LAJMI I FUNDIT:

Krijimi i Galerisë Kombëtare të Arteve

Krijimi i Galerisë Kombëtare të Arteve

Ideja e parë për të hapur Galerinë Kombëtare të Artit në Shqipërinë e pasluftës, është hedhur që në janar të vitit 1947. Kjo zbulohet në një qarkore të shpërndarë nga Kryeministria .

“Komiteti i Kulturës dhe Arteve, ka në projekt ngritjen e një pinakoteke, për të mbledh dhe grumbullue n’atë të gjithë veprat artistike (pikturë, skulpturë me vlerë artistike dhe të reja)”, shkruhet në këtë qarkore. “Në vendin tonë deri më sot nuk asht ba nji seleksionim i mirë i veprave artistike dhe pikërisht për këtë arsye duhet që sot e tutje të tregohet nji interesim i veçantë për mbledhjen e këtyre veprave. Prandaj, ju rekomandojmë që t’interesoheni për gjetjen dhe mbledhjen e këtij materiali të çmueshëm që mund të ndodhet në depot tuaja, ku mund të jetë lanë në harresë”.

Pas kësaj qarkoreje, me 8 janar 1947 shpërndahet po nga Kryeministria një tjetër shkresë ku zbulohen më shumë detaje, sidomos për origjinën e këtyre veprave të artit.


“Ente të ndryshme kanë marrë shpesh gjana me vlerë arkeologjike (vazo, mjete pune, armë, para kuadro, buste etj.) nga pasuritë e konfiskuara të kriminelëve të luftës dhe tradhëtarëve të Popullit. Gjithashtu, nga punime të ndryshme që janë kryer janë gjetur sende arkeologjike, si p.sh. në Durrës, Tepelenë, Vlorë etj., janë zbuluar gjana arkeologjike me randësi”, shkruhet në qarkoren e dytë, duke vijuar të bëjë thirrje që cilido institucion që ka “me zbulue të tilla gjana nga punime të ndryshme të lajmëroj direkt Komitetin e Kulturës dhe t’Arteve, që t’i marri në dorëzim.”

Dokumentet dëshmojnë se ky aksion për mbledhjen e veprave të artit ka vijuar përgjatë gjithë vitit 1947, por edhe në vitet në vijim deri sa u inaugurua Galeria Kombëtare e Arteve në janar 1954. /Tema/