LAJMI I FUNDIT:

Mjeshtri që kujdeset për sigurinë e cirkut

Mjeshtri që kujdeset për sigurinë e cirkut

Ai është i fundit që lë çadrën. Të rrahurat e zemrës i normalizohen kur largohet prej aty edhe spektatori i fundit. I ka kontrolluar sa here kavot, edhe gjatë shfaqjes i sillet qark. Meraku është i madh. Jetët e 600 spektatorëve dhe gjithë artistëve varen prej tij. Dikur artist prestigjiator në Cirk, sot Kujtim Zuna është mjeshtër mekanik. Është ai që përgatit mjetet për artistët dhe përgjigjet për sigurinë e çadrës. Shkollën e kishte kryer për mekanik, por numrat e shpejtësisë ishin pasion i tij.

Ndërrimi i sistemeve ndryshoi shumëçka për artin e po ashtu edhe për cirkun. Në kushtet e reja, Kujtimi e ndjeu veten më pranë zanatit të tij të kahershëm, por pa hequr dorë nga cirku. Pas 10 vitesh në skenë, vendosi të dalë pas kuintash, të merrej me përgatitjen e veglave.


“Që të mund të ndërtosh vegla të sigurta duhet që ta njohësh edhe vetë cirkun, të njohësh teknikat, ku duhet të vendosë duart artisti, që të mbajë ekuilibrin, si mund të bëjë më mirë vertikalen. Shpesh artistët të vijnë thjesht me një skicë dhe ti duhet të ulesh e të mendosh se si ta realizosh atë”.

Njohja e cirkut e ndihmoi shumë në punën e tij, por siç siguria duhet të jetë maksimale, ndaj duhet të marrësh ca masa rezervë.

“Pasi kontrolloj pjesën e jashtme, kaloj në pjesën e brendshme, rripat e sigurisë, vinçat… U bënë kaq vjet në punë dhe falë Zotit nuk kam pasur asnjë aksident”, thotë ai. “Nuk duhet t’u besosh asnjëherë vidave. Unë gjithnjë i dubloj edhe me fije najloni, që nëse vidat lirohen, artisti nuk rrezikon të bjerë”.

Punës nuk i kursehet dhe në ofiçinën e vjetër, nën një pjergull rrushi e gjen përherë duke bërë diçka. Duke salduar një rreth, duke rregulluar një biçikletë, duke montuar trapezë… U bënë shumë vite që punon i vetëm në atë ofiçinë, ku kushtet nuk janë optimale, ashtu si në të gjithë cirkun. Por, pavarësisht të gjithave ai vazhdon të punojë me pasion.

“Kjo punë do dashuri dhe disiplinë. Të vjen keq kur sheh të rinj të humbasin kohën kot, që nuk mbajnë trupin në formë, që nuk stërviten”.

Kujtimi ka parë pa dyshim ditë më të mira, kur cirku mbushej plot, numëroheshin rreth 60 artistë dhe zhvilloheshin turne në gjithë Shqipërinë.

“Shfaqjet ishin emocionuese, sidomos jashtë Tiranës, ku publiku nuk kishte parë cirk. Na ndodhte që kur shkonim në ndonjë dyqan, kishim frikë të na shërbenin se mos u jepnim para të rreme. Publiku mahnitej nga shfaqjet tona”.

Sot, është 63 vjeç dhe shumë shpejt do të dalë në pension. Meraku i tij është se nuk ka se kujt t’ia trashëgojë zanatin.

“Duhet të vijë ndonjë njeri i ri që të mësojë zanatin, të shohë si funksionon, të mësojë si saldohet, sepse varet jeta e artistëve aty. Të paktën duhet të bëjë nxënësin për një vit. Shumë shpejt dalin në pension edhe stërvitësi i kafshëve, edhe këpucari. Dikush duhet t’i zëvendësojë ata. Ne i dimë gjërat me sy mbyllur, por një i ri jo”.

Dashurinë për cirkun ia ka trashëguar të birit, tashmë akrobat, i cili hodhi hapat e para në atë skenë që fare i vogël, kur i ati bënte numra shpejtësie dhe ai përplaste duart gjithë gëzim. Ndërsa sot është ai që e duartroket dhe zemra i rreh fort tek e sheh që interpreton në veglat që ka realizuar ai… Kjo është magjia e trashëgimisë. /MKSH/