LAJMI I FUNDIT:

“Mbreti i Gjermanisë

“Mbreti i Gjermanisë

Nga: Silke Wunsch

Shumë protesta të viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë nxorën në pah heronjtë e tyre. Në ShBA, Bruce Springsteen u kthye në luftëtar të klasës punëtore. Në Angli ishte lëvizja anarkiste punk me grupet muzikore si Sex Pistols dhe The Clash, ose me rokun indie si New Model Army. Kurse në Francë kompozitorët e këngëve u dominuan nga Renaud, duke shoqëruar shansonet e buta me tekste të forta. E, në Gjermani, ishte Rio Reiser ai që nxori çfarë kishte në shpirt duke ngritur zërin në shenjë proteste. Grupi i tij muzikor Ton Steine Scherben, ishte grupi i parë i muzikës rok në Gjermani që me tekstet e shkruara në gjermanisht kritikonte shpesh sistemin, duke i dhënë kështu kolonën zanore revoltave studentore të fundviteve gjashtëdhjetë dhe skenës anarkiste të majtë që zgjati deri në fund të viteve tetëdhjetë.

Rinia e viteve gjashtëdhjetë ishte ngopur me “botën pa probleme” të ngritur në Gjermani nga shoqëria e pasluftës. Ajo e shihte që diçka nuk shkonte. Nacionalsocializmi kishte vetëm 20 vjet që ishte përmbysur. Nuk kishte shumë kohë që kishte kaluar e megjithatë prindërit e mësuesit nuk flisnin fare për të.


Muzika rok dhe muzika ritmike kishin mbërritur në Gjermani, duke krijuar ventilin e përshtatshëm për të shprehur me forcë revoltimin. Ndërkohë që radiot gjermane jepnin muzikë qytetare që nuk i vriste veshin askujt, në garazhe dhe bodrume gjëmonin kitarat elektrike dhe bateritë. Rio Reiser, i lindur si Ralph Christian Möbius, dëshiron po ashtu të bëjë muzikë roku. Kur sapo kishte mbushur 17 vjeç, ai ndërpret shkollën për t‘u bërë fotograf dhe shkon në Berlin duke marrë me vete kitarën, pianon dhe violonçelin. Në Berlin fillon të punojë në skenën majtiste me projekte muzikore dhe teatrale, përjeton trazirat studentore, vrasjen e studentit Benno Ohnesorg dhe atentatin kundër Rudi Dutschkes. Me shokët krijon grupin muzikor Ton Steine Scherben. Këndon me zë të ashpër për ëndrrën e tij për një botë më të mirë. Për establishmentin e shpreh indinjatën duke kënduar: “Nuk dua të bëhem, si im atë.”

Shfaqjen e parë publike grupi e jep në vitin 1970 në “Love-and-Peace-Festival” që zhvillohet në ishullin Fehmarn – aty ku Jimi Hendrix e dha koncertin e fundit. Festivali prishet, organizatorët marrin paratë, publiku përfundon i mbetur në baltë, të gjitha grupet anulojnë koncertet pas koncertit të Hendriksit dhe vetëm grupi “Scherben” jep koncert. Pas këngës “Macht kaputt, was euch kaputt macht” (“Shkatërrojeni atë çka ju shkatërron”) dhe fjalës së mbajtur nga Rio që thotë se organizatorët duhen goditur, njerëzit i vënë flakën zyrës së organizatorëve dhe skenës. “Ton Steine Scherben” bëhet i njohur menjëherë.

Kudo ku ndodhte ndonjë rrëmujë në rrugët e Berlinit, të pranishëm ishin edhe “Die Scherben”, që këndonin këngët e tyre me tituj si: “Pushtet për asnjërin”. Ata besojnë se mund të arrijnë ndryshime shoqërore nëpërmjet muzikës së tyre, duke u kthyer kështu në zëdhënës së skenës së majtë.

