Komunës së Gjilanit. Ka qenë anëtar I Komisionit Mbikëqyrës për Intelegjencë e Siguri.

Haziri është Qytetar Nderi i Komunës Luterbah në Strasbourg (Francë) Kolonel Kentucky/Shtetit të Kentucky në SHBA, Qytetar Nderi i qytetit Lexington, Qytetar Nderi Hot Springs-Arkansas dhe dekorata e mirënjohje ndërkombëtare. Posedon diplomën për Menaxhim nga OSBE-ja, certifikatën e Universitetit Georgetown, Washington DC, Colorado University SHBA, diplomë nga Instituti Amerikan për Paqe – USIP, si dhe shumë mirënjohje dhe certifikata nga institucionet vendore e ndërkombëtare.

Më 24 dhjetor të vitit 2013 është zgjedhur për herë të tretë kryetar i Gjilanit me votë plebishitare, për t’u rikonfirmuar në dhjetor 2017 sërish në krye të këtij qyteti, për herë të katërt. Haziri është anëtar i Bordit të ALDA me seli në Bruksel, sikurse edhe anëtar i Parlamentit Global të Komunave, me seli në Hagë. Aktualisht është zëvendëskryetar i LDK-së dhe kryetar i Degës në Gjilan. Është i martuar dhe ka katër fëmijë.

Anton Quni

Është i lindur më 09 qershor 1967 në fshatin Fshaj të Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në Bishtazhin të Gjakovës, shkollën e mesme ushtarake në Beograd, kurse studimet me rezultate të shkëlqyera në Akademinë Ushtarake në Beograd dhe Sarajevë gjatë periudhës akademike 1986-1990.

Pas diplomimit, si oficer i karrierës ka shërbyer në detyra të ndryshme të liderit ushtarak duke arritur deri në pozitën e komandantit të kompanisë në ish-APJ kur edhe largohet me fillimin e shpërbërjes së saj më 1991. Për shtatë vite ka jetuar dhe vepruar në Zvicër dhe Kroaci. Me fillimin e luftës në Kosovë më 1998, i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në detyrën e komandantit të Batalionit Diversant-Vëzhgues. Më 1999 emërohet në detyrën e Shefit të Shtabit të GO-3 e cila më vonë shndërrohet në Brigadën 138 “ Agim Ramadani“.

Pas shpërbërjes së UÇK-së në vitin 1999, karrierën ushtarake e vazhdoi në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës. Për katër vite e kreu detyrën e shefit të Shtabit të Qendrës për Trajnim Kolektiv, e pastaj më 2003 emërohet shef i Shtabit të Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës. Pas shpërbërjes së TMK-së dhe krijimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, më 2009 emërohet këshilltari ushtarak i komandantit të FSK-së me gradën Kolonel, detyrë të cilën e ushtron deri në vitin 2010. Nga kjo pozitë kalon në Presidencën e Republikës së Kosovës si këshilltar politik për çështje të sigurisë së Presidentit të vendit.

Quni, angazhimin politik e filloi në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku në zgjedhjet e katër legjislaturave radhazi, bindshëm merr besimin qytetarë duke u zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Gjatë dy mandateve të para (2010-2017) ka qenë anëtar i komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, kurse në mandatin e tretë (2017-2019) ishte anëtar i komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, u zgjodh përsëri deputet i Kuvendit të Kosovës, dhe i mandatuar nga partia e tij (LDK) u emëruar ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në angazhimin e tij partiak në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës aktualisht është kryetar i Degës në Prizren dhe nënkryetar i Kryesisë Qendrore të LDK-së. Flet gjuhët angleze, serbe dhe kroate. Hobit e tij janë noti dhe skijimi.

Besian Mustafa

Besian Mustafa, u lind më 14.08.1984 në Prishtinë. Shkollimin fillor e ka mbaruar në SH.F.M.U. “Dardania”, në Prishtinë, ndërkaq shkollimin e mesëm në gjimnazin “Sami Frashëri’’ në Prishtinë dhe “Auburn High School” në ShBA.

Studimet bachelor i ka përfunduar në Universitetin La Roche në ShBA, në drejtimet financa dhe kontabilitet, ndërsa studimet Master në Universitetin e Qytetit në New York, ShBA.

Një profesionist i nivelit të lartë me përvojë si menaxher, drejtor dhe anëtar i bordeve të organizatave private, publike dhe jofitimprurëse për më shumë se 10 vite.

Eksperienca profesionale:

Drejtori i Përgjithshëm në Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), 2015 – 2018; Drejtor i Menaxhimit të Riskut, TEB, 2012 -2015; Zëvendësdrejtor i Thesarit dhe Menaxhimit të Pasurive dhe Detyrimeve, TEB, 2008-2012; Analist i Menaxhimit të Riskut, NLB Prishtina,2008; Zyrtar i Lartë i Thesarit, NLB Prishtina, 2006-2007;
Konsulent i jashtëm në UNDP dhe OECD, 2018; Ligjërues në Universitetin Staffordshire në Prishtinë në lëndët: Menaxhimi e Riskut, Financat e Aplikuara të Korporatave, Kontabiliteti, Menaxhimi përmes Informacionit dhe Tregjet e Sigurimeve, 2013-2017; Ligjërues në Kolegjin AAB në lëndët Analiza e Pasqyrave Financiare, Menaxhimi Financiar dhe Financat Ndërkombëtare, 2014-2015.

Emërimet Qeveritare dhe Bordet:

Kryetari i Grupit Negociator për Anëtarësimin në COSME në BE, 2017; Koordinatori Kombëtar për Aktin e Biznesit të Vogël të Evropës, 2017- 2018; Anëtar i Task Force për Reformat e Indeksit të Bërjes së Bankës Botërore, 2017- 2018; Anëtar i Bordit dhe kryetar i Komitetit të Menaxhimit të Riskut të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, 2016-2018; Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të Parkut të Biznesit në Drenas, 2015-2018; Anëtar i Grupit Këshillimor të Platformës, Ndërtimi i Ndërmarrjeve dhe Inovacionit i Ndërmarrjeve në Ballkanin Perëndimor, 2015-2018; Anëtar i Bordit të Kosovo American Education Fund (KAEF), 2015-2018; Zëdhënës në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), 2018- tutje.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor të vitit 2019 kandidoi për deputet, duke rezultuar ndër 6 më të votuarit në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. /Telegrafi/


Në trend Lajme

Më shumë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori