Nga Muhamet Hajrullahu & Albert Spahiu
Ka vite që Shqipëria dhe Kosova promovojnë bashkëpunimin institucional ndërmjet dy qeverive edhe me marrëveshje të nënshkruara, që për qëllim kanë lehtësimin e procedurave për marrëveshjet dhe koordinim të vendeve tona.
Por, këto marrëveshje shpesh kanë qenë në kritikën për mënyrën e organizimit dhe bërjes kryesisht të një “show medial” e më pak zbatim të këtyre marrëveshjeve në përditshmëri.
Ani pse marrëveshjet u prezantuan shpesh si shumë të rëndësishme, ato nuk po gjejnë zbatim.
Më 2 tetor është mbajtur mbledhje e gjashtë e dy qeverive në Tiranë në përpjekje për të thelluar bashkëpunimin.
Në takimin e fundit, qeveritë sërish premtuan heqjen e barrierave kufitare për tregtinë dhe për këtë nënshkruan 13 marrëveshje, memorandume e protokolle.
Që prej janarit të vitit 2014 kur u realizua takimi i parë në Prizren, numri i marrëveshjeve të nënshkruara në këto takime arriti në 83.
Janë disa marrëveshje të cilat në aspektin ekonomik synojnë të përcaktojnë drejtimet kryesore, në të cilat të dyja palët do t’i përqendrojnë përpjekjet e përbashkëta me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të mallrave dhe zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik.
Megjithatë, marrëveshjet e nënshkruara në fusha të ndryshme, në veçanti në aspektin ekonomik nga përfaqësues të bizneseve dhe njohës të fushës po vlerësohet se nuk po arrijnë të zbatohen.
Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, tha për Telegrafin se, duhet vullnet politik për t’i zbatuar këto marrëveshje.
“Sfidë në mes të vendeve mbeten shumë çështje. Serioziteti i qeverive për të quar përpara projektet e përbashkëta dhe vullneti politik për zbatimin e marrëveshjeve është pengesë kryesore e perspektives ekonomike të vendeve tona”, tha Panxha.
Panxha shton se, sfidë mbetet lehtësimi i barrierave për bizneset.
“Edhe pse ka marrëveshje të shumta në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sfidë mbetet lehtësimi i barrierave për bizneset”, deklaron ai.
Ai përmend edhe pagesat jo-tarfiore që bizneset nga Kosova i hasin në raport me Shqipërinë.
“Në çdo eksport, autoritetet shqiptare kërkojnë kopjen origjinale (ose kopjen e noterizuar) të Certifikatës së Cilësisë për produktet që i nënshtrohen kontrollit fitosanitar dhe veterinar; nëse kompania eksportuese ka ngarkuar dy ose më shumë ngarkesa në të njëjtin kamion dhe destinacioni përfundimtar nuk është në të njëjtin vend, procedurat doganore nuk mund të kryhen në një terminal të vetëm doganor, por kamioni duhet të lëvizë nga njëri në tjetrin terminal doganor”, ka pohuar Panxha.
Sipas tij, nëse një kompani eksportuese nga Kosova në një maune ka të ngarkuara dy ose më shumë produkte dhe nëse njëri nga këto produkte nuk e ka destinim Shqipërinë, atëherë mauna duhet të lëvizë në një terminal tjetër doganor.
“Për shumë lloje të mallrave të eksportuara në Shqipëri dhe ku çmimi i dërgesës është mbi 1,000 euro duhet të bëhet pagesa e skanerit në bazë vlerësimeve të riskut nga autoritetet Shqiptare. Kjo pagesë është 22 euro për maune; autoritetet shqiptare nuk pranojnë vlerën e mallrave të eksportuara nga ana e kompanive të Kosovës por përdorin metodat e tyre të brendshme për të kalkuluar vlerën e tyre; dhe pagesa e autostradës së kombit të cilën për çdo eksport kompanitë e Kosovës janë të detyruara ta paguajnë”, tha Panxha.
Ndërsa sipas ekspertit të çështjeve ekonomike dhe njëherësh sekretari i përgjithshëm i Forumit të Investimeve në Ballkanin Perëndimor, Safet Gërxhaliu, nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve nuk duhet të jetë vetëm marketing medial.
