LAJMI I FUNDIT:

Ekspertja për Ballkanin: BE-SHBA me përfytyrime të ndryshme për mënyrën e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Ekspertja për Ballkanin: BE-SHBA me përfytyrime të ndryshme për mënyrën e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Ekspertja për Ballkanin, Johanna Deimel shikon në krizën e re politike në Kosovë gabime strategjike të Albin Kurtit, por, sipas saj edhe qëndrimi refuzues i presidentit Thaçi nuk ndihmoi në tejkalimin e hendeqeve.

Johanna Deimel: Po të kujtohemi, edhe krijimi i qeverisë zgjati shumë. Për herë të parë në Kosovë u bë marrëveshje koalicioni. Por ky koalicion që nga fillimi ishte një “martesë nga arsyeja”, por kjo do të thotë, se të gjithë duhet të respektojnë ujditë dhe se për vendimet zhvillohen konsultime mes partive qeverisëse. Kjo duket qartë që nuk ka funksionuar dhe shkaktoi si pasojë zemërim. Siç dëgjoj nga Prishtina, ky ka qenë gabimi më i madh politik i Albin Kurtit. Përveç kësaj vjen edhe një gabim strategjik, sepse Albin Kurti me “Jo”-në e tij për heqjen e menjëhershme të doganave provokoi SHBA. E nuk ndihmoi më, që ai ishte i gatshëm për heqjen e pjesshme të tyre. Presioni i Uashingtonit ishte shumë i madh.

Si e vlerësoni këtë situatë tani? Sërish zgjedhje të parakohshme?


Fillimisht Albin Kurti do të vazhdojë të kryejë detyrat qeveritare. Sipas Kushtetuës do mandatuar Vetëvendosja, VV sërish me krijimin e një qeverie. Për këtë Kurti duhet të shkojë tek presidenti Thaçi, dhe këtë unë nuk e parashikoj në një kohë të afërt. Pyetja që shtrohet është, nëse do mund të krijohet një koalicion qeveritar me LDK, NISMA dhe AAK. Ndoshta Albin Kurti synon zgjedhjet e parakohshme. Por për shkak të krizës COVID-19, kjo mund të zgjasë disa muaj derisa të fillohet të mendohet për këtë. Për fat të keq, Kosova ka përpara kohë të pasigurta dhe të vështira. Aty ku në vende të tjera kapërcehen hendeqet ideologjike dhe forcat politike bashkëpunojnë, për të mbajtur përgjegjësi për popullin në situata të jashtëzakonshme për shkak të virusit, Kosova e vështirëson situatën më tej me institucione politike jo stabël.

Kurti tha në parlament të mërkurën, se arsyeja e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së tij, nuk ishte shkarkimi i ministrit të Brendshëm, por një marrëveshje me Serbinë që përmban edhe ndarjen e Kosovës, e ai është kundër. Ai sulmoi hapur edhe presidentin. Çfarë fshihet pas kësaj lufte politike?

Krahas grindjeve për kompetenca mes VV dhe LDK-së me gjasë bëhet fjalë edhe për atë që të vazhdojë dialogu, thënë ndryshe, që Vuçiç dhe Thaçi t’ia dalin deri në fund me marrëveshjen, që mund ta kenë arritur. Presidenti Thaçi në javët e kaluara nuk ka lënë t’i ikë asnjë rast pa dalë kundër kryeministrit Kurti. Nga ana tjetër, Kurti i mohoi presidentit të drejtat e negociimit në dialogun Kosovë-Serbi. Në një kohë që Kurti, qartësisht dhe disa herë sqaroi, se për të nuk ka prioritet dialogu, ai do të kujdeset për situatën e brendshme në vend dhe do të luftojë fort korrupsionin, presidenti Thaçi në akord me Richard Grenell e vazhduan më tej dialogun në Uashington. Edhe kjo patjetër ka çuar në rrëzimin e qeverisë.

Para votës së mosbesimit, Gjermania dhe Franca bënë thirrje që të tërhiqet mocioni i mosbesimit. Pse u injoruan këto thirrje?

Për këtë duhet të pyesni politikanët në Kosovë. Demarshi (kërkesa verbale e Francës dhe Gjermanisë, shën.red) ishte i qartë, por ndoshta erdhi shumë vonë.

Ka pasur zëra për një marrëveshje Kosovë-Serbi që do nënshkruhej në Shtëpinë e Bardhë…por nuk ka qartësi për atë, se çfarë lloj marrëveshjeje do të jetë kjo. Nuk po ecin më aspak në një linjë BE dhe SHBA për sa i përket Kosovës?

Sidoqoftë ajo që shohim është se mes SHBA dhe BE, ose mes disa vendeve anëtare ka përfytyrime të ndryshme për mënyrën e marrëveshjes. Në një kohë që i ngarkuari i posaçëm, Grenell është në një linjë me Thaçin dhe Vuçiçin, dhe do të jepte miratimin edhe për një shkëmbim territoresh, shtete të tjera, mes tyre edhe Gjermania me kancelaren Angela Merkel janë qartësisht kundër kësaj. SHBA e ka përdorur mirë edhe kohën, kur BE duhej të rikonfigurohej dhe për këtë nuk ishte e aftë për veprim për një kohë të gjatë. America First. Bëhet fjalë për një sukses në politikën e jashtme të Trumpit, e kjo nëse duhet, pa marrë parasysh edhe humbjet. Kosova është një shesh loje i mirë për presidentin Trump që të punojë kundër BE. Tani do duhej të emërohej Miroslav Lajcak si i ngarkuar i BE për dialogun Kosovë-Serbi, dhe së shpejti do duhej të zhvillohej në Paris një takim për dialogun. Tani që qeveria u rrëzua, nuk shoh shanse për këtë në një kohë të caktuar.

BE duket e paralizuar në Kosovë, asgjë nuk po lëviz, dialogu është i ngrirë. Presidenti Thaçi nuk e ka fshehur, se e ka humbur besimin tek BE. Edhe dy marrëveshjet e transportit për hekurudhat e lëvizjet ajrore u arritën me ndihmën e SHBA. Çfarë duhet të ndërmarrë BE që të jetë sërish aktive?

Po dy “marrëveshjet” e transportit janë në letër, me sa di unë. Ka shumë shou pas kësaj. Presidenti Thaçi e ka fajësuar shumë rëndë BE. E vërtetë, është e padurueshme dhe patolerueshme që ende nuk ka një liberalizim të vizave për Kosovën. Megjithatë Thaçi me fajësimet e tij ndaj BE për mendimin tim e ka diskredituar veten si partner i ardhshëm negociues në një dialog Kosovë-Serbi të moderuar nga BE. Se kur do të rifillojë dialogu, këtë nuk e dimë edhe për shkak të pandemisë. Kësaj i shtohen edhe zgjedhjet në Serbi, që po ashtu janë shtyrë. Tani situata e re në Kosovë. BE duhet dhe do ta ndihmojë Kosovën të kalojë pandeminë. Kjo është tani më e rëndësishme, se sa të mendosh për kufijtë.

Johanna Deimel është analiste e pavarur gjermane. Për një kohë të gjatë ajo ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Shoqatës së Europës Juglindore në Mynih. Nga shkurti i këtij viti ajo është anëtare e bordit të shoqatës.

Në trend Lajme

Më shumë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Kalo në kategori