LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj, thirrje Kurtit e Veselit: Bashkohuni në dialog, është një moment historik

Haradinaj, thirrje Kurtit e Veselit: Bashkohuni në dialog, është një moment historik
Foto: Arkiv

Shefi i GP të AAK-së, Daut Haradinaj, i ka bërë thirrje publike liderit të VV-së, Albin Kurti dhe atij të PDK-së, Kadri Veseli që t’i bashkohen tavolinës së negociatave me Serbinë.

Ai ka thënë se kurdo që shqiptarët janë bashkuar, kanë dalë rezultate të mira për Kosovën.

“Edhe VV edhe PDK, është koha me qenë në tavolinën e dialogut. Të jemi të gjithë fitues, ta kemi një marrëveshje të mirë. Thirrja ime publike për z. Kurti edhe për z. Veseli është që t’i bashkohen dialogut dhe ta bëjmë bashkë momentin historik”, tha Haradinaj në Kuvend.


Duke e kritikuar dialogun e deritanishëm në Bruksel, Haradinaj ka thënë se dialogu me Serbinë, me SHBA-në si ndërmjetësuese kryesore, është drejt përmbylljes.

“Kosova ka dialogu të paktën 10 vite, dhe marrëveshjet në të shumtën e rasteve nuk kanë prodhuar rezultate të mira. Sidomos jo me Mogherinin, e cila ka folë edhe për ndarjen e Kosovës. Ka dy vjet e gjysmë që me Serbinë nuk kemi pasur asnjë marrëveshje. Unë mendoj që ky dialog është drejt përmbylljes”, tha shefi i GP të AAK-së.

Haradinaj ka thënë se nuk mund t’i bisedohet Përfaqësuesit të Lartë për Kosovën nga BE, Miroslav Lajçak, më shumë se kryediplomatit amerikan për Kosovën, Richard Grenell.

“Në qoftë se dikush i beson Lajçakut se sa kryediplomatit amerikan, është gabim. z. Kurti nuk u gjet mirë në raport me taksën dhe e pati një bllokadë me aleatët tanë, por ne duhet t’i japim mbështetje delegacionit tonë shtetëror. Secili delegacion shtetëror do t’i japë llogari Kuvendit. Do të vijë këtu të raportojë”, tha ai. /Telegrafi/