Kështu, zaptuan ndërtesën e ish-konviktit të murgeshave në spitalin Bethanien në lagjen Kreuzberg të Berlinit dhe i japin ndërtesës emrin Georg-von-Rauch (që pati humbur jetën disa ditë më parë në përleshje me policinë duke u kthyer kështu në martir të skenës së majtë). Për këto ngjarje flitet në mbarë Gjermaninë. Në të gjitha qytetet e mëdha krijohen grupimet e shtëpive të zaptuara e himni i tyre është kënga “Rauch-Haus-Song” nga “Die Scherben”. “Nuk na nxirrni dot jashtë, kjo është shtëpia jonë!” Grupi muzikor nderohet nga gjithë të rinjtë rebelë në Gjermani, por shihet me urrejtje nga konservatorët dhe brezi i vjetër dhe nuk i transmetohen këngët në radio. Ata vëzhgohen nga shteti, ndërsa Policia e viziton thuajse përditë “Familjen Scherben”.

“Scherben” prodhojnë diskun e parë, krejtësisht të vetëm. Ata nuk duan të punojnë me “industrinë e muzikës” dhe të bëhen të varur prej saj. Edhe koncertet që mbushen plot i japin falas. Kush këndon këngë të majta nuk lejohet të fitojë para me to, përndryshe ajo që thonë në këngë nuk mund të besohet prej të tjerëve. Por, edhe në punë nuk duhet shkuar. Pra, nuk ka as para.

Kontrollet e vazhdueshme dhe gjendja e përhershme pa të ardhura e mërzisin kolektivin. Ata nuk duan të jenë më “Jukebox i të majtëve”. “Familja Scherben” tërhiqet në vitet ‘70 të shekullit të kaluar në një fermë fshati në afërsi të kufirit me Danimarkën, në Fresenhagen. Aty krijohet një komunë. Grupi muzikor bën edhe muzikë jopolitike, pra vetëm melodike. Rio vazhdon të ndjekë fantazinë e tij, ndjenjat, duke shkruar mes të tjerash: “Mbahu tek dashuria”, që është kthyer në një nga baladat më të njohura të tij.

Pasi grupi u mbyt në borxhe dhe u shpërbë në vitin 1985, Rio Reiser vazhdon i vetëm. Më vonë ai e përshkruan në biografinë e tij këtë periudhë si “me dal tek semafori”. Sepse tani ai ka të bëjë me një marrëveshje për të prodhuar disqe, duke iu shitur “industrisë”. Del disku i tij i parë i vetëm, “Rio I”. Dhe papritur këngët e tij jepen edhe në radio, këngë, si “Gjithçka e gënjeshtërt”, “Hëna e qershorit” dhe superkënga “Mbret i Gjermanisë”. Tifozët e hershëm të grupit e shohin me sy kritik suksesin solo të Rios. Ata nuk duan ta ndajnë Mesiasin e tyre me “mainstream”-in. Por, është shumë vonë për këtë gjë. Rio përfundon në Hitparade.

Më 1988 ai jep shfaqje në Berlinin Lindor ku këndon “Ëndrra merr fund”, në të cilën ai pyet: “A ekziston ndonjë vend ku ëndrra është bërë realitet?” Publiku përgjigjet duke thirrur: “Jo nuk është ky vend!” Një vit më vonë më 1989 Gjermania Lindore i përket historisë.

Kompozimet e tij janë origjinale, të buta dhe delikate, nganjëherë melodramatike dhe gjithnjë të karakterizuara nga pasioni. Muzikantët gjermanë të muzikës pop e përmendin edhe sot Rio Reiserin si një nga idhujt më të rëndësishëm që kanë. Këngët e tij këndohen e këndohen nga këngëtarë të tjerë. Krijimi i mitit të tij ka sigurisht të bëjë edhe me vdekjen e papritur më 1996.

Më 9 janar Rio Reiser do të kishte mbushur 70 vjeç. Me këtë rast Fondacioni Musicboard Berlin organizoi bursat e veçanta me emrin e tij, që jepen për talentet e reja muzikore. Po ashtu sheshi Heinrichplatz në lagjen Kreuzberg të Berlinit do të marrë sivjet emrin: “Sheshi Rio-Reiser”. /DW/