LAJMI I FUNDIT:

Gërxhaliu: Kosovës i nevojitet partneritet me FMN dhe jo program me të

Gërxhaliu: Kosovës i nevojitet partneritet me FMN dhe jo program me të

Kosova që nga anëtarësimi në Fondi Monetar Ndërkombëtar në vitin 2008 ka qenë pjesë në disa programe të saj, të cilat në disa raste nuk i ka përmbushur kriteret e kërkuara nga Fondi në disa fusha, për të cilat edhe është ndëshkuar.

Eksperti ekonomisë, Safet Gërxhaliu vlerësoi se partneriteti me FMN, është i rëndësisë së veçantë qoftë në aspektin ekonomik, politiko-strategjik, psikologjik dhe garancë për ndërkombëtarizimin e ekonomisë së Kosovës.

“Vet të qenurit pjesë e FMN-së, nënkupton në vete, një stabilitet politik, ekonomik, sundim të rendit dhe ligjit dhe në veçanti disiplinë financiare dhe llogaridhënie për paranë publike”, tha Gërxhaliu.


Sipas tij, Kosova ka dështuar në disa raste të jetë partner i denjë i FMN-së, dhe për këtë arsye edhe është ndëshkuar në mungesë të tranparencës dhe llogaridhënies për menaxhimin e disiplinuar të parasë publike.

“Sot Kosova është para sfidave të shumta, por në veçanti i mungon uniteti dhe stabiliteti politik, për t’i votuar ligjet e rëndësishme për reforma ekonomike si: Ligji për Banka, Aprovimin e Projektligjit për Buxhetit për vitin 2021, Kompletimi të Bordit të BQK-së, nga ana e Kuvendit të Kosovës si dhe ligjet e tjera që janë të rëndësishëm qoftë për Kosovën, por edhe për forcimin e partneritetit me FMN. Prandaj fatin e disiplinës dhe llogaridhënies financiare nuk mund ta mbuloj vetëm Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), por duhet një angazhim më i fuqishëm edhe i qeverisë me qëllim të arritjes së objektivave nga partneriteti dhe programet e FMN-së”, tha ai.

Gërxhaliu tha se nëse institucionet e Kosovës do të tentojnë të hyjnë në programe me FMN-në, në këtë kohë pandemie dhe kur vendi është në krizë politike dhe nëse do të kishte prapë ndëshkime nga FMN, atëherë ky do të ishte një mesazh shumë i keq për Kosovën, jo vetëm në momentin aktual, por edhe për perspektivën dhe partneriteti strategjik për të ardhmen me FMN dhe organizma të tjera ndërkombëtar. /RTK/