LAJMI I FUNDIT:

Traktet antikomuniste që u hodhën në Korçë më 1968

Traktet antikomuniste që u hodhën në Korçë më 1968

Nga: Dashnor Kaloçi

“Socializmi e ngop popullin me lugë bosh…. Ne populli, duhet të jetojmë si gjithë popujt e tjerë, jo si kafshë, vetëm punë… Socializmi kënaq vetëm pesë për qind, të tjerët kënaqen nga frika… Mjaft me diktaturë dhe masa… Popullin si në burg nuk e mbani dot”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në një nga traktet e hedhura në qytetin e Korçës më datën 6 prill të vitit 1968, gjë për të cilën, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit, Mihallaq Ziçishti, informon Komitetin Qendror të PPSh-së me anë të një dokumenti që mban siglën “Tepër sekret”.


Traktet në fjalë që u hodhën në Korçë në vitin 1968, përkonin me një situatë tepër “të sikletshme” për Tiranën zyrtare të Enver Hoxhës, pasi vetëm tre katër muaj më vonë ndodhi “Pranverën e Pragës” (ku tanket ruse shtypën revoltat antikomuniste të çekëve), gjë e cila shkaktoi një alarm dhe frikë të paparë te Enver Hoxha dhe udhëheqja e lartë e PPSh-së së asaj kohe, që për t’i paraprirë ndonjë sulmi eventual nga Bashkimi Sovjetik, bëri “një pakt të heshtur” me Jugosllavinë e Marshallit Tito, të cilin që nga viti 1949, e kishte sulmuar dhe akuzuar si “armikun” e tij më të madh.

Viti 1968 do të çonte në mënyrë të pashmangshme daljen edhe “de facto” të Shqipërisë nga Traktati i Varshavës e nga i gjithë Blloku Lindor, pas pushtimit të Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, ngjarje të cilat alarmuan pa masë Tiranën zyrtare dhe e detyruan atë të ndërmerrte masa represive, me arrestime, burgosje dhe internime.

Ndryshe nga ngjarja e Korçës, do të ndodhte një dekadë më vonë, pikërisht në vitin 1978, në prag të prishjes së marrëdhënieve ekonomike dhe politike me Kinën e Mao Ce Dunit, në Shkodër dhe Peshkopi, ku përveç trakteve kundër regjimit diktatorial të Enver Hoxhës do të shkruheshin edhe parulla në muret e ndërtesave të kooperativave bujqësore dhe shkollave në disa prej fshatrave të këtyre rretheve, si Barbullush dhe Gjurë-Reç.

Por, edhe pse ato parrulla ishin shkruar vetëm me laps dhe jo në vende të dukshme, madje në trarë stallash të lopëve apo dyer shkollash fshati, ai “fenomen” shqetësoi pa masë udhëheqjen e lartë të PPSH-së, gjë e cila veç të tjerash duket edhe nga korrespodenca sekrete e sekretarëve të partisë për qytetet e Shkodrës, Korçës e Peshkopisë, lidhur me këto ngjarje, anëtarët e Byrosë Politike si Hekuran Isai dhe Hysni Kapos, sekretarin e Komitetit Qendror që në rrugë partie mbulonte organet e “Diktaturës së Proletariatit”, ku ata mes të tjerash u kërkojnë që të merren masa të menjëhershme “drakoniane” lidhur me autorët e “papërgjegjshëm” të këtyre trakteve dhe parullave – siç etiketohen në këto dokumente zyrtare. /Memorie/

Trakti I

Në socializëm të Leninit ka vetëm: punë, mbledhje, “vullnetarë”, zbor. Ky socializëm kënaq vetëm 5 për qind të popullit, të tjerët i kënaq frika. Ne populli, duhet të rrojmë siç rrojnë të gjithë popujt e tjerë, dhe jo si kafshë, vetëm në punë. Sot po jetojmë në shekullin e 20-të dhe jo në atë të 15-të. Shqipëria është në Evropë dhe ne duhet të ecim mbas Evropës.

Populli s’është qorr, shurdh, as budalla. Ai shef, dëgjon, kupton, por s’ka folur, do flasë. Në këtë socializëm që thotë ‘nemni sa kam nevojë dhe t’ju jap sa të mbajnë këmbët’, nuk kënaqen as kafshët. Mjaft na ngopi socializmi me lugë bosh, mjaft me diktaturë dhe mashtrime, mjaft flakët nga detyrat njerëzit pse guxojnë të flasin, mjaft me kapriço. Çdo gjë ka një kufi! Mjaft me frikë dhe spiunllëqe, se i bëjnë varrin vetes. Spiunët të heqin dorë sa s’është vonë!

Trakti II

Socializmi e ngop popullin me lugë bosh. Socializmi i Leninit thotë vetëm, nëm: vullnetarë, zbor, lekë, për Frontin, rininë, gruan, partinë, kryqin e kuq, sportin, sindikatën, tërmetin, huatë, Vietnamin, Pal Vatën, tokën, kafshët, shtëpitë, e të tjera sa nuk numërohen; vetëm nëm. Dhe për të dhënë punëtori dhe fshatari i shkretë i jep sa po mbahet në këmbë. Ja pra ky është socializmi që kishim merak dhe këtij socializmi popujt e tjerë i vunë një kryq të madh sa ia piu lëngun më keq se ne.

Shqipëria është në Evropë dhe duhet të ecë mbas Evropës. Ne populli, duhet të jetojmë si gjithë popujt e tjerë, jo si kafshë, vetëm punë. Socializmi kënaq vetëm 5 për qind, të tjerët kënaqen nga frika. Mjaft me diktaturë dhe masa, mjaft me kapriço. Për një fjalë po hiqni njerëzit nga detyrat, popullin si në burg nuk e mbani dot. Sot jetojmë në shekullin e 20-të dhe jo në të 15-të. Vetëm punë, punë, punë nuk i duhet popullit. (sic.)