LAJMI I FUNDIT:

Kurti vizitoi Prizrenin, bën thirrje të shtohet disiplina që prilli të kalohet me sa më pak pasoja

Kurti vizitoi Prizrenin, bën thirrje të shtohet disiplina që prilli të kalohet me sa më pak pasoja
Foto: Arkiv

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti gjatë të enjtes ka vazhduar agjendën me vizitat e tij nëpër komunat e Kosovës, ku kësaj radhe vizitoi Malishevën e Prizrenin, për të vazhduar në Sharr.

Në Prizren, Kurti u prit nga kryetari i komunës, Mytaher Haskuka i cili tha se është falënderues për gjithaçka që Qeveria ka bërë në këtë kohë pandemie.

Kryeministri në detyrë, tha se në Prizren tashmë është vetëm një person me COVID-19, pasi nga tre sa ishin të infektuar, njëri tashmë është shëruar, njëri fatkeqësisht ka vdekur për çka Kurti edhe shprehu ngushëllime.


“Qëllimi ynë është të njoftohemi për përgatitjet dhe masat që po i ndërmerr Komuna e Prizrenit. Në Prizren i kemi vetëm tre të infektuar, njëri ka ndërruar jetë fatkeqësisht, tjetri është shëruar, që do të thotë se e kemi vetëm një ende me infeksion. Të gjithë bashkë po organizohen mirë në mënyrë që shpërndarja e virusit të jetë sa më e vonuar në kohë dhe sa më e butë në intensitet. Unë e përgëzoj kryetain Haskuka për punën që e ka bërë këtu. Unë ju bëj thirrje qytetarëve që ta shtojnë disiplinën në ditët dhe javët në vijim të këtij muaji vendimtar, në mënyrë që nga kjo krizë të dalim me sa më pak pasoja dhe sa më shpejt”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

Ai tha se qytetarët deri më tani kanë treguar kulturë dhe përgjegjësi të lartë, për çka tha se i lut që këtë kulturë ta rrisin më shumë, sepse duhet përqëndruar me të gjitha fuqitë ta parandalojmë shpërndarjen e COVID-19.

Haskuka kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë të jenë të përgjegjshëm dhe të respektojnë masat e marra nga institucionet.

“Ishte një talim konsultues në lidhje me pandeminë COVID-19. Kryeministri na njoftoi për gjendjen dhe masat që janë marrë. Ne si komunë e informuam kryeministrin dhe ministren për gjendjen në Komunë e Prizrenit, implementiin e masave të marra dhe repsketimin e këtryre masave dhe punën në parandalimin e përhapjes së COVID-19, por në të njëjtën kohë edhe punën që komuna e bën në lehtësimin e gjendjes së qytetarëve. I falënderova edhe për Pakon Fiskale që ka bërë Qeveria në kohë pandemie. I falënderoj të gjithë qytetarët për respektimin e masave dhe në të njëjtën kohë i lus ata për mirëkuptim dhe të vazhdojnë të repektojnë këto masa sepse kjo është për të mirën tonë të përgjithshme. Kosova momentalisht e ka shkallën më të ulët në regjion, por e kemi pa që një vend kur relaksohet pak shihet një rritje e rasteve”, tha Haskuka./Telegrafi/