LAJMI I FUNDIT:

Juventusi prezanton McKennie, do ta mbajë numrin 14

Juventusi prezanton McKennie, do ta mbajë numrin 14

Weston McKennie ka thënë se është nder i madh të jesh i pari amerikan që luan te Juventus, ndërsa mendon se mund të ndihmojë Andrea Pirlon dhe ekipin në shumë gjëra këtë sezon.

Mesfushori qendror 22-vjeçar, që ka luajtur 19 herë për SHBA-të, u prezantua në një konferencë për media dhe zbuloi se ëndrra e tij ‘është bërë realitet’ pas nënshkrimit me “Zonjën e Vjetër”.


“Ideja për të ardhur dhe për të luajtur këtu, në një klub me një histori të madhe, kjo më entuziazmoi. Klubi menjëherë mbështeti angazhimin tim për “Black Lives Matter””.

“Nuk kishte nevojë të bindesha që të vija në Juventus, sepse të jesh këtu është një ëndërr që është bërë realitet”, ka thënë fillimisht McKennie në konferencë për media.

McKennie mendon se ai mund të ndihmojë trajnerin Andrea Pirlo, i cili ka theksuar nevojën për të fituar posedimin pas humbjes së topit.

“Pika ime e fortë është rikuperimi i topit. Kam biseduar me Pirlon dhe ai e vlerëson këtë tipar”.

Reprezentuesi i ShBA-së është amerikani i parë ndonjëherë që luan me Bianconerët dhe tani shpreson të frymëzojë lojtarë të rinj nga vendlindja e tij.

“Është një nder i madh të jesh lojtari i parë amerikan në historinë e Juventusit. Pasja e mundësisë për të veshur këtë fanellë, përfaqësimi i vendit tim dhe afrimi i të rinjve amerikanë me futbollin më bën krenar”.

Ish-mesfushori i Schalke 04 pret që të luajë dhe të mësojë nga portugezi Cristiano Ronaldo.

“Të luash me Ronaldon, të shohësh si lëviz dhe si punon do të më sjellë përfitime të mëdha”, deklaroi ai. /Telegrafi/