“Këto marrëveshje në këto takime duhet të mbështeten, por që nuk duhet të janë vetëm për dekor, apo marketing medial. Është koha kur duhet të ketë substancë zbatuese. Problemi më i madh i moszbatimit të tyre është qasja e politikës që është ngushtë e lidhur me grupet e caktuara të interesit dhe bashkëpunimin ekonomik e diktojnë disa brende. Për ekonomi duhet të bëhet më tepër, nuk jetohet nga patriotizmi folklorik, ekonomia dhe edukimi duhet të jetë synim i përbashkët”, tha për Telegrafin, Gërxhaliu.
Ai tha se është obligim institucional që të bëhet me tepër për identifikimin e problemit të mosbesimit në mes të komunitetit të biznesit, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Në rend të parë duhet kuptuar se jemi një popull i ndarë dhe defenitivisht bashkëpunimi ekonomik duhet të jetë mekanizmi i përafrimit, kurse në rend të dytë nuk mungojnë marrëveshjet e nënshkruara por mungon zbatimi i tyre dhe do të ishte në funksion të përafrimit, zhvillimit dhe në përmirësimin e imazhit. Pra, duhet të punohet më tepër për zbatim. Është obligim institucional që të bëhet me tepër për identifikimin e problemit të mosbesimit në mes të komunitetit të biznesit, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Është një mosbesim, i cili po e ngulfat këtë partneritet, deri sa në Shqipëri janë të gatshëm me të gjithë, përveç me kosovarët”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Kurse, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë, Arben Shkodra në një intervistë për Vizion Plus, duke komentuar takimin e fundit në Tiranë, ka thënë se këto marrëveshje nuk duhet të shërbejnë vetëm për deklarata publike, por të zbatohen realisht dhe të kuptojmë se në çfarë janë.
“Këto mbledhje janë shumë të mirëpritura, ne e shohim me shumë interes sepse bashkëpunimi me Kosovën duhet të jetë i mirë. Por nuk duhet të jenë vetëm butafori mediatike, por produktive. Shpresoj që mbledhja jashtë kamerave është produktive, por sa transparente janë me ne? Ajo që pash unë ishte se u fol shumë pak për marrëveshjet e mëparshme”, ka deklaruar Shkodra.
Instituti GAP, Instituti Riinvest dhe Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve të kaluara tregtare.
Në fillim të këtij viti, këto organizata kanë publikuar dy studime mbi marrëveshjet tregtare mes dy shteteve, një nga perspektiva e Kosovës me titull “Potenciali tregtar Kosovë-Shqipëri” dhe tjetri nga perspektiva e Shqipërisë “Dy shtete një ekonomi”.
Rekomandimet e dala nga këto dy studime përfshijnë pikërisht zbatimin e marrëveshjeve, eliminimin e barrierave dhe shfrytëzimin e potencialeve ekzistuese.
Studimet rekomandojnë, mes tjerash ngritjen e një strukture dypalëshe të qëndrueshme, me përfaqësi politike dhe teknike, me mandat të qartë dhe me detyrë monitorimin dhe shpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve, heqja e barrierave dhe ndjekjen e hapave të tjerë drejt integrimit ekonomik; harmonizimin e legjislacionit për taksat dhe akcizat; heqjen e barrierave ekzistuese në kuadër të vendosjes dhe themelimit të biznesit në të dy vendet; krijimin e instrumenteve të përbashkëta (sikurse Fond i Përbashkët Investimi); si dhe plotësimin e vendimit për përdorimin e Portit të Durrësit nga Dogana e Kosovës për eksport dhe jo vetëm për import.
Për Kosovën, Shqipëria është tregu më atraktiv. Ndërkaq në tregun e Kosovës, pra në kuptimin e importeve Shqipëria është partneri i tretë më i rëndësishëm tregtar.
Mesatarja e shkëmbimeve tregtare në mes të vendeve tona është 234 milionë euro në vit.
Kosova megjithatë është akoma në deficit tregtarë me Shqipërinë, ndonëse në vitin 2020 ky deficit është më i vogël. Sidoqoftë, mesatarja e rritjes së eksporteve të Kosovës në Shqipëri është 12 për qind, ndërsa importet ndaj Shqipërisë ka një rënie mesatare prej 24 për qind. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëVite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë
Në këto ditë të ftohta, hani ushqime të ngrohta!
Black Friday në AZTECH: Zbritje spektakolare deri në -60%!
Rezervo tani, përfito çmime speciale për udhëtime gjatë fundvitit nga Gjeneva drejt Prishtinës!
PostCHAT ju pret!
Erëra të forta në pesë rajone, mbesin pa rrymë shumë banorë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje