LAJMI I FUNDIT:

Kosova, shpresa të mëdha për takimin në Shtëpinë e Bardhë

Kosova, shpresa të mëdha për takimin në Shtëpinë e Bardhë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e cilëson të një rëndësie të lartë shtetërore takimin e Uashingtonit Kosovë-Serbi. Sipas tij, njohja reciproke Kosovë-Serbi, është qëllimi i vetëm i Kosovës në kuadër të dialogut.

Një delegacion me përbërje të madhe i Kosovës merr pjesë në takimin e datës (04.09) në Shtëpinë e Bardhë në Uashington në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Delegacioni i Kosovës që kryesohet nga kryeministri Avdullah Hoti ndodhet në Uashington me ftesë të Shtëpisë së Bardhë, takim ky i organizuar nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien dhe i ngarkuari special i presidentit Trump në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Në takimin në Shtëpinë e Bardhë diskutohet për çështjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa çështjet politike thuhet, se diskutohen në Bruksel. Sipas kryeministrit Hoti, pala kosovare është e përgatitur për këtë takim që e cilëson të një rëndësie të lartë shtetërore.


Çfarëdo që të jetë agjenda e bisedave brenda Shtëpisë së Bardhë, kryeministri Hoti, thotë se “njohja reciproke Kosovë-Serbi, është qëllimi i vetëm i Kosovës në kuadër të dialogut”.

Dialog që çon në njohje reciproke

“Vetëm njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë i normalizon marrëdhëniet në mes të dy vendeve dhe e qetëson këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës. Në çfarëdo takimi që kam pasur dhe do të kem me përfaqësuesit e Serbisë, njohja reciproke është tema e vetme. Çdo gjë që bisedohet me ta është në funksion të arritjes së marrëveshjes për njohje reciproke, pa cënuar integritetin teritorial apo karakterin unitar të shtetit të Kosovës. Kosova mbetet e përkushtuar për dialog, sepse është vend evropian, me orientim të qartë euro-atlantik”, shkruan në profilin e tij kryeministri Hoti.

Sipas Hotit, “nisur nga kjo qartësi e plotë e procesit”, ai nuk do hezitojë të dialogojë me Serbinë dhe fton edhe opozitën që të jetë pjesë e procesit. “Prandaj, i ftoj forcat politike në Kosovës, pozitë dhe opozitë, të jemi të unifikuar në këtë proces. Gara politike në mes nesh, që duhet të jetë demokratike dhe mbi baza të kushtetutës, mund dhe duhet të zhvillohet për tema të tjera të politikës, ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe fushave të tjera”, shkruan Hoti.

Opozita kundër pjesëmarrjes në delegacion

Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, (PDK) dhe lëvizja Vetëvendosja, nuk kanë pranuar t’i bashkohen delegacionit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosja e kryesuar nga Albin Kurti, si partia më e madhe opozitare refuzoi pjesëmarrjen në këtë delegacion, duke thënë se këto bisedime nuk mund të udhëhiqen nga një qeveri siç e quajnë “jolegjitime dhe jolegale”. “Pozicioni ynë në këtë çështje është i qartë. Kosova mund të dialogojë me Serbinë vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme, kur do të kemi qeveri me legjitimitet të plotë, që harton, prezanton dhe siguron unitet përmes një platforme që merr mbështetjen e 2/3 të deputetëve në Kuvend si dhe duke u nisur gjithnjë nga reciprociteti si parim i marrëdhënieve të barabarta ndërshtetërore”, thuhet në reagimin e lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti kundër Grenell

Angazhimi i ambasadorit amerikan Richard Grenell në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i cili vazhdimisht ka kërkuar që Kosova ta heqë reciprocitetin me Serbinë dhe të rifillojë dialogu, nuk i ka pëlqyer dhe vazhdon të mos i pëlqejë liderit të opozitës në Kosovë, Albin Kurtit. Në një postim të mëhershëm në profilin e tij, Kurti bëri thirrje që njëzëri të kundërshtohet Richard Grenell.

“Sa i përket të dërguarit të posaçëm Grenell, meqenëse ai ka thënë se Kosova duhet ta heqë reciprocitetin me Serbinë, mendoj se duhet të veprojmë me të njësoj siç vepruam me ambasadorin Gelbard kur në 1998 tha se UÇK-ja është terroriste, pra ta kundërshtojmë njëzëri, në mënyrë që ta kuptojë se kjo qasje është e papranueshme për ne. Asokohe kundërshtimi ynë bëri që Gelbard të zëvendësohet nga Holbrooke, pra, ia pamë hajrin kundërshtimit. Edhe sot na duhet që Richard Grenell të zëvendësohet me një Richard Holbrooke të ri”, shkroi Kurti.

Shpresat tek SHBA

Angazhimi amerikan në kuadër të dilaogut Kosovë-Serbi, sipas analistëve kosovare është jetik për vendin, për faktin që sipas tyre, dialogu i Brukselit tash edhe 10 vjet nuk ka prodhuar shumë rezultate. Prandaj, në këtë kuadër analisti Blerim Burjani, i tha DW-së, se shpresa e vetme mbetet SHBA. “Shpresa e vetme mbetet SHBA për t’i dhënë fund konfliktit të ngrirë dhe pengesës së Kosovës që të jetë pjesë e OKB-së, NATO-s dhe integrimit të BE. Pra kosovarët duan SHBA si ndërmjetësues të fortë dhe të qëndrueshëm sepse, SHBA di të përdorë diplomacinë edhe me sanksione dhe amerikanët nuk lejojnë zvarritje të përjetshme të dialogut pa zgjidhje përfundimtare”, thotë Burjani.

Sipas analistit Burjani, SHBA mund të ofrojnë zgjidhje të shpejtë, por, problemi kryesor janë njohja së pari e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa, të tjerat janë procese teknike. “Kosovarët besojnë fuqishëm në SHBA dhe kjo është e sinqertë për të gjithë kosovarët, sepse ata e dinë se pa SHBA s’ka asgjë që e ndal Serbinë, pra Kosova beson në diplomacinë e SHBA dhe qëndrueshmërinë e zgjidhjes së problemit. Gjasat teorike janë që në shtator të ketë marrëveshje, ndërsa, de fakto gjasat më të mëdha mund të jenë që deri në fund të vitit 2020 të ketë marrëveshje të plotë” thotë Blerim Burjani.

Serbia nuk përjashton surprizat

Nga ana tjetër, pala serbe shkon në Uashington e përgatitur për një seri temash, ndërsa nuk e përjashton mundësinë e ndonjë “surprize”, në Shtëpinë e Bardhë, është shprehur Marko Gjuriq, koordinator i Serbisë në dialogun Prishtinë-Beograd. “Ekipi negociues i Serbisë shkon në Uashington me projekte konkrete të lidhjes ekonomike, propozime për projekte infrastrukturore, mbështetje për të rinjtë, fermerët dhe biznesmenët e të gjitha kombësive në Kosovë. Delegacioni serb do të bëjë gjithçka për të shmangur tërheqjen e Serbisë në lojërat gjeopolitike të fuqive të mëdha, por surprizat janë të mundshme në takimin në Uashington”, citojnë mediet në Serbi, Marko Gjuriqin.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar të mbahej fillimisht për 27 qershor, por, ky takim u anulua për shkak se Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, që të dy të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Tash delegacionit të Kosovës për takimin Kosovë-Serbi, të datës (04.09) në Shtëpinë e Bardhë i prin kryeministri Avdullah Hoti. “Ekipi që udhëton në Uashington përbëhet nga kryeministri Avdullah Hoti, koordinatori për dialog, Skënder Hyseni, zv.kryeministri Driton Selmanaj, zv.kryeministrja Albulena Balaj-Halimaj, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Arban Abrashi, dhe shefja e stafit të kryeministrit, Ardita Dushi”, ka thënë Xhavit Beqiri, këshilltar politik i kryeministrit Hoti./DW/

Në trend Lajme

Më shumë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Kalo në kategori