LAJMI I FUNDIT:

Të dhënat personale, KSHZ-ja shkeli dispozitat

Të dhënat personale, KSHZ-ja shkeli dispozitat

Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale ka konstatuar një sërë shkeljesh të rregullave nga ana e KSHZ-së në procesin e organizimit të zgjedhjeve të 15 korrikut. Sipas tyre, KSHZ-ja nuk ka marrë masa të nevojshme teknike dhe organizative për mbrojtjen e faqes elektronike dhe infrastrukturën informuese. KSHZ-ja nuk ka testuar softuerin e DUNA-s për zbatimin e zgjedhjeve para futjes në përdorim që të sigurohet nëse të dhënat personale janë mjaftueshëm të mbrojtura.

Gjatë angazhimit të kompanisë DUNA si përpunues, KSHZ-ja ka vepruar në kundërshtim me rregullat e mbrojtjes së të dhënave personale dhe nuk ka llogaritur ndikimin e përpunimit të operacioneve në mbrojtjen e të dhënave personale. Sipas Agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale, KSHZ-ja vendos në formë elektronike në Google Drive të dhëna personale dhe shfrytëzon shërbimet e Cloud Flare, struktura kryesore e të cilës është e vendosur jashtë territorit të Maqedonisë. KSHZ-ja dhe DUNA nuk i kanë plotësuar detyrimet për të njoftuar agjencinë për shkeljen e sigurisë së të dhënave personale. KSHZ-ja madje nuk ka respektuar as detyrimin për emërimin e zyrtarit përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale.

Supervizioni i jashtëzakonshëm në KSHZ nga Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale është bërë më 29 korrik.


Agjencia në fjalë solli vendim për marrjen e masave që KSHZ-ja në afate të caktuara të përshtatë punën e saj me dispozitat për mbrojtjen e të dhënave personale.

Rënia e sistemit elektronik në KSHZ në ditën e zgjedhjeve ngjalli reagime të cilat detyruan prokurorinë të hyjë në këtë institucion dhe të marrë dokumentet e nevojshme të shqyrtimit të ligjshmërisë së punës së KSHZ-së dhe firmës së angazhuar për softuerin elektronik DUNA.