LAJMI I FUNDIT:

Mustafa pas akuzave të Kusarit për Hotin: Ta kërcënosh kryeministrin për shkarkim pse e ka kapur virusi është kanibalizëm politik

Mustafa pas akuzave të Kusarit për Hotin: Ta kërcënosh kryeministrin për shkarkim pse e ka kapur virusi është kanibalizëm politik
Foto: Arkiv

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i ka dalë në përkrahje kryeministrit Avdullah Hoti, pas akuzave të deputetes Mimoza Kusari Lila, e cila thënë se Hoti, i cili ka rezultuar pozitiv në COVID-19 nuk i ka respektuar protokollin.

Mustafa në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se është edukatë elementare njerëzore që e kemi kultivuar në familjet tona, të respektojmë të sëmurin, duke e quajtur madje deputeten Kusari si “xhelatë”.

Hoti u përgjigjet kritikave: Pas testimit, menjëherë jam izoluar  
Lexo po ashtu Hoti u përgjigjet kritikave: Pas testimit, menjëherë jam izoluar  

Lexoni të plotë postimin e Mustafës:


“Miq të nderuar

Është edukatë elementare njerëzore që e kemi kultivuar në familjet tona, të respektojmë të sëmurin. Ta ndihmojmë, t’i japim kurajo ose ta lëmë rehat në telashet e tij.

Të ngritesh në mëngjes e ta kërcënosh Kryeministrin se do të shkarkojmë, pse të ka kapur virusi një ditë më parë, është kanibalizëm politik, një idiotizëm i skajshëm që kapërcen çdo normë njerëzore. A thua kështu i edukojmë fëmijët!!

Strucat e kabinetit qeveritar, këshilltarët, ministrat por edhe bashkëpartiakët e Hotit dhe të mitë heshtin, sepse atyre nuk ua ka përmendur emrin xhelatja Kusari-Lila dhe se nuk do t’i hajë.

Turp!”. /Telegrafi/