LAJMI I FUNDIT:

Dialogu mbetet në agjendë

Dialogu mbetet në agjendë

Mesazhe të pritshme janë cilësuar deklaratat që i bëri në Prishtinë përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë –Serbi, Mirosllav Lajçak.

Emisari i BE-së tha të martën në Prishtinë se procesi i dialogut mund të përmbyllet shpejt nëse palët kanë përkushtim dhe vullnet për një gjë të tillë. Ai beson se kjo mund të ndodhë brenda mandatit të qeverisë së re, që pritet të udhëhiqet nga Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje e cila fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit.

Profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu tha se qëndrimi i BE-së dhe optimizmi i Lajçakut, duhet parë pozitivisht.


“Ishte mesazh i pritshëm për shkak të legjitimitet të freskët që mori Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti në zgjedhjet e fundit, që morën një mbështetje masovike. Prandaj, është mirë që të ballafaqohen me dialogun”, tha Lushaku- Sadriu.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se vizita e Lajçakut në Kosovë, dëshmoi se dialogu do të jetë prioritet. Ajo tha se në këtë fazë, megjithatë nuk mund të flitet për afate kohore.

“Para se të flasim për afate kohore, është mirë të flasim për formatin çfarë palët po synojnë të arrijnë. Me dialogun Kosovë-Serbi, qeveria e ardhshme do të duhet të merret, edhe nëse nuk e ka prioritet numër një, e ka ndër prioritete e saja. Kjo qeveri ka mandat katërvjeçar dhe ndoshta do të jetë e mundur që të arrihet një marrëveshje mes të dyja palëve”, tha Krasniqi.

Pritjet e Lajçakut

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak pas një takimi me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, tha se pret zbatimin e programit elektoral të Kurtit dhe Osmanit, por shtoi se partnerët ndërkombëtarë, BE-ja dhe SHBA-ja, presin edhe vazhdimin e dialogut.

“E kam thënë edhe në të kaluarën dhe e po e përsëris se ky proces do të mund të përmbyllet brenda disa muajve, nuk kërkon vite që të arrihet marrëveshja. Por, ne nuk jemi ata që po nxitojmë ose ata që e ngadalësojnë procesin. Janë Kosova dhe Serbia që vendosin se sa shpejtë duan të procedojnë. Nëse duan të takohen na baza mujore, ne jemi aty. Nëse ata duan të takohen në baza javore, ne jemi këtu për të ndërmjetësuar dhe ne nuk na duhen edhe dhjetë vjet të tjera, as pesë vjet të tjera, as tre vjet, nëse ka përkushtim dhe vullnet të palëve”, u shpreh Lajçak.

Ai tha se pret që klasa politike në Kosovë të jetë unike në këtë drejtim dhe ta kuptojë rëndësinë e dialogut me Serbinë.

Lajçak i siguroi liderët kosovarë se procesi i dialogut është në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara.

“Jam i lumtur të them se pas ardhjes së administratës (së presidentit amerikan, Joe) Biden, ky bashkëpunim nuk mund të jetë më i ngushtë sesa është. Ne po punojmë ngushtë në baza ditore, me partnerët tanë amerikanë dhe miqtë dhe ne e ndajmë qëllimin e njëjtë që është e ardhmja evropiane për Kosovën dhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Lajçak.

Osmani: Nuk negociojmë për çështjet e brendshme

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, e cila garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se institucionet e reja do të angazhohen në dialog, por me një qasje të re, e cila sipas saj, synim kryesor do të ketë trajtimin e barabartë në dialog dhe njohjen e ndërsjellë si akt final.

“Qasja e re nënkupton që ne assesi nuk mund ta pranojmë që çështja e kufijve, sovraniteti, rregullimit kushtetues të Kosovës të bëhen pjesë e negociatave sepse ato negociata kanë përfunduar në vitin 2008, nën mandatin e Ahtisartit”, tha Osmani.

“Kosova ka bërë shumë koncesione, sa e kanë sjellë buzë jofunksionalitetit. Nuk është tema se çfarë mund të japë sërish Kosova, por se si BE-ja mund t’ua jap përfitimin Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE”, shtoi ajo.

Osmani tha se ka kërkuar nga Lajçaku që pas konstituimit të insititucioneve të reja, t’iu ofrohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në kuadër të dialogut dhe të shihet se në çfarë faze janë zbatuar ato dhe çfarë mund të bëhet.

Pas takimit me Osmanin, Lajçak u takua me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti.

Sipas njoftimit për media, Hoti e ka falënderuar Lajçakun për bashkëpunimin e deritanishëm në ndërmjetësimin e dialogut dhe “i ka dëshiruar atij sukses në finalizimin e këtij procesi”, thuhet në njoftimin për media të zyrës së Hotit.

Kurti kërkon dialog të përgatitur mirë

Mirosllav Lajçak arriti të hënën në Kosovë, ku takimin e parë me lidershipin e Kosovës e zhvilloi me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Kurti, pas fitores ka thënë se dialogu me Serbinë nuk është në mesin e prioriteteve kryesore të qeverisë që ai mëton ta udhëheqë.

Pas takimit të së hënës me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Kurti deklaroi se nuk e mohon rëndësinë e dialogut me Serbinë, por shtoi se ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe i sinqertë.

Kurti tha se “nuk është në presion të kohës” dhe nuk dha datë se kur mund të rifillojë dialogu.

Qasje e re në dialog?

Profesoresha Jehona Lushaku-Sadriu thotë se nuk e ka ende të qartë se çfarë nënkuptohet me qasjen e re në dialog, të cilën po e proklamojnë Kurti e Osmani, edhe pse nuk e sheh të pamundshme që në procesin e dialogut të imponohet një qasje e re. Ajo thotë po ashtu se dialogu si proces, nënkupton edhe kompromis.

“Përparësia e këtij dialogu është që BE-ja mban karotën për të dyja palët e që është anëtarësimi në BE. Kjo është një mundësi e dialogut që palët duhet ta shfrytëzojnë. Edhe Kosova duhet të krijojë idenë e saj legjitime, të miratuar në parlament, dhe të shfrytëzojë të gjitha mjetet dhe lidhjet që ka me miqtë ndërkombëtarë, që kompromisi të jetë sa më i vogël i mundshëm”, vlerësoi Lushaku-Sadriu.

Edhe Jeta Krasniqi nga KDI pret qartësim të qasjes së re nga Kurti e Osmani.

“Tani kemi një realitet tjetër politik, pasi kemi një administratë të re në SHBA dhe Kosova dhe institucionet e saj duhet të bashkëpunojnë, qoftë me SHBA-në, BE-në, që qasja që duhet të integrohet në dialog, të shtyhet përpara. Mbetet realiste si qasje, por mbetet të shihet edhe qasja e zotit Kurti se çfarë nënkupton”, tha Krasniqi.

Ndryshe, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak gjatë ditës ka takuar edhe liderë të tjerë politikë në Kosovë, ndërkaq të mërkurën fillon vizitën dyditore në Serbi.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Pas një ndërprerje 20-mujore, dialogu rinisi në korrikun e vitit 2020.

Takimi i fundit i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar në shtatorin e vitit të kaluar.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut./rel/